Bashkëpunimi mes fermerëve shqiptarë dhe grosistëve të fruta-perimeve edhe pse jo aq i standartizuar dhe me kontrata serioze afatgjata është mekanizimi i vetëm, që ju jep mundësi prodhuesve që të shesin me shpejtësi produktet. Një raport herë-herë i sforcuar që në raste mosfunksionimi ka shkaktuar probleme të shumta në këtë sektor. Por ky bashkëpunim mes palëve ka dhe një tjetër anë të errët, siç është mosshlyerja e pagesave.
Ky është edhe rasti i Arjan Pajës, i cili ka bashkëpunuar për vite me radhë me Sadik Karajn, një grosist nga Lushnja, i cili merret me eksport fruta-perimesh. Arjani tregoi për “Piranjat” se ka çuar disa herë mall në magazinat e Sadikut, por nuk është paguar rregullisht nga ana e tij për to. Fermeri nga Peqini tha se mallrat që ka dorëzuar tek grosisti kanë qenë në pesha të mëdha, por për një pjesë të tyre nuk ka marrë pagesë, duke qenë se Sadiku pretendonte se frutat dhe perimet ishin prishur në momentin që i kishte dërguar jashtë shtetit.
“Ka thënë në Shtator se malli është prishur, kur e ka çuar ai atje, a në Bosnje, a në Ukrainë, nga e ka çuar janë punët e tij, por unë nuk mbaj përgjegjësi, se unë nuk jam koleg me atë, bashkëpunëtor, çdo fermer mban përgjegjësi sa e dorëzon në magazinë. E merr ky, punonjësit e atij përsipër, i fusin në seleksionim dhe unë jam i detyruar të mbajë ato firot, ato që nuk bëjnë, kaq më takon”, shprehet Arjani.
Pavarësisht se sipas fermerit, ky ishte thjesht një justifikim për të mos e paguar, pas shumë këmbënguljesh të tij, pak kohë më vonë ai merr një shumë të vogël në krahasim me ato se çfarë kishte dorëzuar në magazinën e grosisitit nga Lushnja gjatë gjithë asaj kohe.
‘’Kur bëra vajzën operacion, kam ardhur në Itali, edhe i thashë: o Sadik, hajde të mbyllim këto llogaritë. Më ka nisur para Vitit të Ri 2 milionë e 500 mijë lekë. Edhe Sadiku tani ka tre fatura pa paguar. Edhe bëjnë diku te 18 milionëshi, që ai nuk i pranon që i ka borxh. Është në dijeni, i di shumë mirë, por ashtu i leverdis atij dhe thotë s’i kam”, tha Arjani.
“Piranjat” më pas u përballën edhe me grosistin, i cili fillimisht nuk u tregua aspak i gatshëm për të sqaruar, madje në përpjekje për t’u shmangur tentoi të përplaste me makinë gazetaren dhe operatorin. Por pasi situata u qetësua, grosist Sadiku tha se në momentin që ka dërguar mallin për eksport është prishur dhe kështu ai ka pasur humbje. Megjithatë ai u shpreh se kishte një shumë të vogël, që nuk ja kishte dhënë Sadikut dhe premtoi se do ja jepte shumë shpejt. Dhe në fakt Sadiku e mbajti fjalën, por shuma që shleu nuk përputhej aspak me atë që priste Arjani.
“Nga momenti që keni shkuar atje, ka shkuar babi dhe ka marrë një pjesë të vogël. 3 milionë e 200 mijë dhe për ato të tjerat thotë u prish malli, pretekstet e atij. Është një shumë e vogël, por s’kemi çfarë ti bëjmë më”, tha fermeri./Emisioni “Piranjat”