Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtorë gjashtë shtetas dhe pesë persona juridikë, pas kërkesës së Prokurorisë, për krijimin e një skeme mashtruese me qëllim përfitimin e rimbursimit të TVSH-së.
Mes të dënuarve janë edhe tre shtetas italianë, të cilët vepronin përmes kompanive të tyre në Shqipëri.
Në listën e personave të shpallur fajtorë përfshihen Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino dhe kontabilisti Zaho Kuka.
Prokuroria arriti të provojë se Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj, në bashkëpunim me italianët Andrea di Dio, Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino, ngritën një skemë mashtruese përmes kontratave fiktive të konsulencës juridike. Kjo skemë kishte si qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe shpërndarjen e shumave monetare në kundërshtim me ligjin.
Gjykata vendosi dënime të ndryshme për individët e përfshirë. Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj u dënuan me nga 3 vjet burgim për krijimin e skemës mashtruese dhe mospagimin e taksave.
Andrea di Dio u dënua me 4 vjet burgim për fshehje të të ardhurave dhe mashtrim fiskal. Ndërsa Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino morën nga 3 vjet burgim secili për mashtrim dhe mospagim taksash. Kontabilisti Zaho Kuka u dënua me 180 orë punë në interes publik për moskallëzim krimi.
Përveç individëve, gjykata shpalli fajtorë edhe pesë persona juridikë, duke vendosur gjoba të konsiderueshme. Kompania “Sidec Albenergy” sh.p.k. u gjobit me 1.500.000 lekë, “Primis” sh.p.k. me 1.000.000 lekë, “Gainsbourg” sh.p.k. me 1.200.000 lekë, “Al Nair Trading” sh.p.k. me 1.200.000 lekë dhe “CS International Consulting” me 1.200.000 lekë.














