Nga Kurt Gostentschnigg
Komisia Letrare Shqipe në Shkodër 1916–1918 është një shembull i shkëlqyeshëm për ndërthurjen e të gjitha fushave relevante – Fusha e Politikës, Fusha e Ushtrisë, Fusha e Shkencës dhe Fusha Brückenkopf, shqip Urë Lidhëse – lidhur me marrëdhëniet austro-hungareze-shqiptare. Ne i referohemi këtu Teorisë së Praktikës (Prakseologjisë) sipas Pierre Bourdieu-s, e cila përmban këta terma kryesorë: Fushë, Habitus, Illusio, Doxa, Kapitale, si Kapital Ekonomik, Kapital Kulturor, Kapital Shoqëror dhe Kapital Simbolik, dhe Fushë e Pushtetit. Termi “Brückenkopf” i referohet modelit “Qendër-Periferi”, sipas të cilit bota përbëhet nga kombe në qendër dhe kombe në periferi, dhe çdo komb ka një qendër e një periferi të vetën. Një rol kryesor në këtë model luan i ashtuquajturi „Brückenkopf“, Urë Lidhëse, si baza e ndikimit të kombit në qendër mbi një komb në periferi. Është fjala për një klasë elitare vendase, e cila është e gatshme për kooperim dhe i përshtatet gjerësisht botëkuptimit të metropolit, me interesa vetiake për ruajtjen e raporteve ekzistuese. Ky model është pikënisja e Teorisë se Imperializmit Informal ose të Imperializmit Kulturor të Johan Galtung-ut me termat e saj kyç “dhunë strukturore” dhe “dhunë kulturore”.
Komisia Letrare Shqipe është themeluar me nismën e komisarit civil August Kral dhe është miratuar me urdhërin e komandës së korpusit ushtarak austro-hungarez më 30 qershor 1916. Ajo e filloi veprimtarinë e saj me mbledhjen e parë më 1 shtator 1916. Anëtarët e saj ishin gati të gjithë ekspertët për çështjet gjuhësore e letrare, të cilët gjendeshin asaj kohe në Shqipëri: Maksimilian Lamberc dhe Rajko Nahtigal si ekspertë këshillues, Gjergj Pekmezi si kryetar, i emëruar nga Komanda ushtarake austro-hungareze, Aleksandër Xhuvani, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Hil Mosi, Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Mati Logoreci, Ndue Paluca dhe Luigj Naraçi. Gjuhëtari shkodran Tomor Osmani jep edhe anëtarë të tjerë: Hafiz Ali Korça, Vinçens Prenushi, Sali Nivica dhe Josif Haxhimima. Në statutet e komisisë thuhej: “Komisia Letrare Shqipe e ka qëllimin dhe detyrën t’i shërbejë drejtorisë së përgjithshme të arsimit dhe sipas nevojës komandës së korpusit ushtarak si organ këshillues dhe mbështetës në çështjet e gjuhës shqipe (ortografi, terminologji, gramatikë të gjuhës letrare) dhe letërsisë shqipe. Ajo përbëhet nga drejtori i përgjithshëm i arsimit si kryetar, një zëvendës i kryetarit, një sekretar si dhe nga anëtarë të rregullt dhe korrespondentë (të jashtëm).” Si veprimtari të kësaj komisie numëroheshin: publikimi i veprave të paprintuara të shkrimtarëve shqiptarë, botimi i një reviste mujore (gjuhësi, letërsi, histori, raporte mbledhjesh) nën bashkëpunimin e mundshëm me albanologë të Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, botimi i librave shkollorë, botimi i një fjalori shqip-gjermanisht si dhe veprimtaria këshilluese për zyrat e tjera shqiptare lidhur me gjuhën shqipe. Gjuha dhe letërsia shqipe duhej të zhvilloheshin më tej, ortografia e të dyja dialekteve të mëdha të përmirësohej dhe të njësohej si dhe të krijoheshin fjalë të reja dhe terma teknikë për administratën dhe hartimin e librave shkollorë.
Një nga pikat kryesore të aktiviteteve të Komisisë Letrare Shqipe ishte krijimi i teksteve mësimore të përshtatshme për shkollat, e nisur në fillim të vitit 1917. Librat shkollorë më të mirë të monarkisë duhej të shfrytësoheshin si bazë për tekstet mësimore shqipe nën përdorimin sipas kuptimit të letërsisë shqipe ekzistuese dhe librat mësimorë duhej të hartoheshin sipas parimeve të moralit dhe etikës evropiane nën përjashtimin e të gjitha temave dhe tezave, të cilat ishin në kundërshtim me karakteristikat specifike të njërit nga tri konfesionet fetare në Shqipëri. Fishta, Logoreci, Paluca dhe Gaspër Beltoja, drejtuesi i zyrës së përkthimit, u ngarkuan me hartimin e librave të llogaritjes dhe leximit si dhe të një libri të vogël gjuhësor për shkollat fillore jo më vonë sesa deri më 15 prill 1917. Përveç kësaj Komisia Letrare Shqipe u udhëzua të hartonte të gjithë librat për shkollat qytetare (Bürgerschule) në mirëkuptim me drejtorinë e përgjithshme të arsimit dhe pjesërisht nëpërmjet anëtarëve të saj dhe pjesërisht nëpërmjet ekspertëve të tjerë. Komanda e korpusit theksoi se insistonte me forcë në përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër, sepse ajo ishte e vendosur ta ngrinte sistemin shkollor shqiptar në kohë sa më të shkurtër në një bazë moderne dhe vetëm kombëtare. Më pas ortografia dhe gjuha, të cilat duheshin aplikuar, u fiksuan në librat shkollorë, tekstet, të cilat duheshin krijuar, dhe ndihmat provizore, të cilat duheshin përdorur, u caktuan, personat, të cilët duheshin ngarkuar me punët redaktuese, u zgjodhën dhe një program pune i saktë dhe i kufizuar në kohë u caktua. Hartues të tjerë të teksteve mësimore, nga të cilat duhej eliminuar sipas udhëzimit të Ballhausplatz-it gjithçka që mund të kishte çuar në konflikte midis bashkësive fetare, ishin Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci dhe Ndre Mjeda.
