Nisreen Al-Karki jeton prej tetëmbëdhjetë vitesh në Hebron me familjen e saj, mes një vendbanimi izraelit, një postblloku ushtarak dhe pikave të kontrollit që hapen e mbyllen në mënyrë arbitrare. Prej tetëmbëdhjetë vitesh, jeta e saj e përditshme është e mbushur me kontrolle, kufizime të lëvizjes dhe tensione me kolonët që jetojnë në qytet. Por prej dy vitesh, frika është bërë pjesë e përditshmërisë. Në fillim të tetorit, dy djemtë e saj më të vegjël, Mohammed dhe Abdul, 5 dhe 7 vjeç, u arrestuan nga ushtarët izraelitë në Qytetin e Vjetër, aty ku jetojnë.
Në një video të shpërndarë menjëherë pas ngjarjes nga disa banorë të zonës, duken dy fëmijët duke qarë, teksa mbahen për dore dhe tërhiqen me forcë nga ushtarët. Kur fëmijët u ndaluan, lajmi u përhap me shpejtësi dhe Nisreen doli me vrap në rrugë. Ajo rrëfen se u përpoq të arrinte te ta, por u shty mbrapsht.
“I pashë t’i largonin, pa mundur t’i përqafoja. Ishin afër portës duke parë çfarë po ndodhte. Janë fëmijë, janë kureshtarë. Po zhvillohej një bastisje ushtarake sepse ushtarët kishin hyrë sërish në zonë dhe papritur i ndaluan e i akuzuan për spiunazh. Dy fëmijë 5 dhe 7 vjeç, të akuzuar për spiunazh.”
Kur mbërriti në vendngjarje dhe pa djemtë e saj të rrethuar nga ushtarët, Nisreen u përpoq t’i afrohej djalit më të vogël, por një ushtar nuk e lejoi. Pas një ore, kur fëmijët nisën të bërtisnin e të qanin më fort, një grup ushtarësh i shoqëroi deri në banesë, e kontrolluan shtëpinë, fotografuan të gjithë anëtarët e familjes dhe tentuan të arrestonin vëllanë e madh. Ushtarët i kërcënuan gjithashtu se nëse fëmijët do të luanin përsëri pranë pikës së kontrollit, do të përballeshin me burg ose gjobë.
Që atëherë, tregon Nisreen, jeta e tyre ka ndryshuar plotësisht.
“Kanë frikë të flenë vetëm, zgjohen duke bërtitur, fshihen sapo dëgjojnë makinat ushtarake. I madhi ka ndaluar së shkuari në shkollë. Thotë se nuk do të dalë më nga shtëpia, nga frika se mos ushtarët kthehen ta marrin.”
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë raste të përsëritura të fëmijëve të ndaluar apo marrë në pyetje nga forcat izraelite, edhe në zona banimi. Zyra e OKB-së për Koordinimin e të Drejtave të Njeriut (OCHA) në Territoret Palestinese të Pushtuara thekson se arrestimi i dy fëmijëve palestinezë në Hebron nga Izraeli tregon mizorinë e përditshme ndaj palestinezëve, përfshirë edhe fëmijët.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar në një deklaratë se “të drejtat e fëmijëve palestinezë për jetën, shëndetin, arsimin, lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e tjera po shkelen çdo ditë. Çdo ditë, fëmijët vriten, plagosen ose arrestohen arbitrarisht nga forcat izraelite në Territoret Palestinese të Pushtuara.”
Autoritetet ushtarake justifikojnë këto veprime me arsye sigurie, por për familjet e prekura pasojat janë kryesisht psikologjike dhe sociale: frikë, izolim, humbje besimi te institucionet dhe te e ardhmja.
“Përpiqem t’u shpjegoj fëmijëve të mi që nuk duhet të urrejnë, por nuk e di nëse më kuptojnë,” thotë Nisreen. “Do të doja vetëm që të mund të jetonin një fëmijëri normale, të shkonin në shkollë pa frikë. Përpiqem t’i qetësoj, por e di që nuk mjafton. U them se duhet të jenë të guximshëm, por edhe unë kam frikë.”
Fëmijëri pas hekurave
Më 30 qershor 2025, në burgjet izraelite ndodheshin rreth 400 fëmijë palestinezë të arrestuar. Rreth 40% e tyre mbahen në “burgim administrativ”, pra pa akuzë apo gjyq, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2008, kur organizata “Defense for Children International – Palestine” filloi monitorimin e këtyre rasteve.
