• Kontakt
Wednesday, October 22, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

“Qeni po luante me kafkën”/ Mesazhet në SKY për vrasjen e Klevis Lleshit: Iku dhe një, djali i Xhavitit

20:29 : 21/10/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar detaje tronditëse nga dosja e vrasjes së Klevis Lleshit më 5 gusht të vitit 2020. Vetëm pas 5 vitesh, SPAK ka zbardhur autorët e këtij krimi për të cilin autori u pagua me shumën 50 mijë euro.

GJETJA E KUFOMËS

Në dosjen e Prokurorisë tregohen detajet se si u gjet trupi i Klevis Lleshit, disa muaj më vonë nga vrasja, më 8 dhjetor 2020 në një sipërfaqe ullishte në fshatin Shpërdhet të Kurbinit nga efektivët e policisë Kurbin të cilët u lajmëruan nga shtetasi Edmond Kolaveri, që është pronari i ullishtes.

Kolaveri deklaroi në polici se, kafkën dhe disa kocka i ka sjellë qeni i tij. Çka ka bërë që ai menjëherë të njoftojë policinë. I pyetur nga grupi hetues në vendngjarje, i zoti i ullishtes nuk diti të japë shpjegime më të gjata se si kishin përfunduar ato eshtra në pronën e tij. Madje ai tha se as kishte parë dhe as dëgjuar ndonjë gjë të pazakontë gjatë kohës që punonte aty.

Pas kqyrjes së mëtejshme të vendit të ngjarjes, u fiksua ndërkohë edhe një kockë si ajo e gjymtyrëve të sipërme dhe tre kocka të tjera të vogla. Po kështu 250 metra nga ana jugore e vendit ku u gjet kafka, brenda rrethimit të ullishtes, mbi përrua, u fiksuan të shpërndara në një sipërfaqe rreth 30 metra, mbetje kockash të dekompozuara si ato të qenieve humane.

Lexo edhe:

Përgënjeshtrime dhe kërcënime, si u përpoq Aurel Hoxha të manipulojë hetimin e vrasjes së Klevis Lleshajt

“Do t’i bie dhe shefit të Krimeve”/ Aurel Hoxha po planifikonte një vrasje në burg, a është Arben Lleshi?

Si dhe pjesa e një nofulle të poshtme si ato të kafkave të qenieve humane, në të cilën janë vënë re prania e dhëmbëve fundorë të pjekurisë. Po kështu 3 metra mbi rrethimin e ullishtes u fiksuan një palë pantallona të shkurtra si ato sportive me mbishkrimin ‘Nike’ si edhe një fëshfëshe e padëmtuar. Ndërsa në distancën 12 metra u fiksuan një palë mbathje.

Sipas përshkrimit të vendngjarjes, pozicioni ku u gjet trupi tashmë i dekompozuar ndodhej brenda rrethimit me rrjetë të ullishtes. Në pikën më të ulët të pritës dhe kodrës.

Por, Klevis Lleshi u pa për herë të fundit atë pasdite gushti teksa qëndronte me shoqërinë e tij në një nga lokalet, pranë zonës ku banonte. Që nga ai moment ai u zhduk sikur njëherësh ta kishte përpirë dheu.

Pa lënë asnjë njoftim, qoftë edhe për të lajmëruar nënën e tij, e fundit që kishte kontaktuar me të, gjatë orëve të paradites të po asaj dite, të datës 5 Gusht të vitit 2020.

Nëna, e cila duke ditur problematikat e të birit që ndërkohë rrinte i fshehur pasi ishte shpallur në kërkim nga policia, por edhe të familjes së tyre që ishte në hasmëri të gjatë me një tjetër fis në zonë, ishte gjithmonë në merakun se të birit do t’i ndodhte diçka e keqe.

Ashtu sikur në fakt edhe ndodhi.

Ajo së cilës nëna e Klevis Lleshit i druhej më së shumti. E keqja e paralajmëruar që do të përndiqte dhe djalin e saj, i cili pas zhdukjes së papritur, vetëm disa muaj më pas trupi i tij do të gjendej i groposur, i vrarë me një armë zjarri në një ullishte.

Fare pranë zonës ku banonte. Një krim tronditës, ku vrasësit do të duheshin 5 vite të gjata për t’u zbuluar. Të cilët në fakt nuk ishin edhe aq të panjohur me viktimën, apo krimi nuk ishte aq i sofistikuar sa të krijonte kaq shumë vështirësi gjatë hetimeve për zbulimin e tij.

Po ku edhe këtë herë policia dhe drejtësia kishin dështuar në mënyrën më të paprecedentë për të gjetur dhe vënë në kohë përpara përgjegjësisë autorët. Por ajo që familja Lleshi uroi të mos ishte e tillë do të konfirmohej në vazhdim.

Eshtrat të cilat u gjendën fare pranë përroit, ku më herët kishte pasur një përmbytje, rezultuan të ishin pikërisht të familjarit të tyre të zhdukur. Kjo e konfirmuar edhe nga analiza e ADN-së, e cila u përputh plotësisht me ato të nënës së Klevis Lleshit.

