Reuters i ka kushtuar një artikull sërish vendin tonë, por këtë herë duke u ndalur në Vjosë. Agjencia amerikane e lajmeve, shkruan se në Vjosë është ngritur alarmi, pasi ujërat e zeza po derdhen në të dhe po bëhen gërmime vazhdimisht për zhavorr.
Në artikull është përmendur edhe kur qeveria e shpalli Vjosën park kombëtar në vitin 2023. Reuters gjithashtu thekson edhe deklaratat e Ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili pranon dëmet në mjedis.
Ai ka deklaruar se ministria e tij planifikon të shpenzojë më shumë se 150 milionë euro, për të trajtuar ujërat e zeza dhe për të mbyllur të gjitha deponitë. Ndër të tjera, Reuters nënvizon se për shumë njerëz, dëmi është bërë tashmë dhe puset e naftës dhe gropat e bitumit janë të vendosura përgjatë lumit, duke rrezikuar më tej ndotjen.
Artikulli i Plotë i Reuters:
Një erë e fortë hedh copa plastike nga një vendgrumbullim i hapur mbeturinash në lumin Vjosë në Shqipëri. Disa qindra metra sipër rrjedhës, një tub i madh shkarkon ujërat e zeza, në ujin që rrjedh me shpejtësi. Diku tjetër, gërmuesit heqin zhavorr nga shtrati i lumit për të bërë beton, që për ekspertët, ndryshon rrjedhën e lumit dhe destabilizon brigjet e tij.
Muajin e kaluar, UNESCO e etiketoi luginën e Vjosës në Shqipëri, si një nga 26 Rezervat e Biosferës të sapocaktuara, pjesë e një iniciative për të “mbrojtur disa nga ekosistemet më të pasura dhe më të brishta të planetit”, tha ajo në një deklaratë.
Në shumë vende, lugina, e cila ndjek rrjedhën e lumit nga Greqia veriore deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, duket se përmbush kriteret e një zone të pasur nga ana mjedisore. Është shtëpia e vidrave, shkabave egjiptiane të kërcënuara dhe specieve të rralla bimore.
Lumi, një nga rrugët e fundit ujore të pandërprera në Evropë, gjarpëron përmes grykave të rrethuara me pemë dhe luginave të harlisura e të zbrazëta. Në vitin 2023, qeveria e shpalli atë park kombëtar.
Ky përcaktim është një ndihmë e madhe për Shqipërinë, një vend ballkanik me 2.4 milionë banorë që ka parë turizmin në vijën bregdetare dhe malet e tij të rritet ndjeshëm vitet e fundit, dhe që po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në fund të dekadës.
Por poshtë peizazhit gjithëpërfshirës, ambientalistët janë të shqetësuar për të ardhmen.
“Dokumentet ndërkombëtare të njohjes si UNESCO nuk i zgjidhin problemet”, tha Besjana Guri nga organizata joqeveritare mjedisore Lumi, gjatë një prej vizitave të saj në luginë javën e kaluar.
UNESCO nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment. Në raportet e mëparshme, ajo tha se do të ndiqte kritere rigoroze, përpara se t’i jepte statusin e rezervës së biosferës Vjosës.
Ministri i Mjedisit i Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, i cili mban një kopje të kornizuar të përcaktimit të UNESCO-s në zyrën e tij, pranoi problemet gjatë një interviste me Reuters. Ai tha se ministria e tij planifikon të shpenzojë më shumë se 150 milionë euro, për të trajtuar ujërat e zeza dhe për të mbyllur të gjitha deponitë.
Për shumë njerëz, dëmi është bërë tashmë. Puset e naftës dhe gropat e bitumit janë të vendosura përgjatë lumit, duke rrezikuar më tej ndotjen, thonë ata.
Agron Zia, 55 vjeç, nxori dele dhe dhi për të kullotur në bregun e lumit javën e kaluar. Ai bëri shenjë drejt deponisë, ku plastika ngrihet nga era dhe kapet nga degët e pemëve aty pranë.
“Kur isha i vogël, notonim këtu gjithë verën. Më dhemb kur fëmijët nuk mund të shkojnë, për shkak të ujërave të zeza dhe mbeturinave”, tha ai.