Policia e Torontos ka njoftuar se ka identifikuar një të dyshuar për vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar Paulin Harusha, i cili u qëllua për vdekje brenda makinës së tij më 13 shtator, pranë kryqëzimit të Victoria Park dhe Sheppard Avenue.
Harusha u gjet i plagosur nga plumbat brenda automjetit, dhe pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Policia raportoi se një SUV me ngjyrë të çelët u pa duke u larguar nga vendi i ngjarjes para se oficerët të arrinin.
I dyshuari, i identifikuar si 34-vjeçari Meelad Tarin, është shpallur në kërkim me urdhër arresti në të gjithë Kanadanë për vrasje të shkallës së parë.
Hetuesi Det. Sgt. Alan Bartlett tha se ekziston një njohje mes viktimës dhe të dyshuarit, por natyra e marrëdhënies dhe motivi i krimit janë ende nën hetim.

Bartlett nuk dha detaje mbi historikun penal të viktimës ose të të dyshuarit dhe nuk konfirmoi nëse është sekuestruar arma, por tha se ka prova të një shkrepjeje arme në vendngjarje.
Hetuesi shtoi se i dyshuari ka dalë nga vetura në një moment, por nuk zbuloi nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
“Zoti Harusha la pas një familje të shkatërruar dhe miq që janë të tronditur. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në jetën e tyre,” tha Bartlett.
Policia ka bërë apel për informacione që mund të çojnë në kapjen e të dyshuarit dhe ka lëshuar një urdhër arresti në të gjithë vendin.