E cila nga ana e saj nuk kishte asnjë dyshim se i biri kishte pasur të njëjtin fat sikundër edhe babai i tij apo edhe të afërm të tjerë të familjes Lleshi, të cilët ose ishin vrarë ose ishin zhdukur në rrethana të paqarta.

Nga ekspertimi biologjik është konkluduar se nga krahasimi i profilit gjenetik të përfituar nga një dhëmballë e mbetjeve kockore, paraqet lidhje gjenetike bir e nënë, me profilin gjenetik të shtetases Fatbardha Lleshi. Por nëna e Klevis Lleshit dhe të afërm të tij, nuk pritën që të gjendeshin eshtrat, për të filluar kërkimet se kush ishin vrasësit e njeriut të tyre të dashur. Ata i nisën hetimet e tyre që ditën që Klevisi u zhduk.

Duke u ndalur fillimisht te vendi ku ai kishte qëndruar për herë të fundit dhe te personat me të cilët ai ishte shoqëruar atë ditë. Aty ku gjetjet e tyre do të çonin edhe te ngritja e gishtit të akuzës ndaj hasmit të tyre, familjes Hoxha. Si të interesuar direkt në zhdukjen e Klevisit.

DYSHIMET E NËNËS SË VIKTIMËS

Fatbardha Lleshi, nëna e 23-vjeçarit të vrarë Klevis Lleshi në dëshminë e dhënë dyshonte se vrasja e Klevis Lleshit, mund të ishte bërë për gjakmarrje.

Kjo pasi prej disa vitesh familja Lleshi ishte në një konflikt të hapur me familjen e Ali Hoxhës, nga fshati Shtjefën i Matit, që ishte me banim në Mamurras. Një hasmëri e gjatë, e cila kishte nisur fillimisht në Britaninë e Madhe dhe që më pas saga e vrasjeve kishte mbërritur deri në Burrel.

Në vitin 2012, Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit ka vrarë në Angli shokun e tij Agim Ali Hoxha i cili është gjetur i shkrumbuar në makinë. Një vit më pas, në vitin 2013 ai që vritet është Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Dhe pas tij në vitin 2017 vëllai i tij dhe xhaxhai i Klevisit, Hajredin Lleshi.

Ndërkohë që po këtë vit rezulton i zhdukur në Kamëz, në rrethana ende të paditura, djali i Hajredinit, Artan Lleshi. Të gjitha këto ngjarje pa autor. Do të ishin pikërisht këto vrasje dhe hasmëria me familjen Hoxha, të cilat do të sillnin edhe reagimin e parë të nënës së Klevis Lleshit e cila menjëherë pas zhdukjes së të birit, ngriti gishtin e akuzës ndaj familjes Hoxha.

Fatbardha, nëna e Klevis Lleshit, dha dhe dëshminë e saj për zhdukjen e të birit, si dhe mbi personat e fundit me të cilët Klevisi ishte shoqëruar atë ditë, hetime të cilat në atë kohë u nisën nga Prokuroria e Kurbinit.

Lleshi tha se i biri ishte në kërkim pas një konflikti që kishte me shtetasin Maringlen Hoti. Dhe për këtë arsye ai këtë kohë qëndronte i fshehur. Por edhe pse qëndronte i fshehur, ai nuk i kishte shkëputur marrëdhëniet me nënën e tij.

Me të cilën komunikonte vazhdimisht nëpërmjet ëhats app. Ashtu sikurse kishte biseduar edhe atë ditë, ku biseda e tyre e fundit kishte qenë rreth orës 12.00.

“Klevisi ka qenë në kërkim nga policia për shkak të një konflikti që kishte me shtetasin Maringlen Hoti. Për këtë arsye ai qëndronte i fshehur. Hera e fundit që fola me të ishte me datë 5 Gusht 2020 rreth orës 12.00 nëpërmjet whats app”, ka deklaruar Fatbardha Lleshi.

Por nëna e Klevis Lleshit duket se kishte informacione të sakta lidhur mbi personat me të cilët djali i saj ishte parë për herë të fundit në të gjallë.

Një nga këta emra që ajo përmendi ishte edhe Sabah Nuzi i thirrur ndryshe si Sabi. Një personazh me rekorde të shumta penale në zonë. Dëshmi të cilat ajo dhe të afërmit e saj i kishin marrë në rrugë operative.

Aty ku kishin mësuar po kështu se Maringlen Hoti, personi me të cilin Klevisi ishte konfliktuar dhe qëndronte i fshehur pas shpalljes në kërkim nga policia, ishte shprehur në shoqërinë e tij se Klevisin e kishte parë pasditen e datës 5 gusht në dalje të tunelit të Shkopetit në shoqërinë e Sabah Nuzit, jashtë një makine, duke pirë të dy cigare. dub

Por duke qenë se Maringleni ishte në konflikt me Klevisin dhe ishte i interesuar të dinte vendndodhjen e tij, ai mësohet se ishte kthyer sërish me makinë në vendin ku e kishte parë për herë të fundit atë në shoqërinë e Sabah Nuzit.

Por me t’u kthyer në hyrje të tunelit të Shkopetit, kishte konstatuar që automjeti i këtij të fundit nuk ishte në njëjtin vend. Por kishte lëvizur te një shtëpi e braktisur.

