Është mbajtur këtë të hënë seanca e parë e gjykimit në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku janë marrë të pandehur kreu i PD-së, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Seanca nisi në orën 10:45 dhe përfundoi në 13:30, ku i pranishëm ishte vetëm Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë u përfaqësuan nga avokatët. Në nisje të seancës kryetarja e trupit gjykues, Elsa Ulliri relatoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela që rrëzoi kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese të bërë nga avokatët e Sali Berishës.
Për dosjen në fjalë janë marrë të pandehur Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv, si dhe për të njëjtën vepër penale edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet po ashtu për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Gjatë seancës së sotme, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi pavlefshmëri absolute të akteve për marrjen të pandehur dhe njoftimin e akuzës për ish-kryeministrin. Në sallë, avokati Gjokutaj hodhi akuza se ish-ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.
“Nga të dhënat e njoftimit nga SPAK, konstatohet se Berisha në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete, duke marrë akte ligjore dhe nënligjore me qëllim përfitimin e familjeve pronare, ku përfitues ishte edhe Jamarbër Malltezi. Prokuroria ka tejkaluar kompetencën e saj kushtetuese, duke u bazuar në opinione. Ngritja e akuzës nuk është kryer në përputhje me ligjin. Prokuroria përdor dy standarde, për Sali Berishën vendos masë sigurie ndërsa për bazën detare të Limionit dhe për Teatrin nuk ka masë sigurie. Ambasadorja Yuri Kim ka ushtruar presion në SPAK për te ndjekur penalisht Berishën.”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Të njëjtën kërkesë bëri dhe Klodjana Gjyzari, avokatja tjetër e Berishës, duke kërkuar kërkoi pavlefshmëri të vendimeve të marra nga gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka, e cila rezulton e dënuar në Greqi.
“Mandati i Irena Gjokës duhet të kishte mbaruar që në vitin 2016. Irena Gjoka ka qenë e dënuar me vendim të formës së prerë. Jemi vënë në dijeni që dokumenti që ne kemi dorëzuar, është vlerësuar autentik nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo tregon që vendimi ndaj Irena Gjokës është i vërtetë”, tha Gjyzari.
Pas avokatit të Berishës, gjithashtu dhe avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të akteve të hetimit duke i konsideruar si të pabazuara në ligj.
“Nuk ka akuzë të bazuar në prova dhe në ligj. Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve të hetimit paraprak të gjyqtares Irena Gjoka”, ka thënë në seancë avokati Klodian Skënderi.
Ndërkohë, Jamarbër Malltezi gjatë seancës pati debate me gjyqtaren Elsa Ulliri, pasi akuzoi se kallëzimi i Taulant Ballës për dosjen “Partizani” ishte i rremë.
Malltezi: Kërkoj mediat në sallë të filmojnë të gjithë procesin. Në Shqipëri vettingu u krye nga motra e Ballukut, ndërsa kreu i ILD është vëllai i ministres së Ramës. Është proces penal i stisur nga Taulant Balla. Kjo nuk është shpifja e parë e Taulant Ballës. Kallëzimi i z. Balla ishte dukshëm i rremë.
Gjyqtarja: Këto nuk janë kërkesa paraprake
Malltezi: Aty janë 30 falsifikime. Unë kërkoj që e gjithë aktakuza të hidhet poshtë dhe të dërgohen për ndjekje penale personat përgjegjës.
Edhe të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina kërkuan pavlefshmëri të kateve, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi do t’i paraqesë kërkesat e tij në seancën e radhës, e cila do të mbahet më datë 29 shtator ora 11:00.
Pas daljes nga gjyqi për çështjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi ka deklaruar se është “viktimë e një lufte gjyqësore të koordinuar ndaj tij”.
Ai deklaroi se është i vetmi person në Shqipëri, ndaj të cilit “në të njëjtën ditë janë marrë masa për arrest, janë kryer kontrolle dhe është bërë sekuestrimi i të gjitha kompanive private që zotëronte, si dhe të pronave që kishte në bashkëpronësi, pa asnjë justifikim të qartë nga autoritetet”.
“Askush nuk ka shpjeguar lidhjen mes pronave të mia dhe objektit të hetimit të Prokurorisë. Madje janë sekuestruar edhe objekte të para 22 viteve, kur ishim në Kosovë dhe në bashkëpronësi,” deklaroi Malltezi. Ai theksoi se veprimet e ndërmarra ndaj tij tregojnë qartë se është kthyer në objekt sulmesh nga Partia Socialiste.
Kujtojmë se sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.
Të pandehurit e dosjes “Partizani”:
- Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
- Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
- Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
- Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”