Mbrëmjen e së shtunës (18 tetor), avokati Ulian Barjami u arrestua pas një përplasjeje verbale të ndodhur gjatë një seance gjyqësore.
Ngjarja ka ndodhur gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë për klientin e tij, Maksim Lika (i njohur si “Suci”), i arrestuar kohët e fundit në kuadër të një operacioni policor në Elbasan.
Avokati Barjami ka deklaruar në sallë se do të kallëzonte penalisht prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore, pasi sipas tij, kishte konstatuar “manipulim provash” kundër klientit të tij.
Ky moment ka shkaktuar tensione në sallë. Në një video të publikuar nga avokati Arben Llangozi, dëgjohet prokurori Gjergji Ceka të reagojë ashpër duke thënë: “Avokati duhet arrestuar”.
Audio e plotë:
Më pas ndërhyri gjyqtarja Megi Strakosha, e cila paralajmëroi avokatin për gjuhën e përdorur në sallë.
“Nuk funksionohet me kërcënime në sallën e gjyqit. Përqendrohu te mbrojtja e klientit tënd, përndryshe do të caktoj një avokat tjetër kryesisht”, dëgjohet të thotë gjyqtarja Strakosha në regjistrimin audio të publikuar.
Dhoma e Avokatisë e cilëson ngjarjen si një precedent të rrezikshëm për fjalën e lirë dhe ushtrimin e profesionit të avokatit në mbrojtje të ligjit.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë:
Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Ngjarja ka ngjallur debate në opinionin publik dhe në radhët e komunitetit ligjor.
Vetë Prokuroria e Elbasanit kishte shpërndarë për mediat një audio të prerë, për të manipuluar opinionin publik dhe ligjitimuar arrestimin e avokatit, Ulian Barjami.
Audio e shpërndarë nga Prokuroria e Elbasanit:
Por në audion e plotë e publikuar nga avokati Arben Llangozi duket qartë se nuk ka kërcënim.
Avokati Arben Llangozi shprehet në një reagim se Uljan Bajrami ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë.
Reagimi i plotë i Arben Llangozit:
Uljan Barjami, Avokati që po paguan çmimin e ndershmërisë në një sistem të kalbur
Arrestimi i avokatit Uljan Barjami është një nga ngjarjet më tronditëse që ka goditur drejtësinë shqiptare në vitet e fundit. Është po aq i rëndë sa vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, sepse në të dy rastet është goditur në zemër vetë drejtësia. Njëri u vra fizikisht, tjetri po “vritet” për së gjalli nga një sistem që nuk duron dot zërin e ndershëm dhe kritik ndaj manipulimit.
Ajo që po ndodh me Uljanin është pasqyra më e qartë e një realiteti të frikshëm, kur ligji përdoret si armë kundër atyre që e mbrojnë, atëherë shteti ka dështuar. Oficerë, prokurorë dhe gjyqtarë që bashkëpunojnë për të manipuluar prova, që krijojnë akuza të rreme dhe mbulojnë të vërtetën, janë shndërruar në një zinxhir të njëjtë korrupsioni. Ata nuk kërkojnë drejtësi, por pushtet. Nuk mbrojnë ligjin, por interesat e errëta që i komandojnë dhe veprimet e tyre kriminale.
Uljani nuk është një avokat i zakonshëm. Ai është një simbol i kurajos profesionale dhe njerëzore, një zë që flet aty ku të tjerët heshtin. Ai është hero i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj ligjit, një shembull i gjallë i asaj çfarë duhet të jetë avokatia, mburojë për të pafuqishmit, jo armë e pushtetit.
Sot, ai ndodhet përballë një sistemi që përpiqet ta shkatërrojë vetëm pse nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së pistë. Por rasti i tij nuk është vetëm i tij, është kauza e gjithë shoqërisë që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi të vërtetë. Nëse heshtim sot për Uljanin, nesër do të jetë dikush tjetër në vendin e tij.
Prandaj është koha të reagojmë. Të mos pranojmë më drejtësi të manipuluar, prokurorë që bëjnë pazare dhe gjyqtarë që marrin urdhra. Uljani është prova se ende ka njerëz që besojnë tek ligji, tek e vërteta dhe tek ndershmëria dhe për këtë arsye është i rrezikshëm për ata që ndërtojnë karrierën mbi mashtrimin.
Uljan Barjami nuk duhet të lihet vetëm. Kauza e tij është kauza e dinjitetit njerëzor, e besimit tek drejtësia dhe e shpresës se Shqipëria mund të ketë ende njerëz që nuk shiten.
Avokati Jordan Daci thotë se arrestimi i avokatit është një rrezik për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe dhënien e drejtësisë në vend.
Avokati ka bërë edhe thirrje për bojkot deri në lirimi të kolegut. Bojkoti sipas tij duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Reagimi i plotë i Jordan Dacit:
Arrestimi i Avokatit Bajrami përbën kulmin e çmendurisë së një sistemi që po refuzon në mënyrë të hapur mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe po shndërrohet në një rrezik real për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe vetë dhënien e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
Ky akt i paprecedentë nuk është thjesht një rast individual, por një sinjal i qartë i shkatërrimit të ekuilibrit ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, i cili është thelbësor për ekzistencën e një sistemi gjyqësor të drejtë, siç e kërkon neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Çdo fjalë është e tepërt: kjo është pikërisht ajo që ne, si profesionistë të ligjit, kemi paralajmëruar prej kohësh — një drejtësi e deformuar që, para se të miratohet i ashtuquajturi “projekt-Kodi Penal fashist”, po demonstron qartë tendencën autoritare dhe represive ndaj avokatisë dhe lirisë së mbrojtjes.
Në këto kushte, avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm dhe pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut tonë. Bojkoti duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Duhet kujtuar se çdo gjyqtar, prokuror apo zyrtar publik, në momentin kur bie ndesh me ligjin, do të ketë po ashtu nevojë për një avokat. Mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë.