Problemet që lidhen me shikimin po shtohen gjithnjë e më tepër edhe tek të rinjtë në vendin tonë, sipas specialistëve, dhe ato që dominojnë më shumë janë traumat e ndryshme.
“Problematikat e ndryshme janë gjithmonë në rritje. Duke qenë se të rinjtë kanë traumat më të shpeshta, normalisht dhe në urgjencë në Spitalin Francez, janë traumat në moshat e reja që kërkojnë trajtime. Duke filluar nga trajtimet e retinës”, u shpreh Ermal Simaku, kirurg-okulist në Spitalin Francez, QSUT.
Sa i përket ndërhyrjeve më të shpeshta që kryhen në QSUT, janë ato të kataraktit të syrit dhe glaukomës, por trajtimi i sëmurëve diabetikë është më i komplikuari.
“Shumica e ndërhyrjeve janë ndërhyrje për kataraktin, apo perden e syrit për moshat e thyera. Pastaj ka dhe ndërhyrje të tjera, si plastike për sytë, ku urgjencat, traumat, teknikat më të komplikuara lidhen me të sëmurët diabetikë, një sëmundje sistemike që kërkon ndjekje të pacientit”, shtoi Simaku.
Pacientët që kanë probleme me diabetin apo me hipertensionin duhet të kryejnë vizita sa më të shpeshta tek okulisti.
“Pacientët që kanë sëmundje sistemike të ndryshme, të bëjnë konsulta të rregullta me mjekun okulist”, këshillon Simaku.
Vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti, në Shërbimin e Okulistikës pranë QSUT janë realizuar 2 mijë e 200 ndërhyrje kirurgjikale, ku dominojnë ato për kataraktin, ndërsa gjatë verës mbi 45 turistë të huaj janë paraqitur për problematika të ndryshme për të marrë shërbim./ Klan News