Një problem teknik në Cloudflare ka shkaktuar probleme në pjesë të ndryshme të internetit, duke lënë përdoruesit e shumë faqeve, edhe në Shqipëri, pa qasje.
Cloudflare është një kompani kritike e infrastrukturës së internetit, që ofron shërbime thelbësore për mbrojtjen e faqeve nga sulmet kibernetike dhe për të siguruar funksionimin e tyre edhe gjatë flukseve të mëdha të trafikut.
“Cloudflare është në dijeni dhe po heton çështjen që mund të ndikojë shumë klientë”, tha kompania në një përditësim të ri. “Detaje të tjera do të ofrohen sapo të kemi më shumë informacion”.
Edhe faqja e monitorimit të ndërprerjeve DownDetector u prek nga problemet, por në momentet kur arriti të ngarkohej shfaqi një rritje të fortë raportimesh për ndërprerje.
Përdoruesit e prekur panë mesazhin “internal server error on Cloudflare’s network”, i cili u sugjeronte të provonin sërish pas disa minutash.