“Ajo që dua të deklaroj është se në lidhje me zhdukjen e djalit tim Klevisit unë kam dyshime të forta te shtetasi Sabah Nuzi. Si dhe te personat e tjerë, që atë ditë kanë qenë në praninë e tij.

Po kështu ne kemi mësuar se Maringlen Hoti është shprehur në rrethin e tij shoqëror se më datë 5 Gusht 2020, rreth orës 16.00, pasi ka kaluar tunelin e Shkopetit, ai ka parë makinën e Sabah Nuzit të parkuar në cep të rrugës dhe vetë Sabahun që ishte jashtë makinës duke pirë cigare me Klevisin.

Dhe se ai Maringleni ishte kthyer sërish te i njëjti vend, por makina kishte lëvizur te një shtëpi e braktisur. Ndërkohë që A. D më ka thënë që ditën e zhdukjes së Klevisit, ai ka parë disa pamje filmike të kamerave të sigurisë në afërsi të lokaleve ‘Koliqi’ dhe ‘Ballabani’, ku kishte dalluar një automjet ‘Mercedes Benz’ me xhama të zinj, që rreth orës 14.40 të asaj dite kishte bërë xhiro aty dhe më pas ishte larguar”, mësohet të ketë thënë nëna e Klevis Lleshit.

Shoqërimin e Klevis Lleshit me Sabah Nuzin ditën e ngjarjes e konfirmuan edhe të tjerë dëshmitarë okularë që kishin qenë në praninë e tij.

Njëri prej tyre R. U, tha për oficerët e policisë se në të njëjtën ditë kur pretendohej se ishte zhdukur ai e kishte parë Klevisin në prani të Sabah Nuzit, në cep të lokalit ku po qëndronin, në shoqëri edhe të disa personave të tjerë. Më pas ata ishin larguar dhe Klevisi kishte mbetur në praninë e Sabah Nuzit dhe një personi tjetër që rrinte shtrirë në makinë.

“Më datë 5 Gusht 2020 unë kam qenë në lokalin ‘Koliqi’, dhe bashkë me mua në këmbë duke pirë cigare kanë qenë edhe tre persona të tjerë, si edhe Klevis Lleshi, Sabah Nuzi dhe një person që rrinte shtrirë në makinë që nuk ia di emrin. Pasi unë dhe tre personat e tjerë u ulëm në kafe, Klevisi vazhdoi të qëndronte jashtë lokalit me Sabahun dhe personin tjetër, duke biseduar me njëri-tjetrin.

Më tej unë nuk e di se ku shkuan Klevisi, Sabahu dhe personi tjetër. Unë qëndrova në lokal deri në orën 21.00 dhe më pas lëviza drejt Milotit dhe më tej drejt Tiranës”, ka deklaruar një nga dëshmitarët që e panë për herë të fundit Klevis Lleshin. U tha për oficerët e policisë gjyqësore se vetëm të nesërmen ai mësoi se Klevis Lleshi ishte zhdukur. Dhe këtë ia tha një shoku i tij.

Por dyshimet e nënës së Klevis Lleshit se Sabah Nuzi ishte personi që kishte dorë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e të birit, mbetën vetëm të tilla në atë kohë. Edhe pse i gjithë Burreli kur vinte fjala te zhdukja e Klevis Lleshit nuk ngurronte të përmendte emrin e tij, askush nuk kishte prova të mjaftueshme që të provonte bashkëpunimin e tij në krim.

Por ajo që do të përbënte një çudi më vete dhe që do të përkonte me gjetjen e eshtrave të Klevisit, ishte fakti se mbetjet e trupit të tij u gjetën të groposura në pronën e familjes Kolaveri që ishte lidhje gjaku me atë Hoxha që ishin hasmët e familjes Lleshi. Lidhje gjaku me familjen e Ali Hoxhës që i pranoi dhe vetë Edmond Kolaveri. Pronari i ullishtes në fshatin Shpërdhet në Mamurras, ku më datë 8 Dhjetor 2020, u gjetën mbetjet kockore.

“Ali Hoxha është bashkëshorti i hallës sime, dhe djemtë e tij i kam djem halle. Po kështu Ali Hoxha banon në të njëjtën lagje ku banoj edhe unë dhe i kemi shtëpitë ngjitur, në lagjen ‘Demokracia’, në Shpërdhet, Mamurras”, ka deklaruar në polici Kolaveri.

Por a ishte kjo një ngatërresë e qëllimshme nga ata që kishin kryer krimin, për ta groposur pikërisht trupin në tokën në pronësi të hasmit të tyre.Apo kjo ishte një mënyrë për t’u kujdesur që trupi të ruhej pikërisht në pronën e tyre me qëllim që të mos gjendej asnjëherë nga familjarët e viktimës dhe policia.

E vërteta është që Edmond Kolaveri duket se nuk ishte i informuar për këtë fakt. Në të kundërt ai nuk kishte pse të kallëzonte në polici gjetjen e eshtrave të një personi që ishte në hasmëri dhe mund të implikonte familjen e tij.

