Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është arrestuar nga Policia Federale e Brazilit pas dënimit me 27 vite e gjashtë muaj burg për tentativë grushti shteti dhe krime të tjera të rënda. Arrestimi u krye të shtunën në orën 6:00 të mëngjesit në banesën e tij në Brasilia, ku ndodhej nga 4 gushti në arrest shtëpie.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, urdhëroi ndalimin, duke e justifikuar me “rrezikun e arratisjes” e duke shtuar se byzylyku elektronik i Bolsonaro-s ishte manipuluar në orët e para të mëngjesit. Dyshohet se ish-presidenti mund të përpiqej të arratisej drejt Ambasadës Amerikane, përfituar edhe nga vigjilja e mbrëmjes e organizuar nga djali i tij, Flavio Bolsonaro.
Oficerët e policisë mbërritën me një konvoj prej të paktën pesë makinash dhe rreth 20 minuta më vonë e dërguan ish-presidentin në selinë e Policisë Federale, ku do të mbahet për një kohë të pacaktuar. Dëshmitarët raportuan se Bolsonaro shpërtheu në lot gjatë nxjerrjes nga shtëpia.
Një ditë më parë, avokatët e tij kishin kërkuar që ai të vuante dënimin në arrest shtëpiak për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore, por kërkesa u refuzua. Bolsonaro u dënua në fund të shtatorit për tentativë grushti shteti, krim të organizuar, heqje të dhunshme të sundimit të ligjit dhe dëmtim të trashëgimisë historike. Shtatë bashkëpunëtorë të tij u shpallën gjithashtu fajtorë.
Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva theksoi se drejtësia braziliane ka vepruar sipas Kushtetutës dhe se ky rast është shembull për të gjithë: “Për herë të parë në 525 vjet histori, një ish-kreu shteti është dënuar për një komplot grushti shteti. Askush nuk mund të sulmojë sundimin demokratik të ligjit në Brazil.”














