Gjykata e Durrësit ka lënë pas hekurave Teilor Tivarin dhe bashkëpunëtorin e tij, Xhenis Dakoli, i cili e ndihmoi pas vrasjes së Valbon alias Marko Beqiraj.
Togat e zeza kanë caktuar ndaj 24-vjeçarit dhe mikut të tij, që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja me taksi duke e dërguar fillimisht në banesën e tij, masën e sigurisë “arrest me burg”.
Teilor Tivari, sipas burimeve, ka shprehur pendesë para togave të zeza të Gjykatës së Durrësit gjatë seancës së sotme (27 Shtator).
24-vjeçari akuzohet se masakroi me thikë në banesë 51-vjeçarin Valbon alias Marko Beqiraj, i cili u gjet i pajetë në banesën në katin e katërt të pallatit në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, rreth 9 orë pas krimit që tronditi vendin.
Vrasja raportohet se ndodhi rreth orës 10:00 të datës 24 Shtator 2025, por trupi i Valbon alias Marko Beqiraj u zbulua nga nipi i tij rreth orës 19:00.
Autori i dyshuar i krimit, 24-vjeçari Teilor Tivari, sipas bluve, kishte hyrë në banesën ku ndodhej viktima për të blerë kokainë.
Pas dhunimit dhe masakrimit me thikë të viktimës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga 27 vjeçari Xhenis Dakoli, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.
24-vjeçari, pas arrestimit një ditë pas krimit, pretendoi se vrau Valbon Beqiraj pasi ky i fundit kishte tentuar ta përdhunonte. Por sipas burimeve nga grupi hetimor, ndryshe nga versioni i autorit të dyshuar, vrasja ka qenë e paramenduar.
Hetuesit po shqyrtojnë pistën e një lidhjeje romantike midis tyre.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se 51-vjeçari është goditur që te dera e apartamentit. Por, trupi i tij i pajetë është gjetur nën tavolinën e kuzhinës (vetëm me të brendshme), ndërsa apartamenti ishte i mbuluar në gjak.