Lidhur me çështjen e dialektit kishte një konflikt të brendshëm: një palë rreth Kralit dhe Lambercit donte të krijonte një gjuhë letrare të unifikuar në bazë të dialektit elbasanas, një palë tjetër rreth Pekmezit dhe Nahtigalit mbronte ekzistencën krah njëri-tjetrit të të dyja dialekteve të mëdha të gegërishtes dhe toskërishtes. Monarkia e Dyfishtë e kishte si parim të mos përzihej në çështjet faktike të njësimit të gjuhës, por përfaqësuesit e saj diplomatikë përpiqeshin të balanconin qëndrimet armiqësore midis palëve. Ballhausplatz-i anonte nga unifikimi i gegërishtes duke u nisur nga Shkodra dhe nga krijimi i parashkallës për vendosjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë shtetërore. Të gjitha vendimet, të cilat merreshin në këtë çështje aq të rëndësishme për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe për edukimin e popullit, i komunikoheshin nëpërmjet urdhrit të komandës së korpusit drejtorisë së përgjithshme të arsimit dhe Komisisë Letrare Shqipe. Më në fund Komisia Letrare Shqipe në një mendje me ministrinë e jashtme të Austro-Hungarisë e konfirmoi më 11 dhjetor 1916 vendimin e Kongresit të Elbasanit në vitin 1909 për ta zgjedhur dialektin e Elbasanit si bazë të një gjuhe të unifikuar kombëtare. Më 9 janar 1917 komanda e korpusit e miratoi nismën për të thirrur ekspertë të përshtatshëm, sidomos Xhuvanin, anëtarin korrespondent të komisisë dhe banues në Elbasan, për studimin më të hollë të dialektit të Elbasanit dhe të dialekteve të tjera të Shqipërisë së Mesme.
Në qendër të konfliktit përkatës qëndronte rivaliteti midis Kralit dhe Pekmezit, ecurinë e të cilit ne do të provojmë ta tregojmë në vijim nëpërmjet korrespondencës private midis Kralit, Rapaportit dhe Pekmezit si dhe nëpërmjet një memorandumi të Pekmezit. Qe Alfred Rapaporti, drejtuesi i departamentit për Shqipërinë në Ballhausplatz, i cili ia rekomandoi në fund të gushtit 1916 me argumente të forta Pekmezin komisarit civil Kral në Shkodër lidhur me formimin e një komisioni letrar shqip: “Ky idealizëm, i cili e dallon Pekmezin në mënyrë të leverdishme nga shumë bashkëatdhetarë të tij, do të shprehet gjithashtu këndshëm në veprimtarinë e tij në Shkodër. Qëllimi kryesor i këtyre rreshtave është të të lutem ta përkrahësh atë mundësisht në punën e tij. Në fakt, ne kemi për arsye të qarta një interes që gjuha e ardhshme e shkruar shqipe të mos formohej sipas dëshirave të disa shkodranëve, por të ketë më shumë një karakter gjithëshqiptar, siç i përgjigjet pikëpamjes së Pekmezit dhe gjuhëtarëve të tjerë dhe e kërkon nevoja, në qoftë se ne nuk duam t’i këpusim krejt lidhjet midis gegëve dhe toskëve.”Krali i premtoi Rapaportit të përkujdesej në çdo mënyrë për Pekmezin dhe e vuri njëkohësisht në dijeni për raportin e tij zyrtar mbi Komisinë Letrare Shqipe, të cilën e kishte themeluar ai vetë. Me anë të këtij raporti Rapaporti mund të mësonte se cilat mendime e kishin udhëhequr Kralin në themelimin e saj dhe cilat detyra të mëdha do t’i binin Pekmezit në drejtimin e saj. Por vetëm dy muaj e gjysëm më vonë pozita e Pekmezit si drejtues i komisionit ishte tashmë e vënë në pyetje dhe kundërshtia midis atij dhe Kralit ishte e dukshme, si del nga një shkrim privat i Pekmezit në adresë të Kralit: “Duke i dërguar zotit konsull i përgjithshëm shtesën e raportit tim, unë e marr guximin të tregoj edhe një herë diferencat, të cilat kanë lindur mjerisht lidhur me kryerjen e detyrës së komisisë. E bëj këtë sepse pas një gjykimi të matur dhe duke i kujtuar bisedat e mia në ministrinë e jashtme në Vjenë, unë mendoj se duhet të tërheq vëmendjen për faktin se krijimi i një të ashtuquajture gjuhë zyrtare sipas propozimit të Gurakuqit, në të cilën duhej të hartoheshin edhe librat shkollorë, nuk ka qenë synimi i ministrisë së jashtme në Vjenë dhe nuk është parashikuar në statusin e komisisë, lëshuar nga komanda më e lartë në Shqipëri. Në qoftë se ne provonim të krijonim një gjuhë të përzier, e cila nuk do të ishte e bazuar në shkencë, ajo do të ishte në thelb gege, sepse komisia përbëhet vetëm nga gegë, me përjashtim të personit tim dhe të Pecit. Kështu që do të ishte më mirë të botonim tani dhe deri në vazhdim në gegërisht. Duhet të mendojmë se shumë njerëz, të cilët do të kthehen me siguri pas luftës në vend, nuk do të pranojnë një gjuhë të tillë të përzier. Edhe Atë Gjergj Fishta do të vazhdojë të përdorë gjuhën e vet për publikimet e tija private. Kam frikë se do të na duhet t’i heqim përsëri librat shkollorë të hartuar në këtë gjuhë, si na ka ndodhur një herë për shkak të çështjes së alfabetit. Përveç kësaj do të mund të kishte edhe pasoja politike. Ju lutem, zoti konsull i përgjithshëm, të