Informaliteti, ulja e besimit në banka, shmangia e komisioneve dhe taksave si dhe tradita e të mbajturit para nëpër duar, janë këto arsyet që po I nxisin më shumë qytetarët drejt cash-it.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sasia e cashit në ekonomi është rritur ndjeshëm, teksa vlera ka arritur 4.8 miliardë euro në muajin gusht.
Në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar, ku paraja që qarkullonte jashtë bankave ishte gati 4.2 miliardë euro, rritja ka vijuar me 600 milionë euro.
Kjo është vlera më e lartë e arritur ndonjëherë në vitet e fundit. Kjo lëvizje e lartë e parave në dorë, ka kosto të shumta për ekonominë pasi rrit hapësirat për informalitet, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.
Gjithsej në ekonominë shqiptare qarkullojnë 1.9 trilionë lekë, ndërsa paraja cash përbën 24.4%. Pothuajse 3 herë më shumë se norma mesatare në Bashkimin Europian.
Një tendencë rritëse e vazhdueshme e parasë cash pasqyron edhe nivelin e lartë të informalitetit në ekonominë shqiptare.
Për reduktimin e pagesave në dorë, Ministria e Financave parashikon në strategjinë afatmesme caktimin e një limiti për pagesat cash./TCH