Siria do të zhvillojë zgjedhjet e saj të para parlamentare nën administratën e re më 5 tetor, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Komisioni i Lartë Zgjedhor i Sirisë njoftoi se vendimi është marrë në përputhje me deklaratën kushtetuese dhe dekretet e miratuara më herët këtë vit nga udhëheqësi i përkohshëm, Ahmed al-Saraa, i cili themeloi autoritetin zgjedhor në qershor, sipas agjencisë kineze Xinhua.
Zgjedhjet do të zhvillohen përmes një sistemi të përkohshëm dhe të tërthortë elektoral, i cili synon formimin e një autoriteti të ri legjislativ brenda një afati prej 60 deri në 90 ditë.
Në muajin gusht, autoriteti zgjedhor shtyu zhvillimin e zgjedhjeve në tre provinca, Suvejda, Hasaka dhe Raka, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.
Vendet e ndara për këto provinca do të mbeten bosh deri sa të krijohen “kushtet e përshtatshme dhe një mjedis i sigurt”, kishte njoftuar atëherë komisioni.