Është zbardhur vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, i ekzekutuar në janar të këtij viti pranë banesës së tij në Tiranë, në sy të bashkëshortes. Mësohet se shkak për ekzekutimin e tij ka qenë një pronë në Selitë, që i përkiste Nasufit, por ishte shitur tek familja Xhani.
Në momentin e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe, kompensimi financiar prej rreth 30 mijë euro përfundoi në llogarinë e familjes Nasufi, pasi edhe pse toka ishte shitur, figuronte ende në emër të tij. Ky situatë ka ndezur konfliktin mes dy familjeve.
Hetimet e policisë kanë zbuluar se porositësit e vrasjes së Nasufit ishin vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani. Ekzekutimi dyshohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, i maskuar si shpërndarës picash dhe i veshur me rroba të zeza, i cili qëlloi disa herë me armë zjarri dhe më pas dogji motorin dhe armën e krimit, që më pas u gjetën nga policia.
Vëllezërit Xhani nuk janë të panjohur për autoritetet. Ata u arrestuan disa muaj më parë në zonën e Gjirit të Lalzit, së bashku me Xhevdet Plakun dhe disa persona të tjerë, dhe gjatë arrestimit iu sekuestruan armë dhe lëndë narkotike. Përveç dyshimeve për porositjen e vrasjes së Nasufit, ata dyshohet të jenë të përfshirë edhe në ekzekutimin e Elis Rroshkodolit në Shkodër, ngjarje e ndodhur mesditën e 30 gushtit 2024.