Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin Shpat Kasapi. Të afërm, miq dhe qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit.
Gjatë ceremonisë, motra e tij, Jehona Kasapi, mbajti një fjalë ku foli për marrëdhënien e tyre dhe kujtimet me vëllain. Ajo e përshkroi Shpatin si një person të qetë dhe të sjellshëm, duke theksuar se ai kishte shumë dashuri për fëmijët dhe të moshuarit.
Në fjalën e saj, Jehona u ndal edhe te djali i vogël i këngëtarit, Roeli, duke thënë se do të kujdeset për të sipas amanetit të vëllait.
“Amanetin tëndë Roelin, do ta shoh si sytë e ballit”, u shpreh ajo.
Jehona Kasapi: Sot me zemër të thyer jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim, është shumë e vështirë për të përshkruar fjalët për të përshkruar dhimbjet që ndiej.
Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë, ishe një njeri i mirë, dije t’i ndieje hallet nga empatia jote e madhe. Ishe një njeri i mirë me zemër të bardhë dhe fisnik.
Shpati, ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshësh, buzëqeshja ishte sinonim i yti. Është e rëndë të pranojmë se nuk do dëgjojmë zërin tënd, por ti do të mbetesh gjithmonë në zemrën. Ti do të mbetesh dritë në familjen tonë. Amanetin tëndë Roelin, do ta shoh si sytë e ballit.