merrni gjithashtu parasysh se unë si person konsiderohem vetëm si filolog për shkak të punës sime shumëvjeçare. Prandaj nuk mund të deklarohem dakord me një punë joshkencore. Më vjen shumë keq që nuk jam në përputhje me zotin konsull i përgjithshëm, por ministria e jashtme në Vjenë nuk më ka saktësuar pikëpamjen e saj lidhur me veprimtarinë time si kryetar i Komisisë Letrare Shqipe në një mënyrë të tillë se më duhet ta drejtoj komisinë gjithmonë kundër bindjes sime, gjë që do të duhej të ndodhte, në qoftë se më duhej vetëm të miratoja marrëveshjet e anëtarëve të veçantë. Nuk jam vetëm me bindjen time, ajo ndahet edhe nga Dom Ndre Mjeda, Sotir Peci dhe Hil Mosi, kështu që një vendim mazhoritar lidhur më këtë nuk do të ishte i mundur.” Pekmezi ndihej i tradhëtuar dhe i braktisur nga Ballhausplatz-i si dhe i hedhur në një konflikt të ndërgjegjes për shkak të pozitës së tij të dyfishtë nga njëra anë si gjuhëtar, i cili ndihej i detyruar vetëm ndaj së vërtetës shkencore, dhe në anën tjetër si drejtues i një komisie, e cila kishte për të realizuar një qëllim politiko-gjuhësor në shërbim të unitetit kombëtar. Ndoshta pas lutjes së Kralit Rapaporti iu drejtua Pekmezit me anë të shkrimit të tij privat qetësues, i cili kishte funksionin t’i dilte krah atij që mbronte këndvështrimin shkencor, brenda komisionit dhe ta motivonte atë të vazhdonte punën si drejtues i komisionit: “Mbi të gjitha Ju duhet të mendoni se nuk mund t’i bënit opozitës joshkencore, me të cilën Ju duhet të luftoni, një nder më të madh sesa të hiqnit dorë. Me këtë do të ishte i larguar pikërisht i vetmi mbrojtës shqiptar i një pikëpamjeje linguistike dhe diletantizmit do t’i hapeshin të gjitha dyert … Sigurisht Ju nuk duhet të prisni që administrata ushtarake të miratojë kërkesat Tuaja në çdo gjë. Ajo pra nuk është një instancë kërkimore, por shtetërore, e cila merr në konsideratë krahas momenteve shkencore edhe gjykime të tjera. Pikërisht për këtë arsye Ju duhet të mbani vendin Tuaj me qëllim që të ngrini zërin Tuaj përherë në frymën e rezultateve të hulumtimit. Në formimin e gjuhës së shkruar shqipe duhet të dëgjohet pra edhe zëri i shkencës. Në disa, ndoshta edhe në shumë pika do të llogaritet me siguri edhe pikëpamja gjuhësore. Në rast se kjo nuk ndodh për një arsye apo për një tjetër, atëherë Ju mund të ngushëlloheni me mendimin se përgjegjësia për mosndjekjen e parimeve shkencore nuk do të bjerë mbi Ju, por mbi opozitën, dhe e ardhmja e mëvonshme do t’Ju japë të drejtë me siguri. Mbërritja e Palucës në Shkodër do të jetë për Ju patjetër një përkrahje e vlefshme, sepse ai është geg. Prandaj njerëzit do të kuptojnë se shkenca nuk qenka identike me pikëpamjen e toskëve, si paragjykojnë shumë shkodranë.“
Në mes të dhjetorit 1916 Krali u ankua tek Rapaporti për sjelljen destruktive të Pekmezit dhe i siguroi atij se kompromisi në çështjen e dialektit ishte arritur vetëm nëpërmjet ndikimit të Rapaportit mbi Pekmezin. Komisioni ishte themeluar kryesisht me qëllimin për të krijuar një ortografi të unifikuar për gjuhën shqipe dhe për t’i redaktuar dekretet, urdhëresat dhe publikimet e komandës së korpusit në një mënyrë shprehjeje, e cila ishte e kuptueshme në gjithë Shqipërinë. Kjo veprimtari e komisionit ishte e caktuar jo vetëm për të qenë me dobi praktike për administratën aktuale, por edhe për të vënë bazën për gjuhën e ardhshme shqipe të shkruar të unifikuar. Që prej javësh ose më mirë muajsh komisioni debatonte tani për çështjet gjuhësore lidhur me këtë program, ku ndikimi i Pekmezit fatkeqësisht nuk ushtrohej në frymën e një balancimi të kontradiktave ekzistuese, por më tepër në atë të një acarimi gati fanatik të tyre. Sipas Kralit ishte e vërtetë se disa shkodranë si etërit Fishta dhe Marlaskaj mbronin me vendosmëri forma të caktuara të gegërishtes, por megjithatë as ata nuk mund të mbyllnin sytë para qëllimit të madh të Vjenës, i cili ishte politikisht dhe kombëtarisht i rëndësishëm. Edhe ata kishin dhënë në mbledhje të ndryshme pëlqimin e tyre për një radhë të tërë risish, të cilat do t’i afronin në një masë të madhe mënyrën e të shkruarit dhe shqiptimin e gegërishtes me ato të toskërishtes. Në të dyja pikat e fundit punët e komisionit bllokoheshin, sepse Pekmezi, megjithëse Krali dhe të gjithë të tjerët ia kishin shpjeguar se kjo nuk i dilte përpara një zhvillimi gjuhësor, nuk ishte i gatshëm për ndonjë lëshim dhe kishte deklaruar komisionin si krejt të paaftë. Sipas Kralit tashmë disa javë më parë Pekmezi i ishte drejtuar komandës së korpusit krejt personalisht dhe pa dijeni të anëtarëve të tjerë të komisionit me kërkesën se së pari komanda e korpusit duhej t’i detyronte shqiptarët të përdornin