Gjykata e Posaçme ka dënuar ish deputetin socialist Alqi Bllako me 4 vite heqje lirie, ndërsa ai ka lënë po sot ambientet e burgut të Fierit.
Trupa gjykuese e kishte shpallur Bllakon fajtor për korrupsion pasiv, duke përfituar 119 mijë euro dhe një shumë tjetër prej 7 milion lekësh. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa, përveç kësaj, i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Por GJKKO ka vendosur lirimin e Bllakos pasi është vendosur shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër.
Sipas Prokurorisë, Bllako akuzohet se përfitoi në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë eurosh nga pronarët e shoqërisë koncesionare, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.
VENDIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ Gjykimin e çështjes penale në lidhje me procedimin penal nr.255/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me të pandehur Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të këtij neni para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021, dy herë sipas episodeve përkatëse”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Atalanta Zeqiraj, bazuar në nenet 112, 152, 261, 379, 380, 381, 390 , 403, 405, 406 të K.Pr.Penale dhe nenet 35, 47-57, 55, 259 të K.Penal, me vendimin nr. 69, datë 04.11.2025, vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal për përfitimin e parregullt të shumës 119,715 euro) dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B. në vlerën 7.520.000 lekë), dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Alqi Edmond Bllako dënohet me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vite burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 35, pg 1 të Kodit Penal, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.
Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, me datë 09.12.2023 dhe bazuar në nenin 261, pika 1, shkronja c) të Kodit të Procedurës Penale, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Arrest në burg”, Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al caktuar ndaj të pandehurit Alqi Edmond Bllako me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të dhënë.
Urdhërohet lirimi i të pandehurit Alqi Edmond Bllako nga paraburgimi nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e vendimit.














