Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka deklaruar se ka një mundësi reale për të arritur një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme, që shkon përtej konfliktit aktual në Gaza.
“Jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje që do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme,” tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, gjatë një takimi me kryeministrin kanadez Mark Carney.
Ai konfirmoi se negociatorët amerikanë janë të përfshirë seriozisht në bisedimet që po zhvillohen aktualisht në Egjipt. Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner do të luajnë një rol në këto negociata.
“Ka një shans të vërtetë që mund të arrijmë diçka,” shtoi Trump.
“Mund të kemi paqe në Lindjen e Mesme. Kjo shkon përtej vetëm situatës në Gaza. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pengjeve.”
Ai bëri të ditur se ekipi amerikan ndodhet atje, një tjetër ekip sapo ka mbërritur, dhe se thuajse çdo shtet në botë ka shprehur mbështetje për planin.
Trump përfundoi duke thënë se SHBA-të do të bëjnë gjithçka të mundur që të sigurojnë zbatimin e marrëveshjes, nëse Hamasi dhe Izraeli bien dakord për armëpushim për t’i dhënë fund luftës.