Nga Xhovan Shyti
Kur gjigantët e huaj dominojnë një treg të vogël, një transportues kombëtar nuk është luks, është qëndrueshmëri dhe identitet.
Thashethemet vijnë e shkojnë, sidomos në Shqipërinë tonë të bukur të mbushur me probleme të mëdha.
Ato vazhdojnë e vazhdojnë dhe helmi shtohet çdo herë e më shumë e natyrshëm vjen ndonjëherë pyetja: Pse? Cili është qëllimi? Pse nuk e duam njëri-tjetrin? Pse dëshirojmë ta shikojmë keq njëri-tjetrin dhe fillojmë e fantazojmë lajme, disa të pavërteta, disa gjysmë të vërteta dhe disa të tjera komplet të sajuara.
Që nga viti 2022, tituj të ndryshëm kanë parashikuar falimentimin e “Air Albania”. Ka qenë në publikime të shumta nëpër media dhe portale të ndryshme, megjithatë çdo mëngjes bishti i kuq ngrihet nga Rinasi, dhe çdo mbrëmje një tjetër kthehet me familjarë, studentë dhe punonjës në bord. Në një industri të vështirë dhe në kohë të vështira, kompania ende fluturon dhe mban mbi krahë diçka më shumë se pasagjerë: emrin tonë.

Pak histori
“Air Albania” u prezantua në mars 2017 dhe u themelua më 16 maj 2018 me një ide të thjeshtë, por ambicioze: fjala “Albania” të shihej dhe dëgjohej në aeroportet e botës. Akoma më kujtohet ai çast kur edhe ne kishim linjën tonë ajrore njëlloj si shumë vende të tjera të Europës. Por në historinë e Shqipërisë fati gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe fatkeqësisht në shumë raste nuk ka qenë pranë saj dhe me “Air Albania”-n ka ndodhur po njësoj.

Nga pandemia te ndryshimi
Menjëherë pas nisjes së fluturimeve dhe reklamimit të kompanisë, pandemia goditi aviacionin global. Shumë kompani të tjera u pezulluan ose u zhdukën; rrugët ajrore tashmë tregonin vetëm errësirën. Asnjë kompani nuk fluturonte në aeroportin e Rinasit që gjithashtu mbart një emër të madh të historisë sonë. Pikërisht atëherë u kuptua çfarë do të thotë një kompani ajrore shqiptare në qiell.
Me mbështetjen e të gjithë ortakëve vendas e të huaj, si dhe institucioneve publike, u mbajtën avionët në ajër për gjërat që kishin më shumë rëndësi, fluturimet e riatdhesimit për qytetarët shqiptarë dhe ngarkesat jetike mjekësore.
Ende në sytë e shqiptarëve janë pamjet kur “Air Albania” sillte avionin me vaksinat e para në bord që mbërrinin në Tiranë, ndërsa disa kryeqytete më të mëdha europiane dhe botërore akoma prisnin. Ajo ulje ishte një premtim i mbajtur se tashmë Shqipëria po rritet dhe po i afrohet çdo ditë e më shumë Europës.
Rikthimi pas pandemisë
Nuk mund të ishte i lehtë rikthimi pas pandemisë. Deri në vitin 2021, tre avionë, ambasadorët e “Air Albania”, Migjeni, Lasgushi, Naimi, u rikthyen në qiell. Por rritja dhe zhvillimi i “Air Albania”-s hasi disa “turbulenca” të reja përballë.

