• Kontakt
Monday, September 15, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Rrëfimi i të riut nga Librazhdi: Si u përfshiva në platformën XUEX dhe kush fshihet pas saj

12:17 : 15/09/2025
në AKTUALITET, KRONIKE

“Si nuk pritën dot dhe një javë këto mediat, sa të merrja edhe unë lekët…” , shfryu i riu nga Librazhdi.

Në javën e fundit të gushtit 2025, ëndrra e tij për pasurim të shpejtë, e ushqyer për muaj të tërë nga premtimet e platformës XUEX, nisi të shembet si kështjellë rëre.

Në dukje kishte zbuluar xhindin e Aladinit, që me tre “sinjale” të bënte të pasur. Miqtë po fitonin, të njohurit dhe kushërinjtë tregonin histori mbresëlënëse. 5 mijë dollarë të tërhequra brenda pak muajsh.

Në fillim nuk e besoi. Refuzoi një mikeshë që i ofroi ta fuste në platformë. Intuita i thoshte se një skemë e tillë, patjetër, do të ishte mashtrim.

Teksa muajt kalonin dhe mikesha e tij kishte gjeneruar disa mijëra dollarë, ndërsa ai asgjë, vendosi të futej. Fundja, mashtrim ose jo, njerëzit po fitonin para të thata në dorë, pa bërë asgjë. Tundimi fitoi mbi logjikën dhe në korrik 2025, i riu vendosi të “investonte” edhe vetë 1000 dollarë në XUEX, me shpresën për të hyrë në radhën e fitimtarëve.

Lexo edhe:

Kishin rol kryesor, çifti Ereledio dhe Alma Shebeku në kërkim për mashtrimet me “Xuex”

Goditet grupi i kriptomonedhave në Fier, 6 në pranga, 2 në kërkim! Zbardhet skema e mashtrimit

Procesi i futjes së parave

Procesi i futjes së parave ishte më i ndërlikuar sesa dukej. Fillimisht, ai duhej t’i tërhiqte nga një bankë fizike dhe t’i kalonte në një exchange parash digjitale. Përmes një QR kodi të dërguar nga një person nga brenda platformës, ai logohej në XUEX. Për t’u autentifikuar kërkohej ID‑ja. Hapi i radhës ishte kalimi i parave nga exchange-i i kriptomonedhave në llogarinë e XUEX‑ës. Sipas dëshmisë së përdoruesit nga Librazhdi për Faktoje.al, shuma minimale për t’u bërë pjesë e platformës ishte 1000 dollarë.

Ky ishte pragu i hyrjes që i lejonte investitorit të ndiqte sinjalet e përditshme.

Aplikacioni i XUEX-ës nuk ekzistonte në App apo Play Store, por vinte si një aplikacion i bazuar në link, që instalohej në telefon. Po i njëjti person që i kishte dërguar kodin, e fuste më pas në grupin e Telegramit ku ishin të gjithë përdoruesit. Sipas të riut, XUEX kishte një grup të madh me dhjetëra mijëra pjesëtarë, mbi 14 mijë kur u bë publike në media, dhe disa grupe më të vegjël sipas agjentëve, me dhjetëra anëtarë secili. Grupi i tij kishte rreth 25 veta.

Grupet dhe administratorët

Në grupin e madh, sipas rrëfimit të të riut, administratorë ishin dy figura: Leo Smith dhe Joana.

Leo, nga gjuha dhe stili, dukej formal, i saktë dhe robotik. Mesazhet e tij përngjasonin me ato të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Ai identifikohej si amerikan dhe përveç njoftimeve për sinjalet, dërgonte rregullisht mesazhe motivuese për sukses e pasuri, si të ishte një “këshillues financiar i vërtetë”.

Joana, nga gjuha, dukej si person fizik dhe mbase ishte ura lidhëse e Leos me përdoruesit shqiptarë të kësaj platforme.

