Temperaturat e larta ulin prodhimin e fasules, fermerët po e zëvendësojnë me kultura të tjera.
Në fshatin Kreshpanj, të bashkisë së Maliqit, ku vite më parë toka prodhonte mbi 4 kuintal fasule për dynym, sot fermerët nuk po marrin as 20% të këtij prodhimi.
Ndryshimet e forta klimatike të dy viteve të fundit, me temperatura deri në 40 gradë C në verë dhe thatësirë të zgjatur, kanë ulur ndjeshëm rendimentin e kësaj kulture tradicionale për zonën.
Në prag të vjeljes së fasules, pritshmëritë e fermerëve janë të ulëta, ndërsa kostot e kultivimit mbeten të larta, krahasuar me prodhimin e pakët.
Mungesa e reshjeve ka rritur nevojën për ujitje të parcelave me fasule, çka përkthehet në kosto shtesë për fermerët.
Të ndodhur para një situate të pazakontë klimatike, fermerët e Kreshpanjit po reduktojnë sipërfaqet e mbjella me fasule. Ata po kërkojnë kultura dhe varietete të reja, të përshtatshme për klimë më të nxehtë.
Ulja e rendimentit të fasules edhe këtë vit pritet të pasohet nga rritje e mëtejshme e çmimit për konsumatorët.
Korça ka qenë ndër kultivuesit më të mëdhenj të fasules në vend, me mbi 2.700 ton prodhim vjetor, ndërsa vit pas viti, ndryshimet klimatike po ndikojnë në uljen e ndjeshme të rendimentit të kësaj kulture./Klan News