Shoqëria aksionare “Tete Albania Tunnel & Mining”, në pronësi 51% të grupit ILBAK Holding, me aksionerë Murat dhe Mustafa Ilbak, prej vitesh kryen aktivitetin e saj të kërkim–zbulimit të mineraleve me vlerë në vendin tonë, mirëpo jo në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Zonat ku kjo firmë operon janë të ndryshme, por “Piranjat” udhëtuan kësaj here në zonën e Perlat-Shebës, 20 km larg Rrëshenit, aty ku “Tete Albania” është duke kryer shpime me sonda për të zbuluar minerale me vlerë, kryesisht bakër.
Sapo mbërrin, grupi i xhirimit bëhet dëshmitar i një aksidenti në punë, ku një punonjës shqiptar është duke lënguar pasi është goditur me një çelës në bark, ndërsa ambulanca ende nuk kishte mbërritur. Ai transportohet me një automjet pune për në spitalin e Rrëshenit, ndërsa gazetari Freard Rista përpiqet të komunikojë me një punonjës turk lidhur me mungesën e dokumentacionit të kësaj firme.
Komunikimi është i pamundur për shkak të gjuhës.
Gjatë pritjes për ndonjë sqarim të mundshëm nga ndonjë përfaqësues i firmës, “Piranjat” komunikojnë me punonjësit shqiptarë aty, duke mësuar se, pavarësisht mungesës së dokumentacionit, sondat vijojnë punën 24 orë. Lidhur me aksidentin e ndodhur në ato çaste, një nga punëtorët dëshmon se nuk është hera e parë, por rasti i tretë. Megjithatë, gjërat do t’u bëhen të qarta publikut dhe institucioneve përgjegjëse.
Shoqëria aksionare “Tete Albania Tunnel and Mining“ është zotëruese e Lejes Minerare të Kërkim–Zbulimit nr. 1954, datë 26 korrik 2023, për mineralin bakër, në objektin Perlat-Shebë, në Mirditë. Mirëpo, nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, më datë 1 shtator të këtij viti është propozuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë revokimi i kësaj leje, për arsye se, pas inspektimeve në terren nga strukturat përgjegjëse, është konstatuar se shoqëria nuk ka realizuar volumet fizike dhe investimet e miratuara në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim–zbulimit. Në përgjigjen zyrtare të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar bëhet me dije se kompania “Tete Albania“ ka realizuar vetëm 1.43% të investimit total të planifikuar në dy vite.
Por Shërbimi Gjeologjik dhe Ministria e Infrastrukturës nuk janë të vetmet institucione që kanë urdhëruar ndalimin e punimeve nga kompania turke në zonën e Perlat-Shebës. Më datë 25 shtator 2025, në njoftimin drejtuar këshilltarëve lidhur me mbledhjen e datës 30 shtator të Këshillit Bashkiak Mirditë, vihet re se në rendin e ditës ishte parashikuar diskutimi për dy pika që lidhen me “dhënien në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor” subjektit “Tete Albania Tunnel and Mining”, në njësinë administrative Orosh, zona e Gurth-Spaçit, ku ndodhet edhe miniera e Spaçit, si dhe në njësinë administrative Kthellë, zona e Perlat-Shebës.
Mirëpo, në mbledhjen e datës 30 shtator 2025, këto dy pika u tërhoqën nga kryetari i bashkisë, çka do të thotë se shoqëria “Tete Albania” nuk e ka miratimin as nga Këshilli Bashkiak për vijimin e punimeve në atë zonë.
Miniera e Spaçit
Pika e dytë problematike e kësaj kompanie është zona e Spaçit, aty ku ndodhet miniera e Spaçit, të cilën e shfrytëzon prej 7 vitesh kjo shoqëri aksionare. Kjo ka detyruar minatorët vendas, prej më shumë se një muaji, të nisin protestat për përmirësimin e kushteve të punës dhe rishikimin e pagave dhe, për këtë shkak, dhjetëra punonjës janë pushuar nga puna.
“Pika e vlimit ka qenë në momentin kur më kanë hequr mua si përgjegjës turni në mes të turnit të dytë dhe e kanë lënë komplet brigadën nëntokë pa drejtuesin teknik. Jam hequr unë i pari, pastaj janë hequr 16 të tjerë, pastaj janë hequr 46 të tjerë, janë 62 veta të larguar”, thotë minatori Albert Bushpreni.
Kompania e ka bazuar urdhrin e pushimit te mosparaqitja e punonjësve për ditë me radhë në vendin e punës, pavarësisht se ata ishin në një grevë të ligjshme për kushtet atje. Situatë kjo që vuri në alarm institucionet, të cilat një javë më parë zbarkuan në minierën e Spaçit.
“Ajo fleta është pushim nga puna. Derisa të dalë nëse greva është e ligjshme apo e paligjshme nga gjykata, ty do të të lërë pa rrogë, familjen tënde do ta lërë pa rrogë”, u tha minatorëve znj. Irida Qose, zv.kryeinspektore e Inspektoratit të Punës së Shqipërisë, duke lënë të kuptohet se ata duhet të heqin dorë nga greva.
Minatorët janë anëtarësuar pranë Konfederatës së Sindikalistëve të Shqipërisë, duke formuar Sindikatën e Minatorëve, por kompania turke nuk e njeh këtë akt dhe nuk pranon të flasë me përfaqësuesit e minatorëve. Nga ana tjetër, institucionet e shtetit shqiptar dështuan në ndërmjetësimin e palëve, duke i lënë minatorët aty, të zhgënjyer, të lodhur, por të sigurt se do të vijojnë të jenë pa punë, në protestë, para derës së kompanisë.
Problemet me shtetin turk
Shoqëria aksionare “Tete Albania Tunnel & Mining” figuron me flamur të kuq për shkak të mosdepozitimit të pasqyrave financiare vjetore, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme. Në muajin mars 2025, mediat turke raportuan se aksionerët e Ilbak Holding u arrestuan për mashtrime financiare, tendera korruptivë dhe akuza terrorizmi. Aktualisht, me masë arresti nga shteti turk janë Murat Ilbak dhe Mustafa Ilbak, dy aksionerët e grupit Ilbak Holding. Shumë prona, llogari bankare dhe asete kompanish të grupit Ilbak Holding muajt e fundit janë sekuestruar nga shteti turk.
Skandali merr përmasa të mëdha, pasi në vitin 2016, pak para marrjes së minierës së Spaçit me koncesion, zyrat e administratorit të kësaj kompanie, z. Eyup Batal, u bastisën nga policia turke. Sipas mediave atje, ai akuzohet për një mashtrim financiar mbi 3 milionë euro kundrejt televizionit shtetëror turk, TRT.
Pyetja që ngrihet është: A kanë filtra institucionet tona për përzgjedhjen e kompanive të huaja që kërkojnë të operojnë në Shqipëri?/piranjat