As i riu dhe as miqtë e tij nuk dinin gjë për këto dy figura. Mbase Joana s’ishte fare grua, edhe nëse ishte, ndoshta përdorte një emër të rremë. Po ashtu, Leo mund të ishte një i huaj që përdorte inteligjencën artificiale për të gjeneruar përgjigjet, apo kryekëput robot IA. Por të gjitha këto dyshime, i riu thotë se nuk i interesonin, kur mendonte se do të fitonte para.

Rituali i përditshëm

Rituali ishte i thjeshtë për një përdorues të zakonshëm si ai, që nuk kishte futur asnjë person tjetër për të marrë përfitime shtesë. Për t’u bërë agjent kërkohej të sillje të paktën pesë persona të rinj në platformë. Agjentët shpërbleheshin me 3 deri në 4 sinjale në ditë, ndërsa përdoruesit e zakonshëm kishin vetëm dy. Kështu, agjentët fitonin më shpejt dhe kjo i shtynte të sillnin më shumë njerëz.

Çdo ditë, në grupin e Telegramit, Leo i lajmëronte për kohën e sinjaleve. I riu hynte në XUEX. Klikonte dhe shihte fitimet në faqen e tij. Çdo ditë shuma rritej e fitimi dukej më i prekshëm. Nga 1000 dollarë të hedhur, llogaria i shfaqte pothuajse 2000 kur platforma u ekspozua në media. Thotë se nuk donte ta besonte. Gjente çdo arsye për të menduar se mediat gënjenin dhe Leo kishte të drejtë, kur thoshte se “XUEX ishte e vërtetë, jo si platformat e tjera mashtruese dhe po sulmohej padrejtësisht për interesa të fshehta”.

Ekspozimi publik

Më 26 gusht gjithçka ndryshoi. Teksa lundronte në Instagram, sytë i ranë mbi një shkrim të publikuar nga portali “Jeta osh Qejf” (JOQ) me titull: “Skema piramidale online, TXEX po grabit shqiptarët”. Në fillim, thotë se u ndje i qetë: nuk ishte XUEX, por një tjetër platformë, TXEX, dhe ai e kishte të lehtë ta bindte veten se hajdutja ishte ajo.

Por vetëm një ditë më pas JOQ publikoi një tjetër artikull, kësaj here për XUEX‑ën. Nuk donte ta besonte. Miqtë e tij kishin fituar, kushërinjtë kishin tërhequr shuma parash, dhe kjo nuk mund të ishte e pavërtetë. Në mendjen e tij ky ishte një sulm mediatik i pabazuar.

Denoncimi 

Pas publikimit nga JOQ më 26 gusht, deputeti Erion Braçe ngriti i pari alarmin në nivel zyrtar.  Ai e quajti fenomenin “piramidat e reja, online, në çdo telefon” dhe paralajmëroi se Divjaka ishte goditur me mbi një mijë persona të përfshirë.

Deputeti u bëri thirrje qytetarëve të tërhiqeshin menjëherë dhe të dorëzonin telefonat në polici, që hetuesit të ndiqnin gjurmën e parave.

Menjëherë pas sinjalizimit të Z. Braçe, më 28 gusht dolën me njoftime publike Policia e Shtetit, AKSK dhe AMF.

Policia e Shtetit doli me një deklaratë më 28 gusht, duke njoftuar nisjen e një hetimi penal për skemat e dyshuara piramidale online. Drejtoria e Krimit Kibernetik dhe ajo e Krimit Ekonomik & Financiar u angazhuan për dokumentimin ligjor.

Reagimet 

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëroi publikisht se TXEX, XUEX dhe Grokrexduu ishin platforma mashtruese.

Si ra në gjurmët e tyre?  AKSK sqaroi për Faktoje se ishte vënë për herë të parë në dijeni më 28 gusht, përmes një e-maili elektronik të deputetit të PS, Erion Braçe. Pasi identifikoi “domain-et xuexa[.]com dhe grokrcoiod8[.]com”, AKSK  ia përcolli Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për bllokim. AKEP konfirmoi për Faktoje se kishte urdhëruar menjëherë bllokimin e domain-eve të përcjella nga AKSK: TXEX, XUEX dhe Grokrexduu.