një ortografi të caktuar, së dyti çdo përpjekje për krijimin e një gjuhe të shkruar të përbashkët duhej të braktisej dhe të dyja dialektet, edhe gegërishtja edhe toskërishtja, duhej të përdoreshin hëpërhë njëkohësisht dhe së treti komisioni duhej të forcohej nëpërmjet emërimit të një albanologu të dytë. Kërkesa e parë kishte qenë hapur në kundërshtim me programin e komandës së korpusit. E dyta kishte sjellë një acarim të kontradiktave ekzistuese, për të cilin monarkia do të ishte bërë përgjegjëse më vonë. Ajo do të çonte në praktikë gjithashtu në një vendnumërim të lëvizjes letrare në Shqipëri, sidomos në fushën e arsimit, dhe do të vështirësonte tej mase botimin e teksteve shkollore për gjithë Shqipërinë. Kërkesa e tretë synonte emërimin e profesorit Dr. Nahtigal nga universiteti i Graz-it, i cili ishte autori i vërtetë i veprave të ndryshme të botuara nga Pekmezi. Lidhur me këtë kërkesë të fundit Krali bëri një koment pak ironik, i cili nuk ishte në favor të prestigjit të Pekmezit: “Këtë kërkesë unë nuk mund ta emërtoj ndryshe përveç si një pranim të pamjaftueshmërisë dhe dobësisë së aftësive të tija, sepse ai nuk arrin absolutisht t’i zgjidhë vetë problemet. Unë e kuptoj shumë mirë se një pjesë kryesore e vështirësive të tija rezulton nga fakti se ai si ‘joshqiptar’ e zotëron fatkeqësisht gjuhën shqipe mjaft pak dhe para së gjithash e flet keq.“ Prapëseprapë Krali, për ta forcuar pozitën e Pekmezit, ishte marrë me të gjitha kërkesat e tija, të cilat kishin synuar gjetjen e aleatëve për të. Kështu me kërkesë të Pekmezit ishte themeluar një komision i posaçëm pune i Komisisë Letrare Shqipe me Naraçin, Mjedën dhe Xhuvanin si anëtarë të përzgjedhur nga Pekmezi vetë. Kur Xhuvani nuk kishte pranuar, Krali kishte miratuar menjëherë emërimin e Palucës, të kërkuar nga Pekmezi. Një bashkëpunëtor shumë i vlefshëm i komisisë ishte Gurakuqi, i cili mundohej t’i balanconte kontradiktat me takt të madh, arsimim të thellë dhe patriotizëm të flaktë dhe i kishte fituar kundërshtarët më të fortë fillestarë si Fishtën dhe Marlaskajin gati tërësisht për Pekmezin.
Komisari civil ndikonte vërtet pa u lodhur, por kot mbi kryetarin e komisionit, derisa Rapaporti ndërhyri me sukses tek Pekmezi, gjë që Krali e përshkroi si vijon në letrën e tij në adresë të Rapaportit: “Unë provova së pari të ndihmoja nëpërmjet bisedave të panumërta dhe shumë të gjata anëtarët e ndryshëm të komisionit të kapërcenin pikën e vdekur të këshillimeve dhe t’i siguroja Pekmezit artificialisht, pa u vënë re nga ai, një mazhoritet. Por ai qëndroi i papërkulshëm duke e quajtur veten si të vetmin albanolog të emëruar dhe të gjithë të tjerë si diletantë dhe injorantë. Sjellja e tij prej profesorit dhe krejt jopolitike, e cila përçmon mendimet e të tjerëve, ka krijuar natyrisht shumë pakënaqësi dhe përçarje. Kur as ndikimi personal nuk pati sukses, unë provokova një urdhër të komandës së korpusit, i cili ia saktësoi komisionit dëshirat e saja në mënyrë të qartë dhe energjike. Ndërkohë Pekmezi kishte marrë shkrimin tënd privat me datë 1 dhjetor 1916. Nuk mund të të falënderoj mjaftueshëm për argumentet e tua të shkëlqyeshme në shkrimin tënd, të cilat ishin pikë për pikë identike me pikëpamjet e mia. Efekti ishte i madh. Parimet e shprehura në të dyja dokumentet, para të cilave Pekmezi nuk mund të mbyllte më sytë, sollën në mbledhjen e komisionit me datë 11 dhjetor 1916 një pajtim të plotë të kontradiktave, kështu që dialekti i Elbasanit u pranua njëzëri si baza e një gjuhe shqipe të shkruar të përbashkët për gjithë Shqipërinë. Me këtë u zgjidh edhe çështja e një ortografie të përbashkët në kuptimin më të mirë.” Krali dhe anëtarët e komisionit ishin të entuziazmuar nga ky vendim që ishte një fitore e plotë e ideve të Pekmezit dhe mund të ishte konsideruar nga Shkodra gege, e cila ishte treguar deri tani gati fanatiko-separatist, si një konfirmim i vendimeve të atëhershme të kongresit të Elbasanit. Por, në vend që t’i zbatonte menjëherë, siç e kërkonte komanda e korpusit, vendimet e reja dhe të fillonte me mënyrën e re të të shkruarit edhe në „Posta e Shqypnis“ edhe në botime të tjera, Pekmezi, sipas Kralit, deklaronte tashmë në mbledhjen e datës 12 dhjetor 1916 se kjo nuk qenka e mundur, sepse së pari duhej kryer studimi i dialektit të Elbasanit dhe i dialekteve të tjera të Shqipërisë së Mesme nga albanologë me fonografë etj.. Deri atëherë nuk u lejoka ndryshimi i mënyrës së të shkruarit. Krali protestoi në mënyrë të prerë kundër qëndrimit të Pekmezit, të cilin e quante obstruksionist. Ai tërhoqi vëmendjen nga njëra anë për shansin unik të Pekmezit të mund të fitonte për vete Kapital Simbolik – për ta shprehur