Një operacion masiv policor në Brazil ka përfunduar me bilanc tragjik, ku 64 persona janë vrarë, mes tyre edhe katër efektivë policie. Aksioni u zhvillua në Rio de Janeiro dhe u cilësua si operacioni më i madh ndonjëherë kundër bandës së fuqishme “Comando Vermelho”.
Në këtë operacion morën pjesë rreth 2,500 policë dhe 32 automjete të blinduara, ndërsa autoritetet arritën të arrestojnë 56 persona dhe tentuan të ekzekutojnë rreth 250 urdhër-arreste. Për shkak të përplasjeve të armatosura, afro 50 shkolla dhe institucione shëndetësore pezulluan aktivitetin, ndërsa linjat e transportit publik u devijuan për të shmangur zonat e rrezikshme.
“Ne qëndrojmë të vendosur kundër narkoterrorizmit”, shkroi guvernatori Claudio Castro në rrjetet sociale, duke mbështetur operacionin.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para se Rio de Janeiro të presë ngjarje të mëdha ndërkombëtare si Samiti i Kryetarëve të Bashkive të C40 dhe Çmimi Earthshot i Princit William, të cilat janë pjesë e përgatitjeve për konferencën e OKB-së për klimën COP30, që do të mbahet në qytetin verior të Belem.














