Argita dhe Jamarbër Malltezi, kërkojnë lirim të 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK prej dy vitesh lidhur me dosjen “Partizani” e cila është në proces gjyqësor.
Ata kanë depozituar një kërkesë në GJKKO për këtë çështje.
Kërkesa penale me objekt “kthim sendi të sekuestruar” do të shqyrtohet nga trupa gjykuese e dosjes “Partizani”, Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Pas arrestimit të Malltezit, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi në masën e sekuestros gati 25 pasuri, nga të cilat, 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.
Në muajin mars ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.
Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan.
Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.
Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.
Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.