Foshnja humbi jetën te “Koço Gliozheni”, Prokuroria merr të pandehur dy mjekë/ Detajet

Lexo edhe:

Prokuroria e Tiranës ka marrë nën hetim dy gjinekologë, Ervis Vata dhe Aida Hoxha, pasi një foshnjë humbi jetën gjatë lindjes, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.

Sipas organit të akuzës, mjekja që u kujdes në procesin e shtatëzanisë, si dhe mjeku roje i gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuar mbi procedimin penal nr.6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z. pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.

Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.

Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur”- njofton Prokuroria.

Lajme të lidhura

Para