Pas pesë vitesh pritje dhe zvarritjesh burokratike, autoritetet shqiptare kanë dërguar në një laborator privat në Belgjikë organin e zemrës që dyshohet se i përket Saimir Sulës, i cili ndërroi jetë gjatë pandemisë së COVID-19 në një spital në Spanjë.
Zemra u soll nga Spanja në Shqipëri, por për faktin se ishte e vendosur në formalinë në vendin tonë nuk mund të kryhej analiza e ADN-së që të mund të bëhej krahasimi me pas me profilin e nënës së tij dhe në këtë mënyrë të përcaktohej nëse zemra i përkiste Saimir Sulës apo ndonjë personi tjetër.
Për këtë arsye, zemra e dyshuar u mbajt për më shumë se dy vite në Institutin e Mjekësisë Ligjore, derisa këtë të mërkurë u transportua drejt Brukselit për ekzaminime të specializuara.
Burime bëjnë me dije se në Bruksel kanë udhëtuar prokurorja e çështjes, një përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe motra e të ndjerit, Majlinda Sula, e cila ka qenë këmbëngulëse në zbardhjen e së vërtetës.
Sipas saj, vëllai i saj Saimiri humbi jetën jo për shkaqe natyrore, por për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij në një spital në Spanjë. Majlinda Sula thotë se e konstatoi mungesën e zemrës kur trupi i pajetë u soll në Shqipëri dhe u dërgua për autopsi në Tiranë.
Pas këtij zbulimi tronditës, ajo bëri kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për trafik organesh, duke hedhur dyshime të rënda mbi rrethanat e vdekjes së vëllait të saj.
Majlinda Sula ka kërkuar që analiza e ADN-së të bëhet në mënyrë të pavarur, duke shprehur mosbesim të thellë ndaj institucioneve shqiptare.
“Kam të drejtën të di nëse kjo zemër është e vëllait tim apo jo”, u shpreh ajo për mediat.