Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar sërish ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) pas publikimit të disa fotove që sipas tij paraqisnin gabimisht Shpellën e Spillesë në Himarë.
Pas denoncimeve të Tares për betonizimin dhe shkatërrimin e hapësirës historike, ministri Blendi Gonxhja reagoi duke publikuar disa foto të supozuara të projektit të shpellës dhe duke mohuar pretendimet për ndërtime të paligjshme.
Tare shkruan se fotot e publikuara nga MEKI nuk i përkisnin Shpellës së Himarës, por një shpellë në provincën Huashan të Kinës. Ai theksoi se imazhet mund të verifikohen lehtësisht dhe i konsideroi si një tentativë e dështuar për të mashtruar publikun.

Reagimi i Auron Tares:
Shokë të MEKI-t, të jemi pak më seriozë dhe mos u tallni me taksapaguesit tuaj.
Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spilës më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.
Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellen në Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.
Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund.
Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij.
Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe.
Në fakt, mua më deshen pak me shume se 10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpellë Kineze, në provincën e Huashan.
Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është:
A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spillesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit?
Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spillesë, një shpellë që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerik?
Sugjerim për drejtuesin e MEKI-t:
Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spillesë, bazuar në zbulimet arkeologjike.
Ky projekt kërkon specialistë të mirëfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektrikistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull.
Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik.
Tare me hërët ka denoncuar gjendjen e Shpellës së Spillesë në Himarë. Ai publikoi pamjet e postuara nga një qytetar i zonës dhe theksoi se ky monument ka rëndësi të jashtëzakonshme për trashëgiminë historike dhe turizmin kulturor. Sipas Tares, pamjet e betonizimit flasin vetë dhe tregojnë shkatërrimin e hapësirës historike.
Shpella e Spilës në Himarë, e njohur edhe si “Shpella e Odiseut” dhe e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një nga thesaret më të rëndësishme arkeologjike dhe historike të bregdetit jugor të Shqipërisë dhe mbart vlera të jashtëzakonshme për turizmin kulturor.
LEXO EDHE:
Skandal në Himarë/ Betonizohet shpella mitike e Odisesë, kthehet në lavazh