BISEDA NË SKY ECC

Por për të zbuluar të gjithë mekanizmin dhe autorët e këtij krimi makabër do të duhet të kalonin shumë kohë. Madje vite, derisa në lojë u futën bisedat në Sky Ecc.

Ku ashtu si në shumë raste të ngjashme, vrasësit u kishin besuar të gjitha krimet e tyre. Siç në fakt kishin bërë edhe porositësi, autori dhe ndërmjetësi në zhdukjen e Klevis Lleshit.

Biseda tronditëse të cilat jo vetëm zbuluan grupin por edhe mendësinë kriminale me të cilën ata vepronin. Gjë që shihet qartë edhe te bisedat në Sky Ecc të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’. Materiale të vëna në dispozicion për SPAK nga nga autoritetet ligjzbatuese në Francë.

Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar përgjimet në SkyEcc të Aurel Hoxhës, i cili nga biseda është porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit në gusht të vitit 2020.

Nga bisedat e zbardhura, shihet se ai ishte më aktivi në të gjitha bisedat në vazhdim që përkojnë edhe pas zhdukjes dhe gjetjes së trupit të Klevis Lleshit.

Kolaveri është vëllai i Agim Hoxhës, i vrarë dhe i gjetur i djegur në një makinë në Britaninë e Madhe në vitin 2013 nga Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit.

Sipas emisionit “Në Shënjestër”, Aurel Hoxha më datë 25 korrik 2020 mban fillimisht kontakte në Sky Ecc me një personazh shumë të njohur të krimit, Hektor Xheçukaj i njohur si Tori Xheçukaj të cilit i kërkon një sasi të madhe parash, me qëllim që tja japë kushëririt të tij, Saimir Kolaveri, që ndërkohë ndodhet me qëndrim në Gjermani.

“Vëlla a s’të dha gjë ai dibrani? Më duhet të plotësoj 50 mijë euro për atë të Sajmirit. 25 po ia marr njërit në Angli dhe 25 të na i kishte dhënë ky. Nuk na bie më ky rast. Jam gati të shes dhe gjakun dhe të mos e lej këtë punë për para”, mësohet të ketë thënë Aurel Hoxha.

Nga sa kuptohet edhe nga bisedat Hoxha ka marrë garanci për të mbyllur një punë dhe po kërkon të nxitojë. Fillimisht në komunikimet e tij ai nuk flet se për çfarë pune bëhet fjalë. Por ajo që vihet re është se Saimiri, që rezulton se është kushëriri i Aurelit, jo vetëm i kërkon 50 mijë euro për mbarimin e punës, por gjithashhtu i kërkon nga ana e tij që t’i mbarojë edhe një punë jashtë Shqipërisë.

Punë e cila mesa duket konkretizohet më datë 5 Gusht. Ndërkohë që Aurel Hoxha, merr masat që të largohet më herët nga Shqipëria, për të shmangur çdo implikim të tij me zhdukjen e Klevis Lleshit. Ku siç shikohet edhe nga bisedat në Sky Ecc më datë 2 Gusht ai informon Tori Xheçukën se është larguar në Turqi. Gjë që konfirmohet edhe nga sistemi TIMS.

Ndërkohë që lajmi që ai priste prej shumë kohësh dhe ku kishte hedhur shumë para, mbërriti më datë 5 Gusht.   Ku i paduruar në orën 15.30 të kësaj date ai i dërgon një personi të paidentifikuar nëpërmjet aplikacionit Sky Ecc, foton e një personi në dukje të shtrirë në tokë.  Me siguri i vrarë, trupi i të cilit ishte fshehur në bimësinë e zonës.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020 – Ora 15:40

Aurel Hoxha i dërgon një personi të paidentifikuar foton e një personi të shtrirë, pjesërisht të futur në një ambient me bimësi. Ku në vazhdim i thotë se janë vrarë 4 persona nga e njëjta familje dhe derisa t’i vrasë të gjithë burrat e kësaj familje, nuk do të ndalet.

“Një gënjeshtar më pak vëlla. Janë tashmë katër nga e njëjta familje, dhe deri sa t’i vras të gjithë burrat e tyre, nuk do të ndalem.’

Vetëm një orë më pas të njëjtën foto në dukje të një personit të vrarë Aurel Hoxha, ia kalon edhe një personi tjetër të paidentifikuar. Duke i shprehur të gjithë ekzaltimin e tij lidhur mbi vrasjen.

Ndërkohë që ajo lihet të kuptohet nga biseda është se bashkëbiseduesi ka dijeni për personin në foto. Kjo pasi duhet ta ketë njohur nga pranë. Dhe se Aurel Hoxha nuk ka nevojë t’i tregojë atij emrin e personit që qëndron i shtrirë në tokë. Çka lë të kuptohet që bashkëbiseduesi ka dijeni për planin e Aurel Hoxhës për të vrarë Klevis Lleshin.

Bisedat Sky Ecc

5 gusht 2020 – Ora 17:10

‘Ça bëre ti vëlla. Si kalove?

