Zjarri i nisur nga zona e Dhivrit, në ditën e shtatë të tij hyri edhe në Parkun Natyror të Syrit të Kaltër. Më pas zjarri përshkoi një rrugë shkatërrimi përmes fshatrave Pecë, Kardhikaq e Sirakat, për të hyrë më pas në Delvinë dhe për t’u shtrirë deri në afërsi të Varfaj. Flakët përfshinë gjithashtu Kokodhiqin, Lefterhorin dhe çdo periferi të qytetit, duke shkaktuar dëme të mëdha në shumë shtëpi, ullishte, vreshta, pemë frutore, bujqësi, bagëti, bletari dhe mjedis.
Bilanci i dëmeve në territorin e Delvinës është i rëndë: mbi 40 km² tokë e shkatërruar. Janë djegur mijëra rrënjë ullinj të rinj dhe shumëvjeçarë, pemë frutore dhe hektarë të tërë me vreshta. Për shumë familje, këto kultura përfaqësonin burimin kryesor të të ardhurave, dhe humbja e tyre nënkupton vite të tëra pa prodhim dhe të ardhura. Dëmet në pyje gjithashtu janë të shumta. Në Delvinë u dogj e gjithë kurora me pisha, ndërsa në Lefterhor u dogj pylli me gështenja.
Ullishte të tëra janë zhdukur, pemë frutore janë shndërruar në hi dhe vreshtat, që për vite kanë dhënë prodhime cilësore, janë shkatërruar. Humbjet ekonomike janë të pallogaritshme dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë shumë kohë dhe investime.
Përveç dëmit ekonomik, zjarri ka goditur rëndë edhe gjelbërimin dhe biodiversitetin e zonës. Tokat e djegura rrezikojnë erozionin, ndërsa humbja e gjelbërimit do të ketë pasoja afatgjata edhe për klimën dhe jetën e egër./ Sarandaweb