Sipas institucionit, operatorët kryesorë të internetit e zbatuan menjëherë urdhrin, ndërsa për të tjerët vijon monitorimi.

AKEP paralajmëroi gjithashtu se moszbatimi i bllokimit përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë gjoba.

Asnjë denoncim nga qytetarët 

AKSK nënvizoi se, deri në momentin e kthimit të përgjigjes për Faktoje, nuk kishte marrë asnjë raportim nga qytetarët e prekur, njësoj edhe Policia. Kjo e fundit, tha për Faktoje, se çështja është aktualisht në hetim dhe çdo informacion i mëtejshëm i takon prokurorisë.

Kush i kontrollon këto platforma? 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njoftoi publikisht se platformat nuk kishin asnjë licencë për të operuar në Shqipëri dhe se mekanizmi i “sinjaleve të blerjes” ishte krejtësisht fiktiv. Në përgjigjen për Faktoje, AMF nuk shtoi asgjë më shumë përtej këtij njoftimi, duke rikujtuar se deri më sot nuk ka licencuar asnjë subjekt për tregje të bazuara në teknologjinë blockchain.

Banka e Shqipërisë në përgjigjen e saj zyrtare, sqaroi se nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi këto platforma. Por theksoi se bankat tregtare janë të detyruara të raportojnë çdo transaksion të dyshimtë, sipas kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave.

Fajtori, jetim   

“AMF thotë ‘ne licencojmë kur na kërkohet’, pra roli i saj është pasiv. Policia aktivizohet vetëm pas një sinjalizimi, jo mbi bazë monitorimi të tregut. AKSK pret denoncime, por nuk ka mekanizma për të monitoruar në kohë reale. AKEP thirret në fund të zinxhirit për të bllokuar domain-et, por shpesh kjo nuk bëhet në mënyrë sistematike dhe disa faqe mbeten aktive edhe pasi shpallen mashtruese,” vëren për “Faktoje” ekspertja e kriptovalutave, Denisa Kele.

Sipas saj, problemi thelbësor është se askush nuk mban përgjegjësi të plotë.

“Duhet një njësi kombëtare e përhershme për mashtrimet online, që të bashkojë AMF, Policinë, AKSK dhe AKEP në një tryezë. Sinjalizimet duhet të shkojnë aty, të analizohen dhe urdhrat të dalin menjëherë. Nëse një domain shpallet mashtrues, AKEP dhe operatorët duhet të detyrohen me ligj ta bllokojnë brenda një kohe fikse, jo me vonesa, jo si rekomandim. Vetëm kështu kjo skemë mund të ndalet realisht,” thotë ajo.

Investimet në kriptomonedha

Denisa Kele, eksperte në tregtinë e kriptomonedhave, zbulon më shumë mbi këtë fushë ende pak të njohur për publikun shqiptar. Që në fillim, Kele e bëri të qartë se: “Investimi në kriptomonedha nuk funksionon sipas logjikës ‘sot fut para dhe nesër i ke dyfish’. Një gjë e tillë është e pamundur. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi kohën apo përmasën e fitimit. Premtimet për fitime të shpejta janë tregues klasikë të një skeme piramidale”

Sipas saj, ka disa elemente ku ndryshojnë platformat mashtruese nga ato të rregulluara, me licenca ndërkombëtare.

“Mashtruesit përdorin platforma demo për të të bërë të besosh se po fiton, kur në fakt gjithçka është e fabrikuar,” sqaron ajo. Në këto versione “demo” zakonisht shkruhet qartë “demo account”, nuk ka para reale dhe kur provon të bësh “Withdraw” (tërheqje) procesi nuk funksionon. Platformat mashtruese zakonisht nuk kërkojnë asnjë identifikim. Platformat reale, të licencuara kanë procedura KYC (Know Your Customer/Njih përdoruesin tënd) ku ngarkon kartën e identitetit, një foto personale dhe një selfie për regjistrim.

“Investimi në kriptovaluta është i ligjshëm dhe i pranuar gjerësisht në shumë vende të botës, por mashtrimet online po shfrytëzojnë boshllëkun e informacionit dhe mungesën e përvojës tek qytetarët,” shpjegon ekspertja.