E di që të bëhet qejfi, prandaj po ta çoj këtë foto. Deri tani shyqyr, mashallah. Unë të drejtën time po kërkoj. Zoti para dhe ne mbrapa…’

Po në të njëjtën ditë pasi ka biseduar fillimisht më dy personat e paidentifikuar, Aurel Hoxha bisedon po kështu me Tori Xheçukën.

Ku këtu për herë të parë identifikon edhe personin e vrarë në foto. Aurel Hoxha që i thotë Tori Xheçukaj, se personi në foto është djali i Xhavitit. Duke iu referuar kësisoj Klevis Lleshit. Ndërkohë që të gjitha këto biseda zhvillohen gjatë kohës kur familja e Klevisit nuk e dinte ende që djali i tyre është zhdukur.

Kjo pasi këto komunikime ndodhin vetëm një orë nga koha e vrasjes së tij. Dhe fotoja mesa kuptohet është dërguar nga vrasësi i tij si një dëshmi e punës së kryer me sukses.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020 – Ora 17:08

Aurel Hoxha bisedon me Tori Xheçukën. Ai i dërgon atij foton e një personi të shtrirë në tokë, duke i thënë se është djali i Xhavitit.

Hoxha e informon Xheçukën se ai vetë ka ikur në Stamboll dhe se vrasjen nuk e ka bërë ai, por e ka bërë kushëriri i Saimirit. Vrasës të cilit ai i drejrohet me emrin Sabi.

‘Iku dhe një vëlla. Hahaha. Djali i Xhavitit. Ti marr pushimet njëherë vëlla. Edhe vetë ika në Stamboll.”

Ky është pikërisht edhe momenti kur Aurel Hoxha jep dhe detajet e para se si ishte kryer vrasja e Klevis Lleshit. Ku fillimisht ai thotë se kishin menduar ta vrisnin te pallati i tij, por më pas ishin tërhequr nga ky mendim.

Pasi kishin frikë se plani do të dekonspirohej. Për këtë arsye po sipas tij vrasësi e kishte marrë Klevisin në makinë, dhe po aty e kishte qëlluar. Vrasës që deri në këtë moment njihej me emrin e shkurtuar Sabi dhe që është kushëri me Saimirin. Personi që i kërkonte 50 mijë euro për të mbaruar punën. Saimiri që po kështu është kushëri nga ana e babait me Aurel Hoxhën.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020

Aurel Hoxha vazhdon bisedën me Tori Xheçukën.

“Nuk e bëra vetë. E bëri ai kushoja i Sajmirit. Se e patën lënë ta bëjmë te pallati, po u merrte vesh. Po ky e paska marrë në makinë dhe e paska mbaruar atë punë. Ai i vogli. Po ai Sabi.”

Sipas të dhënave të siguruara nga sistemi TIMS, Aurel Hoxha del se u kthye në Shqipëri nga Stambolli nëpërmjet pikës së Rinasit, më datë 7 Gusht, vetëm 2 ditë pasi Klevis Lleshi ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij.

Teksa ai vazhdon të jetë i papërmbajtur në gëzimin e tij. Gjë që ai e shpreh edhe në bisedat me të tjerë persona të paidentifkuar, por që mesa duket janë pjesë e rrethit të tij të ngushtë shoqëror. Ashtu si në këtë bisedë.

Biseda Sky Ecc

‘Festë e gëzim paç gjithë jetën shok’. ‘Po e di se ty të bëhet qejfi, prandaj ta çova edhe atë kurvën. Ja u q.. rracën, ça kanë kërkuar kanë gjetur.’

PLANI PËR TË KRYER VRASJE NË BURG

Aurel Hoxha, porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit, po planifikonte të kryente dhe një vrasje brenda burgut, dhe për këtë kishte menduar të përfshinte Agim Pepën, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gani Malushit në vitin 2003. Por pa deklaruar se kush ishte objektivi që po kërkonte të vriste në burg.

“Në Shënjestër” publikoi bisedat e zbardhura nga aplikacioni SkyEcc ku Aurel Hoxha bisedon me Saimir Kolaverin, kushëririn e tij i cili i shkruan që një person me emrin Gysi kërkon të takojë kushon dhe dëshiron të flasë për të mbaruar punë me ato dy kur…në burg.

Saimiri në vazhdim e pyet nëse kishin ndonjë gjë të sigurtë dhe i shkruan se njohin njerëz nëpër burgje, por nuk e bën dot njeri. Saimiri i thotë Aurelit duke e pyetur se çfarë të bën Agim Pepa.

Bisedat Sky Ecc

‘Ça të bën Agim Pepa si thua ti’. ‘Me i thënë atij dhe ai mbaron punë’. ‘Mos shiko ëndrra me sy hapur. Se kemi këta jashtë njëherë.

Nga bisedat dyshohet se i referohen të burgosurit Agim Pepa, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shtetasit Gani Malushi në vitin 2003. Nga sa kuptohet, Aurel Hoxha po kërkon të kontaktojë një person me burgim të përjetshëm me qëllim kryerjen e vrasjeve brenda burgut ku rezulton që personi me të cilin ka konflikt është shtetasi Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit, i cili është duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit.

Saimir Kolaveri i shkruan Aurel Hoxhës në vazhdim që të rrijë i qetë dhe të mos shikojë ëndrra me sy hapur.  Sepse kanë personat jashtë njëherë.