me vokabularin e Bourdieu-s – duke përmbushur detyrat e tija si kryetar komisioni, dhe në anën tjetër për dëmin edhe për aksionin austro-hungarez në Shqipëri edhe për Pekmezin personalisht, në qoftë se ai vazhdonte të këmbëngulte në pikëpamjen e tij shkencore: “Nuk dua të lejoj që suksesi mezi i arritur të reduktohet përsëri ose të zhduket krejt. Prandaj dua të bëj gjithçka për ta vënë në zbatim sa më shpejt mënyrën e re balancuese të të shkruarit dhe të të shprehurit. Nga kjo nuk i paraprihet aspak kërkimit shkencor dhe unë, aq sa e kam në dorë, nuk do ta kundërshtoj emërimin e ekspertëve të tjerë. Por do të më duhej të merrja qëndrim kundër faktit se çdo përparim do të shtyhej në kalendat greke, në qoftë se punëtorët e dëshiruar nga Pekmezi nuk ishin të gatshëm për udhëtimin për ndonjë arsye ose në qoftë se mblidheshin pengesa financiare. Mënyra të gabuara të të shkruarit ose shprehje të gabuara mund të korrigjoheshin më vonë sipas rezultateve të kërkimeve shkencore, siç është rasti në çdo gjuhë të gjallë. Por nuk mund të tolerohet që zhvillimi gjuhësor i shqipes, i rëndësishëm për shkak të arsyeve politike dhe kombëtare, të vonohet për hir të lavdidashjes personale. Me përdorimin siç duhet të pozitës së tij aktuale shumë të nderuar si kryetar i parë i Komisisë së parë Letrare Shqipe Pekmezi mund të fitonte shumë më shpejt dhe më lehtë lavdi shkencore sesa do të ishte rasti me një veprimtari kërkimore shumëvjeçare nëpër fshatrat e Elbasanit, rezultatet gjuhësore të së cilës shkenca duhej t’i priste ndoshta me vite. Është e dyshimtë nëse situata politike e popullit shqiptar në atë kohë më shumë të largët do të ishte e tillë që ai do të pëlqente një detyrim me pahir të kërkimeve të profesorëve. Gjithë prirja e popullit shqiptar për të pasur gjithmonë të drejtë, dhe të gjitha eksperiencat e deritanishme, sidomos në çështjen e alfabetit, flasin kundër kësaj. Nuk bëhet fjalë në praktikë t’i japësh një populli shkencërisht dhe teoretikisht variantin më të përsosur, por më tepër diçka që e bind inteligjencën e kufizuar të masës, i balancon kontradiktat ekzistuese dhe është e kënaqshme në përgjithësi. Zhvillimi, përsosja dhe zbukurimi i mëtejshëm në detaj mund t’i lihet vetëm një të ardhmeje më të largët … Por ne e kemi shumë për zemër ekzistencën e mëtejshme të Komisisë Letrare Shqipe, ajo është për ne një domosdoshmëri gjuhësore, kështu që do të me vinte shumë keq, në qoftë se Pekmezi vazhdonte të mos tregonte mirëkuptim për këtë apo edhe donte të dorëzohej. Do të të isha shumë mirënjohës, në qoftë se ti do të ndikoje edhe më tej mbi të në mënyrë përkatëse dhe t’ia tërhiqje vëmendjen atij për dëmin, të cilin një mungesë mirëkuptimi nga ana e tij do të duhej ta shkaktonte jo vetëm për aksionin tonë në Shqipëri, por edhe për të personalisht.“
Fjalë vlerësuese i gjeti Krali në mes të marsit 1917 edhe për bashkëpunimin e Lambercit që me gjithë mbështetjen e tij të mëparshme të pikëpamjes së Fishtës, i cili shihte në dialektin shkodran gjuhën e ardhshme të vendit, megjithëse ai nuk flitej asgjëkundi në Shqipëri, kishte nxitur një qëndrim të paanshëm të komisionit. Në tetor 1917 Pekmezi u vu në çështjen tjetër shumë të rëndësishme të rregullave ortografike të gjuhës shqipe të shkruar kundër atyre dy anëtarëve të komisionit, të cilët Krali në raportet e tija i kishte nxjerrë në pah në mënyrë lavdëruese: Lambercit dhe Gurakuqit. Prandaj komisioni mori në mospraninë e Pekmezit një vendim që u pranua nga komanda e korpusit. Si pasojë Pekmezi dha dorëheqjen. Krali, i cili e kishte mbështetur gjithmonë Pekmezin deri atëherë, e braktisi, sepse komanda e korpusit e shtrëngoi për një vendim. Arsyetimi i Pekmezit në kërkesën e tij të dorëheqjes lë të konkludohet që ai – pa marrë parasysh se kishte sigurisht motive shumë personale për vendimin e vet – ndihej më shumë si pjesëtar i Fushës Albanologjike sesa i Fushës Politike dhe i Fushës Brückenkopf: “Rezultati i studimeve të delegacionit shkencor në Shqipërinë e Mesme/Elbasan (Nahtigal, Lamberc, Pekmezi, Mjeda) tregon vërtetësinë e pikëpamjes sime se një gjuhë e shkruar ose gjuhë e njësuar nuk përcaktohet si rregull nga një komision, por nga shkrimtarë të rëndësishëm. Në rastin konkret njohësi më i mirë i gjuhës shqipe dhe shkrimtari i dalluar do të ishte Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani. Gjuha e këtij burri më ka shërbyer edhe si bazë për gazetën e redaktuar nga unë ‚Vellaznija‘, e cila ishte themeluar, para se të thirresha për në Shqipëri. Duhet të theksoj se kjo gazetë është gazeta më e lexuar dhe më e preferuar në gjithë Shqipërinë, çka është një dëshmi tjetër për vërtetësinë e pikëpamjeve të mia. Kur u ktheva nga pushimet për në Shkodër, për ta vazhduar punën në këtë frymë dhe për të arritur më në fund një sukses përfundimtar, vura re me keqardhjen time më të madhe se as planet e mia as rezultatet e studimeve shkencore nuk u respektuan, por punët shkuan në një drejtim, me të cilin nuk mund të pajtohesha në asnjë mënyrë duke pasur parasysh bindjet e mia shkencore dhe nderin tim.“