Një gjigant global me kosto të ulët hapi bazë në Shqipëri me disa avionë dhe dhjetëra destinacione; pak më vonë mbërriti edhe një tjetër gjigant i aviacionit global. Efekti ishte i menjëhershëm: çmimet ranë në disa linja, zgjedhja u rrit dhe turizmi mori hov.
Ishte një bekim për vendin tonë të vogël, por konkurrenca në atë shkallë ka pasoja. Kur dy gjigantë globalë marrin më shumë se 80% të një tregu të vogël, çdo konkurrent tjetër e ndien.
Disa fatkeqësisht nuk mbijetuan dhe disa të tjera filluan të vuajnë pasojat. Duhet ta festojmë hapjen e Shqipërisë ndaj botës, por duhet të jemi edhe të ndershëm për atë që humbet kur tabelat e nisjeve dominohen vetëm nga marka të huaja.
Lind pyetja se çfarë sjell një kompani kombëtare që të tjerët s’mund ta sjellin?
Mjafton të shohësh faqen zyrtare të “Air Albania”-s apo rrjetet e saj sociale dhe shikon që kjo kompani thekson se ofron shërbimin dhe vlerat. Në shumë linja, “Air Albania” përfshin ende një bagazh të regjistruar dhe ofron vakt të ngrohtë në bord. Mund të duket e thjeshtë, por për familjet, studentët dhe të moshuarit kjo bën diferencën mes një tarife të ndershme dhe një tarife që të “befason” më vonë.

Kujdesi
Pasagjerët theksojnë shpesh edhe kujdesin. Asistencë për pasagjerët e moshuar ose me probleme shëndetësore, përfshirë oksigjen kur kërkohet nga ana mjekësore, mbështetje me mirëkuptim për ata që udhëtojnë për arsye familjare të dhimbshme dhe trajtim i shpejtë i ngarkesave mjekësore urgjente. Këto nuk janë slogane; janë zgjedhje që bën kjo kompani dhe tregon vlerat që mbart dhe atë çfarë do të jetë.
Kultura
Jo pa qëllim avionët e “Air Albania”-s mbajnë emrat e shkrimtarëve tanë, Migjeni, Lasgushi, Naimi, Fishta, duke çuar copa të historisë sonë në çdo portë europiane ose jo. U kujton të tjerëve kush jemi dhe na kujton se edhe ne i përkasim Europës dhe botës.



“Air Albania” nuk është thjesht një kompani tjetër në treg, por një profil i ri i aviacionit shqiptar në botë.
Për të treguar diferencën që ka në treg duke pasur në themel shërbimin dhe cilësinë ndaj pasagjerëve të saj, vlerat, pse jo dhe historinë tonë, “Air Albania” është një krenari me gjithçka që na sjell pranë.
“AIR ALBANIA”

“Air Albania” ka një staf të përgatitur dhe të trajnuar profesionalisht në një nga akademitë pararojë të arsimit në fushën e aviacionit, të përkushtuar që çdo shërbim të mos ketë konkurrencë.
Janë trajnuar mbi 300 punonjës të rinj në aviacion dhe shumë prej tyre tashmë po operojnë edhe një nga linjat më të mira europiane dhe globale falë “Air Albania”-s. Një kompani me kapital shqiptar, e cila ndihmon ekonominë shqiptare, mundëson qindra-mijëra transaksione në bankat vendase dhe ndihmon në rritjen e ekonomisë së Shqipërisë.
Ekonomia
Çfarë impakti të madh financiar do të kishte në arkat e shtetit tonë dhe sa shumë mundësi të tjera do të krijoheshin nëse këtë që po ofrojnë kompanitë low-cost të kishim mundësi ta gjeneronim vetë në Shqipëri?!
Si referencë po marr rajonin tonë, ku lehtësisht gjen të dhëna që flasin shumë. Le të shohim atë pjesë që akoma nuk është në EU (Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Republika e Maqedonisë Veriore).
Vetëm në Serbi ekziston një tjetër kompani ajrore e suksesshme me kapital 100% shtetëror dhe në vitin 2024 xhiroja e saj përllogaritej ~ 700 milionë euro dhe kishte rreth 52% të tregut. Sa shumë mund të bëhej në vendin tonë me vlera të tilla. Sa shumë do të ndihmohej ekonomia jonë vendase, ndërkohë që aktualisht një vlerë tjetër shumë herë më e lartë se kjo qëndron në bankat europiane, jashtë sistemit bankar të Shqipërisë.
“Air Albania” është pararojë e një industrie të re të aviacionit që mund të zhvillohet në vendin tonë me mundësi të mëdha.

