Dy braziliane, B. B., 24 vjeçe dhe H. D., 21 vjeçe, kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi kishin marrë një apartament me qira në lagjen nr. 2 të këtij qytetit dhe e shfrytëzonin për prostitucion dhe për përdorim të lëndëve narkotike. Në operacionin policor të koduar “STORM” është proceduar penalisht edhe një shtetas për prostitucion, K. M., 22 vjeç.
Gjatë ndërhyrjes së forcave policore, brazilianet kanë refuzuar të hapin derën e apartamentit, e cila më pas u hap me ndihmën e punonjësve të Zjarrfikëses.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas një hetimi disajavor të ndjekur me metoda proaktive për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatja e ambienteve për përdorim droge”, në bashkëpunim me Prokurorinë, u finalizua faza e 10-të e operacionit policor të koduar “STORM”.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi i shtetaseve B. B., 24 vjeçe dhe H. D., 21 vjeçe, të dyja lindur dhe banuese në Brazil. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. M., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni””, njofton Policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash në euro dhe lekë, tre aparate celularë, një bllok shënimesh, disa karta SIM, si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis dhe çokollatë me përmbajtje kanabisi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.














