Banka e Shqipërisë, në Komisionin e Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2026, ka bërë 5 rekomandime për qeverinë, nga rishikimi i skemës së pensioneve, tek monitorimi i koncesioneve apo shpërndarja e shpenzimeve gjatë gjithë vitit.
Banka qendrore ka ripërsëritur kërkesën për të rishikuar skemën e pensioneve, pasi plakja e popullsisë dhe demografia janë rrezik për buxhetin, në kushtet kur deficiti i skemës po thellohet.
“Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vijon të jetë një barrë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, duke tejkaluar edhe nivelin e deficitit të përgjithshëm buxhetor. Sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë, por edhe atë të tkurrjes demografike. Këto tregues pritet të ushtrojnë presion të shtuar mbi financat publike në të ardhmen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave shtesë që të garantonin reduktimin e vulnerabilitetit fiskal të lidhura me to. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, tha zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi në Komisionin e Ekonomisë.
Po ashtu Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të monitorojë koncesionet pasi mund të ngarkojnë buxhetin e shtetit me kosto shtesë.
“Për projektet e partneritetit publik privat, në buxhetin e vitit 2026 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit. Vlera totale e projekteve e PPP-ve në masën 27.1% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe është kufizuar shuma totale e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti në masën 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, përsa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit”, tha Minxhozi.