Nga dosjet e arkivit të konsullatës Shkodra në Arkivin Oborrtar Shtetëror në Vjenë del se rivaliteti midis Kralit dhe Pekmezit u acarua siç duket në një armiqësi personale, e cila u quajt në dosje “afera Pekmezi”. Sipas Kralit Pekmezi intrigonte kundër tij tek komanda e korpusit, për të gjetur mbështetje në Komisinë Letrare Shqipe nga një komisar i ri civil. Në këtë lidhje Krali përmendi mënyrën e keqe të jetesës së bashkëshortes së Pekmezit në Shqipëri. Sipas Pekmezit Krali linte të ndikohej nga kundërshtarët e Pekmezit dhe prandaj ai tregonte një qëndrim armiqësor ndaj Pekmezit. Krali ngriti bile një padi kundër Pekmezit për shkak të një thënieje nderfyese, nga e cila ai hoqi dorë më vonë pas një deklarate me shkrim nga ana e Pekmezit. Gjoja Pekmezi kishte pohuar në një kafene vjeneze se Krali paskësh fituar të ardhura plotësuese në monedha të argjendta.
Në korrik 1916 Pekmezi i kishte adresuar Kralit një memorandum, i cili – sipas shënimit në dosjen përkatëse – nuk i është paraqitur kurrë Kralit për arsye të papërmendura dhe i cili tingullon, duke vështruar prapa, me gjithë teprimet në disa pika si një profeci vetëpërmbushëse. Mund të supozohet se vija e argumentimit e shprehur në të ka qenë, të paktën në vija të përgjithshme, e njëjta, të cilën Pekmezi e ka mbrojtur më vonë brenda komisionit. Megjithatë është e vështirë të gjykohet nëse një paraqitje e mëparshme e memorandumit do të kishte kontribuuar në shmangien ose në shtimin e keqkuptimeve dhe paragjykime reciproke midis Kralit dhe Pekmezit. Sidoqoftë, Pekmezi e ndau memorandumin e tij të hollësishëm në tri aspekte: një shkencor, një politik dhe një personal. Sipas tij ai kishte marrë vesh rastësisht se administrata e Shqipërisë kishte planin për të ngritur një komision, detyra e të cilit të ishte në radhë të parë të ushtronte një ndikim vendimtar në zhvillimin e gjithë veprimtarisë intelektuale të popullit shqiptar nëpërmjet trajtimit të çështjeve gjuhësore dhe shkollore. Pekmezi kishte dëgjuar gjithashtu se ai do të kishte nderin e madh për t’u thirrur në këtë komision, nismëtari i të cilit ishte konsulli i përgjithshëm Kral. Duke kuptuar nga njëra anë plotësisht fisnikërinë dhe rëndësinë e qëllimit, në të cilin bazohej ky komision, dhe në anën tjetër vështirësinë dhe përgjegjësinë që peshonte mbi supet e anëtarëve të komisionit, ai donte të shprehte mendimin e vet lidhur me suksesin e parashikueshëm të kësaj ndërmarrjeje së planifikuar dhe ta parashtronte në aspektin shkencor, politik dhe personal.
Për sa i përket shkencës, Pekmezi mendonte “se komisioni i planifikuar, për shkak të përbërjes së tij, si do që të jetë ajo, nuk do të jetë në gjendje ta kryejë detyrën e kërkuar në një mënyrë të dëshiruar dhe të kënaqshme. Lidhur me shqyrtimin dhe trajtimin e çështjeve të një gjuhe, e cila qëndron ende në fillimin e zhvillimit të saj, një vendim i padiskutueshëm shkencor mund të pritet vetëm nga ekspertë … Por kjo njohje u mungon burrave, të cilët me shumë gjasa do të thirren në komision. Ata të gjithë i afrohen punës me një paragjykim, i cili mbështetet në ambiciet e një fisi të vetëm gjuhe. Përveç kësaj nuk është askush midis tyre, i cili do të kishte formimin e duhur shkencor dhe shkollimin e duhur filologjik.“ Le të dijë njëri ose tjetri dialektin e vet njësoj me gojë dhe me shkrim, madje të ketë një veprimtari poetike dhe letrare – për përcaktimin e një gjuhe të shkruar dhe një ortografie, të cilat të gjitha fiset shqiptare i kanë të përbashkëta me njëri-tjetrin, ata megjithatë nuk qenkan të aftë. Nga poeti dhe shkrimtari deri tek filologu dhe gjuhëtari ishte njësoj larg si nga gjuhëtari deri tek letrari. Në historinë e letërsisë së popujve të tjerë gjendeshin shembuj se çështje të diskutueshme të gjuhës kishin shkaktuar konflikte që kishin zgjatur me dekada. Kështu kishin filluar luftërat dhe armiqësitë më të ashpra, kur Vuk Stefanović Karadžić-ie fuste gërmën –j– në gjuhën serbe. Karadžić-it i duhej ta linte vendin, megjithëse pikëpamja e tij kishte qenë e drejtë dhe zinte vend më vonë. Në gjuhën shqipe kishte probleme të ngjashme. Duke iu referuar veprimtarisë së tij të parashikuar në komision, Pekmezi pohoi në mënyrë pesimiste: “Në komisionin e planifikuar pikëpamja ime shkencore do të gjente vetëm pak mirëkuptim dhe mbështetje. Në votim unë do të mbetesha vetëm me pikëpamjet e mia, gjë që do të kishte pasoja, të cilat dua t’i sqaroj në fund të parashtrimeve të mia. Për fatin tim të keq nuk mund të pres sipas përvojave të mia në komision, në të cilin vendos shumica, një zgjidhje të çështjeve të hapura, sidomos të atyre gjuhësore, e cila do t’u shërbente interesave të gjithë popullit shqiptar.“