Fëmijët rriten duke ditur se çfarë ndodh: një skuadër ushtarësh izraelitë që hyn me forcë në shtëpi, dhe ata e dinë se duhet të zgjohen pa qarë. E dinë se një ose disa anëtarë të familjes do të arrestohen, me poshtërim e me dhunë, dhe se një ditë mund të jenë vetë ata në mesin e të arrestuarve.
Fëmijët mësojnë që ligji në vendin ku jetojnë ka dy forma: atë civile për izraelitët dhe atë ushtarake për palestinezët. Çdo arrest arbitrar, bastisje apo ndalim i një fëmije justifikohet me të njëjtën arsye – “arsye sigurie”. Pak rëndësi ka nëse nuk paraqiten prova. Kjo është një sistem ligjor me dy standarde, që u jep fëmijëve dy fate të ndryshme, edhe pse ndahen vetëm nga disa kilometra.
Në vitin 2016, Izraeli miratoi një ligj të ri që lejon që fëmijët 12 deri në 14 vjeç të mbahen penalisht përgjegjës, që do të thotë se mund të gjykohen si të rritur dhe të dënohen me burgim. Ky ligj, i miratuar më 2 gusht 2016 nga Knesseti izraelit, i lejon autoritetet “të burgosin një të mitur të dënuar për krime të rënda si vrasje, tentativë vrasjeje apo vrasje nga pakujdesia, edhe nëse është më i vogël se 14 vjeç”.
Çdo bastisje ushtarake, çdo marrje në pyetje, çdo kufizim i lirisë bëhet një mesazh i qartë: ligji nuk i mbron të gjithë njësoj, dhe kush ka pushtetin vendos se kush mund të lëvizë lirisht e kush jo.
Sipas organizatës Save the Children, gjatë 20 viteve të fundit rreth 10 mijë fëmijë palestinezë janë mbajtur në burgjet ushtarake izraelite. Organizata e quan këtë “një brez të rritur në traumë”: 86% e të miturve të intervistuar thanë se janë rrahur, 69% janë zhveshur gjatë kontrollit dhe 42% janë plagosur gjatë arrestimit.
Arrestimi i një fëmije nuk është vetëm heqje e lirisë – është pezullim i kohës. Prindërit rrëfejnë muaj të tërë pa ditur se ku mbahet fëmija, seancat shtyhen, avokatët nuk lejohen t’i takojnë. Shpesh, të miturit transferohen jashtë territoreve të pushtuara – një shkelje e Konventës së Katërt të Gjenevës, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut – duke e bërë të pamundur vizitën e familjarëve. Një punonjës i Kryqit të Kuq tregon se “disa fëmijë mësojnë të numërojnë stinët nga hijet që bien në murin e oborrit të burgut”.
Pasojat e burgimit shkojnë përtej qelisë. Psikologë dhe mësues përshkruajnë një brez të shënuar nga pagjumësia, depresioni dhe izolimi emocional. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, të cilën Izraeli e ka ratifikuar, përcakton se burgimi i një të mituri duhet të jetë “masa e fundit dhe për kohën më të shkurtër të mundshme”.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, çdo fëmijë ka të drejtë të ketë qasje të menjëhershme në ndihmë ligjore dhe të sfidojë ligjshmërinë e arrestimit të tij në gjykatë. Pengimi i qëllimshëm i këtij të drejte, bashkë me ndalimin e vizitave familjare dhe refuzimin për të lejuar monitorimin nga autoritete të zgjedhura, shkel standardet më themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Megjithatë, në Territoret Palestinese të Pushtuara, sistemi ushtarak përmbys logjikën e drejtësisë: burgimi bëhet rregull, jo përjashtim.
Një pedagogji e padrejtësisë, një shtypje që nuk është vetëm fizike, por edhe një edukim i përditshëm në abuzim e dhunë, që lë gjurmë në identitetin e fëmijëve dhe në të ardhmen e tyre. Të paktën për ata që mbijetojnë.
Në mars të këtij viti, Walid Abdullah Ahmad, 17 vjeç, vdiq në burgun e Megiddo-s. Ai ishte arrestuar gjashtë muaj më parë në fshatin Silwad, pa asnjë akuzë formale. Autopsia, e ndjekur nga një mjek izraelit i pavarur, zbuloi shenja të kequshqyerjes së rëndë dhe infeksione të patrajtuara. Sipas dëshmive të mbledhura nga organizatat humanitare, Walid kishte kërkuar ushqim dhe ilaçe, por nuk iu dha as ushqim, as trajtim mjekësor.
/ Nga Francesca Mannocchi – La Stampa