‘Gysi më tha a mund ta takoj kushon pak. Se çfarë më ngatërron për në burg. Po fol vetë më mirë. mbaro ato dy kurvat njëherë më dëgjon’

Por ndërkohë që bëjnë plane për të kryer ekzekutime brenda burgjeve në lajme tashmë është publikuar zhdukja e Klevis Lleshit.  Lajm i cili krahas gëzimit të natyrshëm sjell edhe problemet e para.  Pasi komentues të ndryshëm kanë filluar të shkruajnë në lidhje me Sabah Nuzin.

Ndërsa ky i fundit i tërbuar ka shkuar të kërcënojë me kallashnikov të gjithë personat të cilët atë ditë të zhdukjes së Klevisit ishin në prani të tij në lokal ‘Koliqi’. Gjë që shqetëson pa masë edhe vetë Saimirin dhe Aurelin.

Bisedat Sky Ecc

Saimiri i shkruan Aurelit se po flet me Sabahun, pasi ky i fundit u ka shkuar me kallash në dorë te lokal ‘Koliqi’, personave që kanë folur për të në lidhje me zhdukjen e Klevis Lleshit.

Saimiri i ka thënë Sabahut që: ‘mos u shqetëso fare se na ke ne mbrapa për çdo gjë.’ ‘Ka shkuar me kallash te lokali. I thashë për çdo gjë na ke ne, mos të të hajë k…. Kush të flasi i thuaj të shkrij, atyre shokëve të atij që kanë ndejtur me atë.’

Por një tjetër problem është një nga dajat e Klevs Lleshit. i cili ka nisur të kontrollojë kamerat në zonën ku ka lëvizur Klevisi. Gjë që alarmon porositësin dhe vrasësin e nipit të tij. Të cilët vihen në lëvizje t’i mbyllin gojën, duke kërkuar që ta trembin.

Bisedat Sky Ecc

15 Gusht 2020

Aurel Hoxha bisedon me Sabah Nuzin me pseudonimi ‘Alo’. Sabahu i thotë që e kanë thirrur ‘dajat’, duke iu referuar policisë. Ku ai u ka thënë që ka qenë në kërkim dhe nuk di asgjë për të. Ai tregon që daja i Klevis Lleshit, Qemal Dedja është duke e kërkuar sepse po kontrollon kamerat.

Sabah Nuzi shprehet se sapo t’i dalë rasti do ta dëmtojë dhe Qemalin për shkak se po interesohet se çfarë i ka ndodhur Klevisit.

‘Si të kam vëlla? Ja sa e hapa telefonin.

Më patën thirr edhe ‘dajat’. Po i thashë ai ka qenë në kërkim. S’di asgjë për të.

Daja i tij ka ecur duke kërkuar kamera. Po shpenzon për ta gjetur. Por do ta gjej unë atë. Po nuk kam pasur kohë.

Po vëlla Qemal Dedja.’

Aq i nxehur është Sabah Nuzi me personat që kanë nisur të përflasin emrin e tij, sa ai ka vendosur t’i vrasë të gjithë.

Gjë për të cilën ai i kërkon Aurel Hoxhës dhe një makinë të vjedhur pasi ka identifikuar sipas tij një komentues në rrjete sociale. i cili ka komentuar me anë të një adrese false në lidhje me vrasjen e Klevis Llëshit. Ku është shprehur se autori është Sabah Nuzi

Bisedat Sky Ecc

18 Gusht 2020

Sabah Nuzi bisedon me Aurel Hoxhën: ‘Vëlla kam nevojë për një makinë të vjedhur. Më ndihmo se kam diçka për të mbaruar.

E kanë dhënë lajmet dhe u fut në koment një djalë. Ka thënë e ka bërë Sabah Nuzi. Por thashë të mbaroj punë me të. Është pikërisht ky momenti kur Sabah Nuzi në bisedë me Aurel Hoxhën nxjerr në pah edhe mënyrën se si e ka kryer vrasjen e Klevis Lleshit.

Dhe çfarë ka ndodhur me makinën që ai ka përdorur në krim. Që duket se kanë qenë dy të tilla. Sabi i thotë se automjetin tip BMW e ka djegur pasi ishte mbushur me gjak.

Gjithashtu në këtë bisedë ai bën me dije se edhe mjetit tip ‘Seat’ do t’i ndërrojë tapicerinë dhe do ta lyejë. Çka lë të kuptohet se edhe ‘Seat-in’ mund ta ketë patur me vete në momentin e vrasjes ose në transportimin e trupit të viktimës. Ndërkohë që tashmë probleme ka edhe me shefin e krimeve në Burrel që po kërkon prova për implikimin e tij në zhdukjen e Klevis Lleshit.

Bisedat Sky Ecc

Sabah Nuzi bisedon me Aurel Hoxhën Ai i thotë Aurelit se do të heqë sikletin e makinës mos ka mbetur ndonjë pikë ose ndonjë gjë.

‘O vëlla BMW-në e kam djegur se ishte bërë lumë me gjak. Dhe nuk ia çova më atij çunit. Kurse ‘Seat-it’ ia kam ndërruar sediljet mbrapa.

