Sipas Donald Trump, Ukraina është e aftë, me ndihmën e aleatëve perëndimorë, të rimarrë territorin e saj shtetëror të pushtuar nga rusët. “Me kohë, durim dhe mbështetje financiare, veçanërisht nga NATO, kthimi në kufijtë origjinalë në momentin kur filloi lufta do të ishte një mundësi”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social.
Me këtë, Trump ndryshon qëndrimin e tij. Në javët e fundit, në bisedimet për përfundimin e luftës, ai solli në lojë lëshimet e mundshme territoriale të Ukrainës, të cilat Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj i ka refuzuar gjithmonë. Rusia, përkundrazi, këmbënguli që Ukraina të njohë humbjen e territorit.
Kthimi i territorit të vet “dhe madje edhe më shumë”
Në postimin e tij në Truth Social, presidenti i SHBA-së nuk e deklaroi qartë se cilës linje të kufirit ukrainas po i referohej. Për shembull, është e paqartë nëse Trump përfshin edhe territorin shtetëror ukrainas dhe gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Sipas fjalëve të tij, Trump ka arritur në këtë pozicion të tij të ri pasi “u njoh me situatën ushtarake dhe ekonomike” në Ukrainë dhe Rusi dhe e kuptoi plotësisht atë. Rusia për tre vjet e gjysmë po zhvillon një luftë, “një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake mund ta fitonte në më pak se një javë”. “Nuk është një lavdi për Rusinë. Në fakt e bën vendin të duket si një ‘tigër prej letre'”.
Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Trump dhe Zelenskyj patën një bisedë të shkurtër dhe presidenti amerikan qëndroi në mënyrë demonstrative pranë kolegut të tij ukrainas. Siç tha ai, Ukraina jo vetëm që mund të rimarrë tokën e saj të pushtuar, por “kush e di, ndoshta edhe të shkojë më tej”, tha Trump. Ai tha, se ka “respekt të madh për luftën e Ukrainës”. Është “vërtet mbresëlënëse”.

Kthesë e madhe?
Deklarata pozitive në lidhje me qëndresën e Ukrainës është një kontrast i fortë me takimin poshtërues midis Trump dhe Zelenskyjt në shkurt në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti ukrainas u poshtërua para kamerave nga Trump dhe zëvendëspresidenti i tij, JD Vance.
Vetë Zelenskyj flet për një “kthesë të madhe”. Ai gjithashtu falënderoi Trumpin për “përpjekjet e tij personale për t’i dhënë fund luftës” dhe u pajtua me presidentin e SHBA-së në kërkesën që vendet evropiane të ndalojnë menjëherë importimin e naftës ruse. Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump ishte shprehur më parë se evropianët “duhet të ndalojnë menjëherë blerjen e energjisë nga Rusia. Përndryshe, të gjithë po humbasim shumë kohë”.
Trump foli gjithashtu për incidentet në hapësirën ajrore evropiane. Kur u pyet nëse mendon, se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë aeroplanët rusë nëse ata shkelin hapësirën e tyre ajrore, ai u përgjigj: “Po, mendoj se po”. Kohët e fundit, ka pasur disa situata të rrezikshme në hapësirën ajrore të vendeve të BE-së dhe NATO-s – në Poloni, Estoni dhe Rumani. NATO më pas kërcënoi Rusinë me përdorimin e forcës në rast të shkeljeve të mëtejshme të hapësirës ajrore.
Ministri i Jashtëm gjerman Wadephul: “Zhvillim i mirë”
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e mirëpriti ndryshimin e kursit të Trump. E pyetur se cili ishte reagimi i BE-së, ajo tha në Nju Jork: “Kjo është në rregull. Po, ne duhet të ndalojmë së bleri energji ruse. Po, Ukraina duhet ta fitojë luftën.” Ajo gjithashtu mirëpriti deklaratat e tjera të Trump në lidhje me Ukrainën dhe Rusinë. “Këto ishin deklarata shumë të qarta që nuk i kemi dëgjuar kurrë më parë në këtë formë.” Kjo është arsyeja pse është shumë mirë që tani janë në të njëjtën anë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, mirëpriti deklaratat e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë. “Trump e kupton që përpjekjet e tij për paqe deri më tani kanë dështuar dhe tani me të drejtë po nxjerr përfundimet e duhura nga kjo,” tha Wadephul në një intervistë me transmetuesin publik gjerman Deutschlandfunk. “Unë e marr seriozisht dhe ky është një zhvillim i mirë,” tha politikania i CDU-së në një intervistë.
Kremlini: Rusia nuk ka alternativë
Megjithatë, Kremlini reagoi disi me ironi ndaj deklaratave të fundit të Trump. “Rusia ka qenë gjithmonë një ari, jo një tigër. Dhe nuk ka diçka të tillë si një “ari letre”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të vërejtjes së Trump për “tigrin e letrës”, duke pretenduar se “Rusia ruan stabilitetin e saj makroekonomik”.
Ai gjithashtu reagoi ndaj komenteve në lidhje me vijën e frontit dhe tha se Rusia po bën përparim. “Ne po vazhdojmë operacionin tonë ushtarak për të siguruar interesat tona dhe për të arritur qëllimet tona… po e bëjmë këtë për të ardhmen e vendit tonë, për brezat që do të vijnë, dhe kjo është arsyeja pse nuk kemi alternativa”, tha Peskov në një intervistë radiofonike. Në fund, ai arriti në përfundimin se që kur Trump erdhi në pushtet në fillim të vitit, marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit nuk kanë lëvizur nga bllokimi.
Trump po e humbet durimin
Sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, vonesa e Rusisë në procesin e paqes në Ukrainë çoi në një kthesë drejt Moskës. Trump tregoi “durim të jashtëzakonshëm” dhe shpresoi për një përparim diplomatik. Por kjo jo vetëm që ka çuar në stanjacion, “por ne kemi hyrë në një fazë të përshkallëzimit të mundshëm”. “Në netët e fundit, si më parë, është regjistruar numri më i lartë i sulmeve në histori”, tha Rubio.
Sekretari i Shtetit kërcënoi Moskën me sanksione ekonomike dhe theksoi se SHBA-ja mund të vazhdojnë të ndihmojnë Kievin me armë. Trump ka “opsione reale” dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në rast të agresionit të vazhdueshëm rus. “Presidenti është një njeri shumë i durueshëm. Ai është një avokat i fortë i paqes, por durimi i tij nuk është i pafund”, tha Rubio./DW