Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet politike nga studio e Neës24, gjatë një lidhje ‘skype’ në rubrikën “Opinion”. Ai deklaroi se hapja e negociatave nuk i shërben shqiptarëve duke shpjeguar arsyet.
Duke folur për reformën në drejtësi dhe atë çfarë po ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët që po kalojnë vettingun, Lubonja tha se ajo është konceptuar keq që në fillim pasi duhet të niste me ndryshimin e sistemit për të eliminuar konfliktin e interesit. Ai tha se është shqetësuese ky paralizim i sistemit të drejtësisë.
“Mendoj se është më tepër për t’u shqetësuar. Ideja e shqetësimit duket sikur ishte e lidhur me diçka që po funksionte dhe tani nuk po funksionon më. Mendoj se kjo që po ndodh me vettingun është pasojë e një reforme në drejtësi të konceptuar keq qysh në fillim. Ju kujtoj një thënie të km Rama që thoshte se e keqja nuk është personi por sistemi që korrupton edhe një gjerman. Ndërkohë që ajo që po ndodh me reformën në drejtësi është sikur fajin ta kenë personat dhe sikur duhet të bëhet pastrimi i tyre, ndërkohë që sistemi është po ai. Nuk kam thjesht parasysh sistemin e drejtësisë por sistemin në tërësi. Në këtë kuptim reforma në drejtësi është konceptuar keq që në fillim. Nuk duhej filluar nga reforma në drejtësi por në ndryshimin e sistemit. E keqja e madhe e sistemit tonë edhe të drejtësisë është sepse kemi të mbushur me konflikt interesi. Ata që duhet të na shërbejnë shpeshherë janë në konflikt interesi me gjërat që u shërbejnë atyre. Politika përdoret nga ata. Një reformë e vërtetë duhet të ishte një reformë politike që mbi të gjitha duhet të eliminonte këto konflikte interesi që janë të shumtë në shoqërinë shqiptare. Besoj se ky është thelbi i konfliktit dhe problemit që po lind me vettingun. Fillimi i drejtësisë nuk është fillimi më i mbarë kur pjesë të tjera të sistemit funksionojnë sipas stilit të vjetë”, tha Lubonja.
I pyetur nëse ka rrezik që shumica ta kapë sistemin, analisti i njohur u shprej se në fund asnjë palë nuk do jetë e zhgënjyer, duke shpjeguar arsyet.
“Ajo është e qartë. Në fund fare nuk duhet të kemi të zhgënjyer nga asnjëra palë. Ndoshta do kemi të zhgënjyer ndonjë perëndimor që mund të ketë besuar por unë dyshoj. Nuk do kemi të zhgënjyer nga opozita sepse ata e kanë ditur që kjo nuk bëhej për të zhdukur konfliktin e interesit por që drejtësia të kapej nga maxhoranca. Maxhoranca pikërisht këtë do dhe për këtë ka punuar, kështu që nuk ka pse të befasohet. Ajo që është e re është se po i del boja asaj gjëje që po tentonte ta mbulonte Edi Rama me furçet e tija”, tha Lubonja.
Ai shprehu mosbesimin e tij se vettingu do të eliminojë konfliktin e interesit.
“Nuk besoj se kjo formë e pastrimit të gjyqtarëve na eliminon atë që e quajta konflikt interesi. Interesat nuk janë thjesht vetëm kur përdoret një sistem jo për të shërbyer, pra në këtë rast drejtësisë por vetvetes për t’u pasuruar. Konfliktet e interesave janë edhe ndryshe. P.sh. në kohën e diktaturës drejtësia ishte tërësisht e kapur por nuk është se gjyqtarët pasuroheshin. Nuk mjafton vetëm një reformë në drejtësi edhe sikur të arrihet të vihen vërtetë gjyqtarë krejtësisht të pastër dhe të pavarur ata do t’i mbyste ky sistem siç është ndërtuar, tërësisht i korruptuar, tërësisht në konflikt interesi. Nuk mund të kurohet vetëm një organ, ndërkohë që nga truri dhe organet e tjera janë tërësisht të sëmura”, tha ai.
Po Lubonja foli edhe për çeljen e negociatave, një përgjigje që pritet në fund të qershorit nga Europa dhe efektin që do të ketë ky vendim. Ai tha se një hapje e negociatave mund t’i shërbejë një të keqeje më shumë se sa interesave të shqiptarëve.
“Unë jam tek ata që shqetësohen nëse BE i njeh Shqipërisë progres duke hapur negociatat. Hapja e negociatave i shërben më shumë Edi Ramës dhe bandës së tij ëpr të legjitimuar para shqiptarëve punët e tij të mbrapshta. Për të vazhduar refrenin e tij të famshëm, si flisni ju për trafiqe droge kur nuk flasin të huajt. Tani mund të thotë se si flisni ju kur Evropa hapi negociatat. Unë e quaj shumë problematike këtë sepse mendoj që Shqipëria ka probleme dhe është në situatë të vështirë e delikate. Një maxhorancë autoritare që nuk pyet më, që nuk dëgjon as media, asgjë. Një hapje e negociatave mund t’i shërbejë kësaj të keqeje më shumë se sa interesave të shqiptarëve që besoj e para e punës nuk është se kanë ndonjë përftim direkt nga kjo. Sepse nganjëherë i gënjejnë dhe me këtë shqiptarët e shkretë. D.m.th iu thonë që tani do kenë mundësi të shkojnë në Europë pa viza. Siç u tha dhe për NATO-n. Tani është e njëjta situatë, përsëri përdoret për propagandë. Mendoj se duhet të çlirohemi nga ky kompleks që sikur po pengojmë, e ka edhe opozita. Shqiptarëve u duhet mbështetja e ndërkombëtarëve për t’i thënë ndal kësaj lloj qeverisjeje duke mos e inkurajuar përkundrazi duke i vënë kushte më të forta përndryshe do jetë edhe më keq për shqiptarët. Pra unë e quaj antishqiptare të kundërtën”, tha Lubonja.
Në lidhje me opozitën dhe aksionin e saj Lubonja deklaroi se është e kompleksuar dhe kontradiktore.
“Nga njëra anë kërkon të bindë ndërkombëtarët se sa e vështirë është gjendja në Shqipëri, nga ana tjetër thotë që duhet t’i njihni. Pse duhet t’i njohim? Ka progres apo regres. Në qoftë se opozita mendon që ka regres nuk duhet pranuar ai raport që flet për progres. Opozita ka komplekse ndaj ndërkombëtarët, nga Edi Rama, mund të jenë dhe interesa të tjera. Por krijon bindjen që është një opozitë e dështuar që nuk mund ta nxjerrë Shqipërinë nga balta”, tha Lubonja.
Ai theksoi se një mosnjohje e negociatave, për një klasë të përgjegjshme politike duhet të jetë kambanë alarmi. “Opozita do ta kishte luftën më të lehtë. Maxhoranca do duhej të bëhej më e përgjegjshme”.