Në prag të sfidës vendimtare ndaj Serbisë, që mund të përcaktojë fatin e Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Botërorit 2026, mesfushori Julian Shehu ka folur për emocionet dhe përgatitjet e kuqezinjve.
Me një ton të qetë dhe realist, ai theksoi se skuadra është e fokusuar maksimalisht dhe e gatshme për të dhënë gjithçka në fushë.
– Si e përjetoni këtë ndeshje me shumë presion dhe rrezikshmëri të lartë?
Ne jemi profesionistë, ndaj presioni për ne është diçka normale. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të shkojmë për të marrë maksimumin e mundshëm.
– Kjo ndeshje do të luhet në një qytet të vogël, afër Beogradit. Si e ndjeni këtë situatë?
Kjo nuk është çështje që na takon neve. Për ne më e rëndësishme është të jemi të përqendruar tek objektivi ynë, të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët. Ende nuk jemi grumbulluar të gjithë lojtarët, ndaj nuk kemi folur për këtë çështje. Pavarësisht fushës apo vendndodhjes, do të hyjmë për të fituar.
– Nuk është një ndeshje e zakonshme me Serbinë. E shihni si një finale për në “play-off”?
Pa dyshim që është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nga kjo sfidë varet vazhdimësia e objektivit tonë për t’u kualifikuar në Botëror. Jemi shumë të fokusuar për të dhënë më të mirën dhe për ta çuar Shqipërinë në Botëror.
– Duket se i keni zënë vendin Ramadanit në formacionin titullar. Keni folur me të për këtë?
Në Kombëtare jemi të gjithë për një qëllim të përbashkët, të bëjmë më të mirën për ekipin. Trajneri vendos kush luan, dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Jemi shokë, e mbështesim njëri-tjetrin dhe punojmë që skuadra të fitojë.
– A do të kërkoni edhe golin në këtë ndeshje?
Unë kam sjellë versionin tim më të mirë në Kombëtare dhe do të vazhdoj të jap maksimumin në çdo ndeshje. Nëse vjen edhe goli, aq më mirë, por më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.