Në aspektin politik sipas Pekmezit pasojat e zgjidhjes së çështjeve të hapura mund të merrnin një rëndësi të madhe. Komisioni, i cili mblidhej në Shkodër, do të kishte kryesisht ose vetëm anëtarë shkodranë, të cilët donin të arrinin të vendoseshin vetëm pikëpamjet e tyre dhe të mos dilnin në asnjë mënyrë mendime të tjera. Duke marrë parasysh mendjen e tyre, e cila e konsideronte dialektin shkodran si më të bukurin dhe priste të dilnin gjëra të mira vetëm prej Shkodrës, mbushja e mendjes së tyre për një pikëpamje tjetër përjashtohej gati krejt. Në qoftë se kërkesat e anëtarëve shkodranë gjenin një shumicë në votim dhe si pasojë pranoheshin nga administrata, dialekti i një fisi, i folur në një pikë të periferisë së Shqipërisë, do të ngrihej në gjuhën e shkruar. Komunikimi me fiset e tjera, të cilat ishin në drejtimin e kundërt të territoreve shqiptare dhe flisnin dialekte të tjera, jo vetëm do të vështirësohej jashtë mase, por edhe do të bëhej gati krejt i pamundur. Për shembull për një shqiptar nga Gjirokastra dialekti shkodran ishte sigurisht pakrahasueshëm më i vështirë sesa ndonjë dialekt i Shqipërisë së Mesme. Fiset e tjera shqiptare do të ndiheshin me të drejtë të lëna pas dore, në qoftë se dialekti shkodran parapëlqehej ndaj dialekteve të tyre. Në këtë lidhje Pekmezi, ndoshta me qëllim, dha një tablo shumë të zymtë të së ardhmes: “Do të shkaktohen armiqësi midis shqiptarëve vetë, pasojat e të cilave mund të kenë një ndikim të paimagjinueshëm. Populli shqiptar, i cili duhej të ishte i bashkuar dhe i forcuar në vetvete, duke qenë gjaknxehtë, do të çohej nëpërmjet veprimit të përmendur në një pikë, ku ai do të copëtohej. Përveç kësaj ekziston rreziku i madh se toskët, nëpërmjet pranimit të dialektit shkodran, do të ndiheshin të ngushtuar dhe të prapësuar në veçorinë e tyre gjuhësore dhe të lënduar thellë, kështu që do të fillonin të futeshin në aventura politike.“ Sipas Pekmezit, rrethanat vijuese mbështetnin pikëpamjen e tij: Në të gjitha kishat shqiptare të Italisë predikohej toskërisht, në të gjitha shkollat (p. sh. San Demetrio de Corona) jepej mësim toskërisht. Shkrimtarët shqiptarë në kohën e mëparshme dhe të sotme në Itali ishin toskë dhe shkruanin në dialektin e tyre. Një shqiptar që jetonte në Itali, kishte botuar një libër mësimor tek shtëpia botuese Otto Sauer në Heidelberg, i cili duhej t’ua mundësonte italianëve mësimin e dialektit tosk. Përveç kësaj ngrinte peshë ekzistenca e një kolonie të madhe dhe të organizuar mirë tosk në Shtetet e Bashkuara, e cila përdorte që prej shumë viteve vetëm toskërishten në gazetat dhe publikimet e veta letrare. Elementi tosk i shqiptarëve ishte, siç dihej, më i gjallë shpirtërisht dhe prandaj më i zhvilluar sesa ai geg. Pekmezi paralajmëroi për një ftohje të rrezikshme midis toskëve dhe Monarkisë së Dyfishtë: “Rrethanat e paraqitura mund të linin të dilte në Shqipëri një rrymë që mund të shkaktonte një ftohje të ngadaltë me shtetin, i cili duhej të konsiderohej si çlirimtari i Shqipërisë. Administrata rrezikohet që nëpërmjet komisionit të projektuar të arrijë të kundërtën e asaj që dëshiron.“
Në paraqitjen përfundimtare të momentit personal Pekmezi tërhoqi vëmendjen për rrezikun për Kapitalin e tij Simbolik – për të folur përsëri në kuptimin e Bourdieu-s –, duke përshkruar hollësisht situatën shumë delikate, në të cilën ai do të binte në mënyrë të pashmangshme me marrjen përsipër të funksionit drejtues brenda komisionit dhe e cila do ta paracaktonte si humbës. Për të folur tani përsëri me fjalët e Pekmezit: Që prej më shumë sesa njëzet viteve ai punonte në një fushë, në të cilën e kishin drejtuar dashuria për degën dhe përpjekja modeste për ta ndihmuar sipas mundësive popullin e tij në arritjen e një shkalle më të lartë kulturore. Puna e tij në fushën e filologjisë dhe veprimtaria tjetër e tij nën egidën e qeverisë austro-hungareze, së cilës ai i shërbente që nga shumë vite me mirënjohje besnike dhe gëzim të entuziazmuar dhe vetëmohues, i kishin siguruar tek bashkëatdhetarët vlerësim, prestigj dhe besim. Megjithatë, tani rezultonte dilema vijuese: “Emërimi im nderues në këtë komision të planifikuar për zgjidhjen e problemeve të shpeshpërmendura do të më vinte lehtë në një situatë, nga e cila do të ishte e vështirë të gjeja një