O tu më ik truri. Por do vi, do t’i bie edhe shefit të Krimeve se ma ka nxirë jetën. Ti bi edhe atij që ka bërë koment.’

Por ndërsa është i nxehur me të gjithë, Sabah Nuzi, kujdeset në njërën anë që të krijojë bindjen në opinionin publik se Klevis Lleshi nuk është zhdukur.

Por ka ikur në Greqi. Dhe se për herë të fundit është parë në Sarandë. Për këtë ai i ka mbushur mendjen edhe dy djemve në Burrel që të përhapin fjalë sikur Klevisin e kanë parë në Sarandë këto ditë.

Ndërkohë që Saimir Kolaveri i shkruan Sabahut që të rrijë mirë dhe të mos merret me komentuesit. Dhe të mos bëjë marrëzira, pasi kjo do t’i zbulonte të gjithë.

Bisedat Sky Ecc

Sabah Nuzi bisedon me Aurel Hoxhën

‘U mësova unë duke u marrë më policinë. Që 10 vjeç kanë dashur këta të më fusin në burg, por nuk i lejonte ligji’

Gjaknxehtësia e Sabahut po shqetëson edhe Saimirin ndërkohë.

Që nga ana e tij i lutet Aurelit që të flasë me Sabahun dhe ta qetësojë. Ndryshe do u prishë shumë punë.

Bisedat Sky Ecc

Sabah Nuzi del se ka sharë shefin e krimeve në Burrel. Aurel Hoxha bisedon me Saimir Kolaverin.

‘Kusho, a je t’u fol njëherë më atë kushon ti.’ Saimiri i tregon po ashtu që Sabahu konsumon lëndë narkotike dhe është shumë gjaknxehtë dhe se po shikon mundësinë ta largojë nga Shqipëria dhe ta dërgojë në vendin ku ai rri vetë.

‘Vëlla, i kam fol, po ky kusho më duket se pi mall shumë dhe është çakmak. Me kismet ta kisha marrë këndej, ia tregoj unë mallin atij pastaj. Qyteti i Burrelit ka nisur të vlojë dhe të përflasë madje dhe hapur emrin e personit që mund të ketë gisht në zhdukjen e Klevis Lleshit.

Gjë që tmerron si atë vetë por edhe Aurel Hoxhën si porositës të zhdukjes dhe më pas vrasjes. Lajmi se emri i vrasësit të mundshëm është zbuluar ka shkuar deri në Gjermani ku qëndron Saimir Kolaveri.

Që është edhe ndërmjetësi në zhdukjen e Klevis Lleshit. i cili informon Aurel Hoxhën se e kanë marrë nga Burreli dhe i kanë rrëfyer se aty dyshojnë se zhdukjen e ka bërë Sabah Nuzi. Pikërisht personi të cilit Aurel Hoxha i referohet si Sabi.

Kjo pasi ai ka qenë personi i fundit që është shoqëruar me Klevisin me datë 5 Gusht. Edhe pse Saimiri, siç thotë edhe në bisedën me Aurelin, e ka mohuar këtë gjë te telefonuesi i tij, duke u shprehur se kushëriri i tij, në këtë rast Sabahu, nuk ka punë me Klevisin.

Saimiri i thotë Aurelit që të gjithë dyshojnë te kushëriri i tij, Sabah Nuzi. Kjo sepse ai ka qenë duke pirë një natë më parë me Klevisin, por nuk kanë asgjë për të dhe nuk e akuzojnë dot drejtpërdrejt. Saimiri e pyet Aurelin nëse kishte komunikuar me Sabah Nuzin dhe nëse e kishte marrë në telefon, sepse ai vetë nuk ka folur dot më të. Saimiri e këshillon Aurelin që të rrijë andej jashtë dhe të mos mërzitet.

‘Më thanë që mendojnë se e ka hequr ai kushoja yt sepse ai ka qenë një natë më përpara duke pirë. Thashë se nuk di gjë për atë punë. S’ka pas punë kushëriri im me atë punë.’ Në një tjetër bisedë Saimir Kolaveri i tregon Aurel Hoxhës që të presin sa të qetësohet situata.

Sepse ka akoma që besojnë që Klevis Lleshi është gjallë. Ndërsa gjatë bisedave del se natën para zhdukjes së Klevis Lleshit, Sabah Nuzi ka qenë duke pirë me Tori Xheçukaj. Plani i tyre është që pas disa kohësh ata t’i dërgojnë familjes së Klevisi t një letër me anë të një personi me emrin Papi, ku t’u tregojnë për fatin e vërtetë të Klevisit.

Ndërkohë që ata njëkohësisht po mendojnë t’u bëjnë presion edhe dajave të Klevisit me qëllim që ata të mbyllin gojën dhe të mos vazhdojnë më kërkimet për nipin e tyre. Ndryshe do të kenë të njëjtin fat të zi si ai, por edhe si të gjithë pjesëtarët e tjerë të famuljes Lleshi që kanë mbetur të vrarë. Saimir Kolaveri i shkruan Aurel Hoxhës

‘Është ai daja i vetë kusho. Po ndonjë fjalë po ja çojmë, po jo tani, por më vonë. Edhe po i themi si shumë po fol, se të erdhi radha. Kaq dhe ai e bën në brekë. Po çoje Papin njëherë andej sipër kusho, mos merr vesh ndonjë gjë.’