Një linjë ajrore vendase mund të krijojë urat e duhura për të krijuar një Akademi Edukimi dhe Zhvillimi për teknikë të lartë, pilotë, të gjithë ekuipazhin dhe të fuqizojë një ekonomi komplet të re e akoma më e rëndësishme të krijojë dhe të plotësojë ëndrrat për të gjitha gjeneratat e fëmijëve shqiptarë, të cilët kanë ëndërruar të bëhen aviatorët e së ardhmes.

Lind sërish pyetja: Pse shërbimi i “Air Albania”-s nuk është i përsosur?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe të gjithë e dimë. Asnjë linjë ajrore nuk është. Avionët pësojnë defekte teknike, furnizimet vonohen, moti mbyll aeroportet, ekuipazhet përfundojnë orarin e tyre, konkurrenca ul çmimet nga ora në orë.
“Air Albania” ka pasur pjesën e vet të problemeve dhe kritikave, disa të drejta, diku siç theksuam gjysmë të vërteta apo totalisht të pavërteta.
Por një krahasim i ndershëm me konkurrentët do të thotë të shohësh të gjithë ofertën, jo vetëm çmimin në një etiketë. Nëse një biletë përfshin bagazh, vakt dhe politika humane për ata që kanë nevojë për ndihmë shtesë, atëherë disa euro diferencë nuk janë “ndëshkim”, janë zgjedhje për llojin e ekosistemit të udhëtimit që duam të ruajmë.
Dhe një pyetje e fundit që më vjen ndërmend.A jemi të sigurt që tregu i aviacionit në Shqipëri të kontrollohet nga kompanitë e huaja globale?
Mbi 80% e tregut tonë operohet nga 2 kompanitë low-cost më të forta globalisht. Mos më keqkuptoni, është një bekim për ne që këto kompani janë në Shqipëri. Na është dhënë mundësia për të udhëtuar dhe vizituar miqtë tanë, familjarët tanë dhe botën me 14.99 euro.
Çfarë mund të kërkojmë më shumë nga kjo e mirë kaq e madhe për Shqipërinë, sidomos kur memoria është akoma e freskët dhe i kujtojmë shumë mirë çmimet para vetëm para 6 vjetësh. Por ka një kosto kjo e mirë e madhe?
Shqipëria dhe kontrolli i tregut

80% e kontrollit të tregut është një peshë shumë e lartë dhe nga logjika ekonomike jemi mësuar që është më mirë të mos i vendosim në një shportë të gjitha vezët.
Po sikur kompanitë globale të vendosin prioritetet strategjike diku tjetër? A do të qëndrojnë këtu nëse kërkesa bie ose kostot rriten apo avionët do të riorientohen brenda natës në një bazë tjetër europiane?
Nuk ka asgjë të gabuar që linjat ajrore globale ndjekin eficiencën; për këtë janë ndërtuar. Por ka diçka të rrezikshme kur një vend ua dorëzon gjithë lidhjen e vet ajrore vendimeve që merren dikur larg në Europë.
Ditën kur të kemi vërtet nevojë për një fluturim, qoftë për transferta mjekësore, riatdhesim apo përgjigje ndaj një fatkeqësie natyrore apo luftëra, a do të donim të paktën një kompani ajrore shqiptare që mendon së pari për këtë vend, për Shqipërinë tonë?
Koha ka treguar që kjo pyetje herët a vonë, e sigurt që do të marrë një përgjigje dhe ne do ta kuptojmë, por deri atëherë do të preferoja që “Air Albania” të ishte mes shqiptarëve sa më e madhe dhe e fortë./ CNA