Megjithatë, këto skema, sipas saj, nuk janë një fenomen thjesht shqiptar. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Itali e Rumani, ku shumë njerëz u mashtruan sepse nuk arritën të bëjnë dallimin mes një investimi të ligjshëm dhe një mashtrimi.

“Për të ngritur një platformë të tillë duhet të jesh ekspert i teknologjisë së informacionit. Janë grupe të organizuara me dije të thella teknologjike, jo individë të zakonshëm,” nënvizon Kele.

Certifikatat e rreme 

Në grupet e XUEX-ës, administratori Leo Smith kishte shpërndarë tre “certifikata” (të cilat Faktoje.al i disponon) për të krijuar idenë e një platforme të ligjshme. Por siç sqaron ekspertja e kriptomonedhave Denisa Kele, dokumentet nuk kanë asnjë vlerë financiare.

“Janë vetëm regjistrime biznesi, jo licenca. Mund t’i marrë kushdo për pak dollarë dhe platformat mashtruese i përdorin si mbulesë legjitimiteti,” shpjegon ajo.

Në realitet, sipas saj, vetëm licencat e autoriteteve si FCA (Britani), CySEC (Qipro), BaFin (Gjermani) apo SEC (SHBA) garantojnë se një platformë është e rregulluar.

Kush është në të vërtetë “profesori”? 

Edhe pse emri Leo Smith tingëllon real, ai nuk ka asnjë lidhje me persona të vërtetë që mbajnë këtë emër. Në internet gjenden figura të ndryshme, një ish-drejtor financiar në New Hampshire që vetë ra viktimë e një mashtrimi kibernetik, një investitor amerikan i pasurive të paluajtshme, madje edhe muzikanti i njohur i xhazit Wadada Leo Smith, por asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me XUEX-ën.

Në portalin EG Investment, ai prezantohet si “Anthony Leo Smith”, i lindur në vitin 1985 në SHBA, me doktoraturë në Princeton, ish-president i një shoqate financiare amerikane dhe ekspert në parashikimin e të dhënave me përvojë investimi”.

Por asnjë nga këto të dhëna nuk verifikohet në regjistrat publikë apo në ndonjë burim serioz akademik e profesional.

Në të vërtetë, jashtë kontekstit të grupeve në Telegram, faqeve false dhe raportimeve mbi mashtrimin, nuk ekziston asnjë person real që përputhet me profilin e këtij ‘profesori’.

Pritja… 

Në valën e të gjitha këtyre zhvillimeve, i riu nga Librazhdi ende po priste dyfishimin e shumës së tij në platformë që të mund të tërhiqte paratë. Sipas rregullave të XUEX‑ës, nëse i tërhiqje paratë pa u bërë dyfishi, platforma mbante 20% të tyre. Kur shuma dyfishohej, mbahej vetëm 5%. Për këtë arsye, ai donte të besonte ende në fjalët e bukura të Leos se çdo problem me tërheqjen vinte nga bllokimet qeveritare e institucionale, jo nga mashtrimi.

Madje, edhe pse AKSK dhe institucione të tjera deklaruan publikisht se kishin bllokuar këto platforma, ai thotë se vijonte të aksesonte XUEX‑ën dhe grupin në Telegram pa asnjë lloj problemi dhe pa përdorur VPN.

Për të, asgjë nuk kishte ndryshuar.

Një përdoruesi të thjeshtë si ai, që s’kishte futur asnjë person tjetër e s’kishte marrë asnjë bonus, i duheshin rreth 40 ditë për ta dyfishuar shumën e futur. Kishte llogaritur se shuma do t’i dyfishohej më 2 ose 3 shtator, por ky afat nuk u arrit. Tani priste datën 8 ose 9 shtator. Por kjo pritje nuk do të zgjaste shumë.

Në 4 shtator, Leo Smith dërgoi mesazhin e tij të fundit. “Paratë, –  tha ai, – ishin bllokuar dhe do të mund të tërhiqeshin vetëm në 1 gusht 2026”.

