Gjermania ka refuzuar të ndjekë aleatët e saj perëndimorë në njohjen e shtetit palestinez, duke këmbëngulur se ende nuk është momenti i duhur.
“Njohja e Palestinës është një nga hapat përfundimtarë në procesin drejt zgjidhjes me dy shtete,” tha sot zëdhënësi i qeverisë Sebastian Hille në Berlin.
Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia shpallën sot njohjen zyrtare të Palestinës, ndërsa pritet që edhe Franca e Belgjika të bëjnë të njëjtën gjë gjatë një konference në Nju Jork, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ky zhvillim po rrit presionin mbi Berlinin, i cili prej kohësh ka mbështetur zgjidhjen me dy shtete, por mban qëndrimin se ky hap duhet të vijë vetëm në fund të procesit politik.
Ministri i Jashtëm Johann Wadephul, përpara nisjes për në Nju Jork, tha se megjithëse Gjermania nuk është gati të ndërmarrë njohjen, procesi për zgjidhjen me dy shtete “duhet të nisë tani.
“Prioritetet për momentin janë një armëpushim i menjëhershëm, më shumë ndihma humanitare për Gazën dhe lirimi i pakushtëzuar i pengjeve”, theksoi ai.