Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë përmbytje dhe probleme në disa qytete, me qarkun e Shkodrës si zonën më të prekur.
Sipas përditësimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, situata po monitorohet nga strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse.
Në Shkodër, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura kanë qenë në terren për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Në bashkinë Vau i Dejës, niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa uji është tërhequr plotësisht.
Po kryhen ndërhyrje me eskavatorë për devijimin e rrjedhës së përroit dhe ngritjen e argjinaturave mbrojtëse për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.
Në bashkinë Fushë Arrëz dhe njësinë administrative Gur i Zi po pastrohen rrugët nga inertet dhe gurët e rënë për të rikthyer qarkullimin normal të mjeteve.
Deri më tani, nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen dëme në infrastrukturë apo banesa si pasojë e motit me reshje.