Nga XUEX tek SKLCOIN

Leo Smith vijoi të mbante të gjallë shpresën e përdoruesve me premtime për fitime dhe mbështetje.

Që prej datës 4 shtator, ai u propozoi përdoruesve një alternativë të re: një platformë të quajtur SKLCOIN. Në grupin e Telegramit, ku sot janë rreth 8 mijë anëtarë, ai reklamon çdo ditë SKLCOIN-in.

Fitim fiks ditor prej 1.65%. Tre sinjale tregtimi çdo ditë. Mundësi tërheqjeje “në çdo kohë”, me një komision prej 20%. Për më tepër, nëse depoziton mbi 1,000 dollarë para datës 15 shtator, të ofrohet një “bonus” prej 50%.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Leo vazhdon të rekrutojë përdorues në këtë platformë të re.

Epilog

Për të riun nga Librazhdi, humbja ishte e prekshme dhe e vërtetë. “Më ikën 1000 dollarë, rreth 90 e ca mijë lekë,” tha ai, duke pranuar se do t’i duhej të punonte jo pak për t’i bërë paratë që kishte humbur.

Këmbënguli ta ndante historinë e tij me Faktoje.al, por kërkoi të mbetej anonim. Me motivin se familja e tij nuk ishte në dijeni të situatës dhe i rëndej të “dilte” publikisht si i mashtruar.

Edhe pse e përshkroi përvojën si një mësim të hidhur, ai ende nuk është larguar nga grupet e XUEX-ës në Telegram.

Në mesazhin e tij të fundit drejtuar Faktoje.al, ai kërkoi: “Më mbani të përditësuar”.

/Jona Cenameri – Faktoje.al

Etiketa: administratoretfirma piramidalegrupgrupetmashtrimionlineplatformaprofesoriqytetarëtTelegramXUEXZhvatje

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Kishin rol kryesor, çifti Ereledio dhe Alma Shebeku në kërkim për mashtrimet me “Xuex”

15:17 : 14/09/2025
AKTUALITET

Goditet grupi i kriptomonedhave në Fier, 6 në pranga, 2 në kërkim! Zbardhet skema e mashtrimit

12:12 : 14/09/2025
AKTUALITET

Mashtrimet me platformat XUEX dhe TXEX, 6 të arrestuar, 2 në kërkim! Ja skema që përdorej (Emrat)

11:24 : 14/09/2025
AKTUALITET

Mashtrimi me platformat Xuex dhe TXEX, disa persona të arrestuar

10:45 : 14/09/2025
AKTUALITET

Mashtrimi financiar përmes XUEX, Braçe: Po mashtrohen shqiptarët jashtë vendit

20:09 : 31/08/2025
AKTUALITET

Mashtrimet online me ilaçet, përdorin imazhet e mjekëve për të bindur të moshuarit për “mrekullinë”

20:05 : 07/08/2025
Para
Në FOTO: CEO i CVMR Kamran M. Khozan/ Kryeministri Edi Rama/ Theodhor Laci

Ish-këshilltari i qeverisë kthehet në investitor strategjik, “rrëmben” 50 hektar truall në Prrenjas

TË GJITHA

Rusia paralajmëron BE-në: Do të ndjekim çdo shtet që kërkon të marrë asetet tona

15:42 : 15/09/2025

Akuzoheshin për spiunazh për Kinën, Prokuroria shpall të pafajshëm dy shtetas britanikë

15:37 : 15/09/2025

325 ish-zyrtarë të BE-së i bëjnë thirrje OKB-së: Vendosni sanksione ndaj Izraelit

15:30 : 15/09/2025

U dhunuan nga hajdutët, të moshuarit: Pamë tmerr, na godisnin me shkop pa pushim, grabitën 2 mijë euro

15:29 : 15/09/2025

Euro e nis javën në rënie, bie për herë të parë poshtë 97 lekëve

15:19 : 15/09/2025

Pensionet greke në rënie, shifra mesatare zbriti në 783 euro bruto

15:15 : 15/09/2025

Ambasada amerikane në Kosovë: Na duhet partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese

15:00 : 15/09/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com