Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë zyrtare për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar, pas zbulimeve mbi keqpërdorimin e fondeve IPARD, të destinuara për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
Kjo nismë vjen si reagim ndaj raportit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimeve (OLAF), i cili evidenton abuzime sistematike me fondet e Bashkimit Europian.
45 deputetë të opozitës kanë firmosur kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor.
Sipas dokumentit, OLAF ka zbuluar abuzime me 33 milionë euro nga programi IPARD II, përmes kontratave të manipuluara, çmimeve të fryra dhe detyrimit të aplikantëve për të paguar kompani të caktuara konsulence.
Këto gjetje kanë sjellë pezullimin e programit IPARD III, me vlerë 112 milionë euro, duke rrezikuar mbështetjen financiare për fermerët shqiptarë.
Shkresa e PD drejtuar Kuvendit citon Ligjin nr. 37/2015 për ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër me Komisionin Europian, si bazë ligjore për mbështetjen financiare të BE-së ndaj Shqipërisë. PD kërkon që Kuvendi të marrë masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së dhe për të garantuar transparencën në shpërndarjen e fondeve.
Sipas opozitës, Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian;
(ii) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve të programit IPARD II;
(iii) Analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II në fazën e zbatimit të projekteve;
(iv) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e fondeve të programit IPARD II, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;
(v) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës në administrimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian dhe fondeve publike, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare;
(vi) Të angazhohet për të propozuar për miratim të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen në të ardhmen situatat e evidentuar në raportin e hetimit të Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, duke propozuar masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë për programin IPARD III.
Komisioni propozohet të ketë në përbërje 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
















