Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një bisede me gazetarët pak para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për t’u bërë pjesë e turneut të golfit Ryder Cup në Nju Jork, deklaroi se ka një marrëveshje për luftën në Gaza.
“I besoj se kemi një marrëveshje për Gazën. Marrëveshja do të sjellë kthimin e pengjeve. Do të jetë një marrëveshje që do të përfundojë luftën, që do të sjellë paqe,” tha Trump.
Deklaratat e Donald Trump vinë pak pas fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mes deklarimeve të dëshpëruara dhe largimeve nga salla, Netanyahu theksoi se “Izraeli duhet të përfundojë punën në Gazë sa më shpejt të jetë e mundur.”
“Mbeturinat e fundit të Hamasit janë të fshehura në Gazë,” tha Netanyahu, duke nënvizuar se nuk do të qetësohet derisa të kthehen pengjet. “Lëshoni armët tuaja. Lironi të gjitha pengjet tani… Nëse e bëni këtë, do të jetoni. Në të kundërt, Izraeli do t’ju ndjekë,” iu drejtua ai Hamasit.
Presidenti amerikan këtë javë prezantoi një plan të ri paqësor për Gazën për udhëheqës myslimanë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordania, Turqia, Indonezia dhe Pakistani, si dhe për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas informatave, “plani me 21 pika” i prezantuar nga Trump parashikon, ndër të tjera, lirimin e pengjeve të mbetura, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga e gjithë Rripi i Gazës.
Për ditët pasluftës, propozimi përfshin një skemë post-konflikti me një mekanizëm qeverisjeje pa Hamasin, një forcë sigurie që do të përfshijë palestinezë, por edhe ushtarë nga vendet arabe dhe myslimane, si dhe financim nga këto vende për administrimin e ri të Gazës dhe rindërtimin e zonës. Sipas propozimit, Autoriteti Palestinez do të ketë një formë përfshirjeje.