Gazetari Osman Stafa ka publikuar në Facebook një procesverbal provimi ku pedagogu Gëzim Xhepa, pjesë e komisionit, ka vlerësuar me notën 10 studentin Albion Xhepa, që rezulton të jetë djali i tij.
Sipas Stafës, rasti është tashmë i referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa ai ngre pyetje mbi objektivitetin e prindit në vlerësimin e fëmijës, barazinë mes studentëve dhe mungesën e një rregulloreje që të ndalojë praktika të tilla.
Në thelb, thotë gazetari, nuk bëhet fjalë vetëm për një notë në letër, por për standarde që përcaktojnë cilët mjekë do të mbajnë nesër në dorë jetët e pacientëve, duke qenë se emërimet bëhen në bazë të mesatares.
Postimi i Osman Stafës
Në një procesverbal provimi të Fakultetit të Mjekësisë, pedagogu vlerëson djalin i tij.
Rasti qënka referuar në Prokurorinë e Tiranës për konflikt interesi.
Nuk dua të paragjykoj: djali mund ta ketë merituar realisht notën 10. Por fakti që babai i tij ishte pjesë e komisionit e zhbën vlerësimin real.
Pyetje:
A mund të jetë një prind objektiv në vlerësimin e fëmijës së tij?
A nuk duhej që vlerësimi të bëhej nga një pedagog tjetër, për të shmangur çdo dyshim?
A është kjo e drejtë në raport me studentët e tjerë?
A ka pedagogë të tjerë mjekë, që vlerësojnë fëmijët e tyre, apo ky është rast i mbyllur?
A lejohet një praktikë e tij dhe a konsiderohet normale nga Fakulteti i Mjekësisë?
Dihet që shumë mjekë, duan që fëmijët të jenë trashgimtarë të profesionit. Por nëse s’ka, pse nuk e ka vendosur një rregullore Fakulteti, që ata mjekë që kanë fëmijët e tyre studentë të mjekësisë, s’mund t’i vlerësojnë ata.
Sepse kur hapet nesër vendi i punës, mesatarja luan rol vendimtar në punësim. S’ka lidhje me rastin. Por pse një djalë apo vajzë e një mjeku, merr 10-të (ndoshta të pamerituar) dhe ai studenti tjetër që e merr me meritë 9-ën, të jetë pas këtij të parit në radhën për punësim. A është e drejtë kjo?
Dhe vetë drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë (firmat në fund të letrës) e legjitimojnë këtë praktikë.
Këto nuk janë thjesht “nota” në letër. Janë standarde që përcaktojnë nesër cilët mjekë do të mbajnë në dorë jetët e pacientëve. Ky është halli im!