rrugëdalje që do t’i përgjigjej pozitës sime. Në komision unë mund të përfaqësoja vetëm pikëpamjen, të cilën e kam njohur për shkak të studimeve të mia shkencore si të drejtën dhe e kam paraqitur tashmë në librat dhe shkrimet e mia. Një largim nga kjo pikëpamje nuk do të pajtohej as me nderin tim si shkencëtar as me nderin tim si burrë dhe do të më bënte qesharak në qarqet e të gjithë filologëve dhe albanologëve seriozë dhe të famshëm. Por në qoftë se unë këmbëngul brenda komisionit në bindjen time shkencore, atëherë unë do të bie pa dyshim në kundërshtim me zotërinjtë, të cilët konsiderohen të dërgohen në komision dhe të cilët i njoh edhe personalisht edhe sipas mendjes së tyre, dhe do të mbivotohem me siguri.“ Deri këtu argumentet e Pekmezit janë në përgjithësi të kuptueshme. Por çfarë ka shkruar pastaj, duket e palogjikshme dhe të paktën e paqartë: “Nëpërmjet kësaj përuljeje jo vetëm do të bëheshin shokët e mi të mëparshëm midis bashkëatdhetarëve të mi armiqtë e mi të betuar, por njëkohësisht do të humbisja edhe gjithë prestigjin dhe besimin tim të fituar me mund në vite të tëra. Unë do të hidhesha në pasiguri dhe ndoshta vepra ime ideale e jetës do të shkatërrohej menjëherë.“ Më shumë mund të pandehim se Pekmezi, nëpërmjet një mbivotimi në komision, do të ishte bërë qesharak në publik dhe midis kolegëve të tij të degës në rastin më të keq vetëm përkohësisht, por me siguri shokët e tij nuk do të ishin bërë për këtë arsye armiqtë e tij, dhe as vepra e tij e jetës nuk do të ishte shkatërruar. Unë mendoj se më shumë do të kishte ndodhur e kundërta: Për shkak të besnikërisë së tij ndaj pikëpamjes shkencore, e cila do të kishte çuar në mbivotimin e tij në komision, të paktën kolegët e tij të degës do ta kishin nderuar madje më shumë, çfarë do të kishte thënë për të një shtim i konsiderueshëm i prestigjit në qarqet akademike. Megjithatë – dhe kjo duhet thënë gjithashtu me të drejtë – do të kishte thënë për të një humbje e madhe e prestigjit në qarqet politike. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja pse Pekmezi, i cili e konsideronte veten gjithashtu si aktor i Fushës Politike, lëshoi përsëri një kërcënim drejt Vjenës: “Meqë bashkëatdhetarët e mi e dinë gjithashtu se unë jam në shërbim të qeverisë austro-hungareze, nuk do të përjashtohej se mërzia, e cila do të shfaqej në këtë rast kundër meje, do të shtrihej ndoshta edhe kundër qeverisë austro-hungareze dhe do të krijonte rrethana, mbi të cilat interesat dhe direktivat e deritanishme politike të qevërisë austro-hungareze lidhur me këtë çështje shqiptare nuk mund të ndikonin në një masë të madhe.“
Memorandumi i Pekmezit përfundoi me një propozim drejtimtregues, i cili sipas mendimit të tij i përgjigjej teorikisht dhe praktikisht idealit shkencor, por jepte pak shpresë për pranim, sepse shkodranët në dritëshkurtësinë e tyre mbanin qëndrimin se nuk kishin nevojë për ekspertë, por mund të vendosnin vetë: “Duke marrë parasysh rrethanat aktualisht sunduese në Shqipëri, përcaktimi i gjuhës së shkruar duhet të marrë rrugën, të cilën të gjithë albanologë dhe filologë, me të cilët pata rastin të bisedoja, e kanë konsideruar si të vetmen të drejtë: një albanolog shkon në Shqipëri të Mesme, i shoqëruar nga disa njërëz që e njohin çështjen dhe vendin, i pajisur me aparatet e nevojshme fonetike, për t’i studiuar dialektet kalimtare nga toskërishtja deri tek gegërishtja, për t’i regjistruar ato me fonograf, për ta fiksuar me saktësi fonetikën dhe për ta ndërtuar në këtë mënyrë skeletin e gjuhës së ardhshme të shkruar shqipe. Ky skelet duhej të vishej dhe të zbukurohej më vonë me bukuritë dhe pasurinë e frazeologjisë dhe leksikografisë së të gjitha dialekteve shqipe.“ Ky propozim i Pekmezit u pranua dhe u zbatua në të vërtetë pjesërisht më vonë. Ai tregoi ende se kishte edhe mënyra të tjera të lindjes së një gjuhe të shkruar. Kështu mund të ishte rasti që një poet ose shkrimtar ushtronte, nëpërmjet zotërimit virtuoz të mënyrës së tij të të shprehurit dhe të shkruarit, një ndikim aq të madh në shoqëri sa gjuha e tij bëhej e zakonshmja dhe e mposhtte çdo dialekt tjetër. Kjo mënyrë ose ndonjë tjetër sot për sot përjashtohej në Shqiperi, sepse vetë inteligjencia ose nuk dinte të lexonte ose nuk kishte dëshirë për një lektyrë vendase.
Si konkluzion mund të nxjerrim: lidhur me çështjen e dialektit Ballhausplatz-i, i përfaqësuar nga Krali, dëshironte një marrëveshje të përshpejtuar në favor të qëllimeve politike dhe në kurriz të shkencës, ndërsa Pekmezi, i lëkundur midis pozitave të tija si aktor shkencor dhe aktor politik, donte t’u përgjigjej kritereve shkencore, por në fund duhej t’i nënshtrohej presionit të Vjenës.