Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka rrëzuar kërkesën e opozitës për zhvillimin e një interpelance urgjente me zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë.
Kërkesa u depozitua nga 7 deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan sqarime mbi procedurat e ndjekura në tenderin e tunelit dhe përgjegjësinë politike të ministres.
Në vendimin e tij, Peleshi tha se zhvillimi i një interpelance në kushtet kur çështja është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme bie ndesh me parimin e pavarësisë së organit të akuzës. “Ndërhyrja e Kuvendit përmes zhvillimit të një interpelance që bie ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës është e papranueshme. Në përputhje me atributet, vlerësoj se zhvillimi i interpelancës urgjente të kërkuar është i pamundur për t’u realizuar,” tha ai.
Ndërkohë opozita kundërshtoi këtë vendimi, duke e cilësuar si një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e lartë të qeverisë nga llogaridhënia publike.
SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, duke e lidhur me procedurat e ndjekura për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.














