Shtetet e Bashkuara po përgatiten të krijojnë një prani ushtarake në një bazë ajrore në Damask, me qëllim mbështetjen e një marrëveshjeje sigurie që Uashingtoni po ndërmjetëson midis Sirisë dhe Izraelit, raportoi Reuters, duke cituar gjashtë burime të njohura me çështjen.
Planet amerikane për një prani në kryeqytetin sirian të papublikuara më herët sinjalizojnë rreshtimin strategjik të Sirisë me SHBA-të, pas rrëzimit vitin e kaluar të ish-presidentit Bashar al-Assad, aleat i ngushtë i Iranit.
Baza ndodhet në hyrje të rajoneve jugore të Sirisë, të cilat pritet të përfshijnë një zonë të çmilitarizuar si pjesë e një pakti mosagresioni midis Izraelit dhe Sirisë, marrëveshje që po ndërmjetësohet nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Presidenti Trump pritet të takojë presidentin sirian Ahmed al-Sharaa të hënën në Shtëpinë e Bardhë , vizita e parë e një kreu shteti sirian në SHBA. Sipas gjashtë burimeve që folën për Reuters, mes tyre dy zyrtarë perëndimorë dhe një zyrtar i mbrojtjes siriane, baza do të përdoret për të ndihmuar monitorimin e një marrëveshjeje të mundshme midis Izraelit dhe Sirisë.
Pas publikimit të raportit, një burim nga Ministria e Jashtme siriane e mohoi informacionin, duke e cilësuar “të pavërtetë”, raportoi agjencia shtetërore SANA. Burimi nuk dha detaje se cilat pjesë të raportit ishin të pasakta, por shtoi se “po punohet për transferimin e marrëveshjeve të arritura me entitete të përkohshme drejt Damaskut, në kuadër të koordinimit të përbashkët politik, ushtarak dhe ekonomik”.
As Pentagoni, as Ministria e Jashtme siriane nuk kanë dhënë ende koment për planet e raportuara. Po ashtu, Presidenca dhe Ministria e Mbrojtjes së Sirisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara përmes Ministrisë së Informacionit.
Një zyrtar i administratës amerikane tha për Reuters se “SHBA-ja vlerëson vazhdimisht pozicionimin e saj të nevojshëm në Siri për të luftuar në mënyrë efektive Shtetin Islamik” dhe se nuk komenton për vendndodhjen e forcave. Për arsye sigurie, agjencia nuk ka zbuluar vendndodhjen e saktë të bazës.
Një zyrtar ushtarak perëndimor tha se Pentagoni ka përshpejtuar planet gjatë dy muajve të fundit, me disa misione zbulimi në bazë, të cilat konfirmuan se pista ajrore është e gatshme për përdorim të menjëhershëm.
Dy burime ushtarake siriane thanë se diskutimet teknike janë përqendruar në përdorimin e bazës për logjistikë, mbikëqyrje, furnizim me karburant dhe operacione humanitare, ndërsa Siria do të ruajë sovranitetin e plotë mbi objektin.
Një zyrtar sirian i mbrojtjes tha se SHBA-ja ka dërguar aeroplanë ushtarakë C-130 për të testuar pistën, ndërsa një roje sigurie pranë bazës konfirmoi për Reuters se “avionë amerikanë kanë aterruar aty për qëllime testimi”. Nuk dihet ende se kur do të dislokohen trupat amerikane.
Planet e reja të SHBA-ve pasqyrojnë prani të ngjashme në rajon që monitorojnë marrëveshje armëpushimi, një në Liban, që vëzhgon armëpushimin midis Hezbollahut dhe Izraelit, dhe një tjetër në Izrael, që mbikëqyr armëpushimin e periudhës Trump midis Hamasit dhe Izraelit.
SHBA ka aktualisht trupa të dislokuara në verilindje të Sirisë, në kuadër të përpjekjeve dhjetëvjeçare për të mbështetur forcat kurde në luftën kundër Shtetit Islamik. Në prill, Pentagoni njoftoi se do të përgjysmonte numrin e trupave në rreth 1 mijë ushtarë.
Presidenti Sharaa ka deklaruar se çdo prani ushtarake amerikane duhet të bazohet në marrëveshje me shtetin e ri sirian. Siria pritet t’i bashkohet së shpejti koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, sipas burimeve amerikane dhe siriane.
Një burim i afërt me bisedimet tha se çështja e bazës është diskutuar gjatë vizitës së komandantit të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admiralit Brad Cooper, në Damask më 12 shtator.
Në një deklaratë të asaj kohe, CENTCOM bëri të ditur se Cooper dhe i dërguari amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, u takuan me Sharaan dhe e falënderuan për kontributin në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri një hap që, sipas deklaratës, mund të ndihmojë në realizimin e “vizionit të presidentit Trump për një Lindje të Mesme të begatë dhe një Siri të qëndrueshme, në paqe me veten dhe fqinjët e saj.” Deklarata nuk përmendte Izraelin.
SHBA ka punuar prej muajsh për të arritur një pakt sigurie midis Izraelit dhe Sirisë, dy armiq afatgjatë. Sipas burimeve, Uashingtoni kishte shpresuar ta shpallte marrëveshjen gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, por bisedimet hasën në pengesa të minutës së fundit. Një burim sirian i njohur me negociatat tha se SHBA po ushtron presion ndaj Damaskut që marrëveshja të arrihet përpara fundit të vitit, e ndoshta para vizitës së Sharaas në Uashington.