Gjatë bisedës Saimir Kolaveri i thotë Aurelit se ka folur ndërkohë më Sabah Nuzin. I cili është nga personat e parë që është thirrur në polici lidhur mbi zhdukjen e Klevis Lleshit.

Bisedat Sky Ecc

Saimir Kolaveri bisedon me Aurel Hoxhën

‘Sa më shkruajti ai kusho i Burrelit. E paska pyetur shteti se ku mund të ketë shkuar Klevisi. Ai i paska thënë që as nuk di gjë fare për këtë punë. Dhe e ka fik fare Sky Ecc.’

Por i shqetësuar për fjalët që po qarkullojnë në Burrel dhe më andej, duket se është edhe Tori Xheçukaj. I cili në një bisedë me Aurel Hoxhën, i trembur thotë se në Burrel kanë dalë fjalë që ai ka gisht në zhdukjen e Klevis Lleshit.

Gjë që sipas tij e përmendin edhe dajat e Klevisit me mbiemër Dedja. Madje Tori Xheçukaj po planifikon që t’i çojë edhe fjalë dajave të Klevisit që nuk ka lidhje me humbjen e nipit të tyre. Ndërkohë që Tori Xheçukaj ka probleme edhe me Sabahun që në gjendje të pirë ka nisur të përflasë emrin e tij.

Bisedat Sky Ecc

Tori Xheçuka: Se di vetëm më tha vëllai mbrëmë, kanë dalë llafe për ty, nga dajat e tij, për një që ka humbur në Burrel.

Unë s’kam fol me asnjë. S’kam lidhje, ropt në p… kush ka thënë

Se di vetëm më tha vëllai mbrëmë, kanë dalë llafe për ty, nga dajat e tij, për një që ka humbur në Burrel.

Ai Sabahu po bën shumë gabime. Ka përmendur edhe emrin tim, kur është i pirë’ Por po kaq i trembur është edhe vetë Sabah Nuzi.

Për të cilin përflitet lart e poshtë në Burrel si personi kryesor që ka lidhje me zhdukjen e Klevisit. I cili nga ana e tij komunikon vazhdimisht me Saimirin në Gjermani. Ndërkohë që nga ana e tij Aureli i thotë Saimirit që të qetësojë Sabin, duke i thënë se do të kujdesen ata për të.

Bisedat Sky Ecc

‘Shife vetë kusho. Vetëm thuaj pa merak se nuk e lejmë ne në rrugë. Mos ti hajë k… fare thuaj. Se më vjen keq shumë për të. Se e ka bërë si burrat. Mirë kusho atij t’i japim kurajo.

/Emisioni “Në Shënjestër”

Etiketa: Aurel HoxhaKlevis Lleshirrembimivrasja

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Përgënjeshtrime dhe kërcënime, si u përpoq Aurel Hoxha të manipulojë hetimin e vrasjes së Klevis Lleshajt

21:55 : 21/10/2025
AKTUALITET

“Do t’i bie dhe shefit të Krimeve”/ Aurel Hoxha po planifikonte një vrasje në burg, a është Arben Lleshi?

21:24 : 21/10/2025
Viktima
AKTUALITET

Vrau Klevis Lleshin me porosi të Aurel Hoxhës, Apeli i GJKKO lë në burg Sabah Nuzin

11:10 : 21/10/2025
AKTUALITET

Dyshohet se urdhëroi atentatin ndaj gazetarit Ranucci, publikohet FOTO e Altin Sinomatit

18:22 : 20/10/2025
AKTUALITET

“Pashë motrën në makinën e tij”/ Si Arjon Hasaj futi në “kurth” Ramazan Matajn: Pagova një vajzë rome

13:06 : 18/10/2025
AKTUALITET

Vrau biznesmenin italian/ Kamber Sulçaj “kyç gojën”, gjykata e le në burg, akuzohet dhe për drogë

11:16 : 18/10/2025
Para

Arrestohen dy shqiptarë në Itali, njëri tenton t’u arratiset policëve dhe i plagos

TË GJITHA

Horoskopi e mërkurë, 22 Tetor 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

23:00 : 21/10/2025

Spanja kërkon t’i japë fund ndryshimit të orës në BE

22:55 : 21/10/2025

Serbia gati të testojë vaksinën ruse kundër kancerit

22:45 : 21/10/2025

Britania dërgon trupa në Izrael për monitorimin e armëpushimit në Gaza

22:39 : 21/10/2025

Këlliçi: Brenda dy ditësh pritet raporti përfundimtar i ODIHR, është më i rëndë se ai paraprak

22:26 : 21/10/2025

Zbulohet varr masiv në Siri, shumica e viktimave gra dhe fëmijë

22:25 : 21/10/2025

Cilët janë dy librat që Sarkozy mori me vete në qelinë “VIP”, ja simbolika e tyre

22:13 : 21/10/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com