Prej më shumë se 48 orësh, Shqipëria është duke u përballur me një nga situata më të rënduar të zjarreve në vitet e fundit.
Temperaturat e larta, terreni i thyer, mungesa e mjeteve të ndërhyrjes nga ajri apo automjetet e vjetëruara të zjarrëfiksëve, ka bërë që bilanci të jetë tragjik, ku deri më tani kemi të bëjmë me dy viktima, disa fshatra të shkrumbuar totalisht dhe me mijëra hektarë të djegura. Po ashtu me qindra banorë janë evakuuar nga banesat e tyre.
Shërbimet zjarrfikëse po përballen me pajisje dhe një flotë automjetesh tejet të vjetruara, duke nxjerrë në pah një problem të gjerë të mungesës së investimeve në infrastrukturën e emergjencave civile. Ashtu si çdo vit, sërish po trokasim tek shtetet fqinje që të na ndihmojnë me avionë për të bërë të mundur shuarjen e zjarreve, të cilët dalin jashtë kontrollit.
Autoritetet bëjnë me dije se 64 vatra zjarri janë shfaqur në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 24 janë aktive, ndërsa situata vijon të jetë tepër e rënduar në Gramsh dhe Delvinë.
Situata më kritike mbetet në Bashkinë e Gramshit, veçanërisht në fshatin Nartë të njësisë administrative Skënderbegas.
Momentalisht situata është shumë e vështirë në fshatin Menkollar ku janë 3 zjarrëfikse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrëfikësve, vullnetare banore të shumtë të zonës dhe dy helikopterë që hedhin ujë për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.
Ndërkohë është riaktivizuar zjarri edhe pranë fshatit Ërmenj dhe Koshnicë. Në teqen e Dushkut ku vazhdon të digjen sipërfaqe të madhe në pyje e kullota.
Sipas të dhënave nga kryetari i njësisë administrative Skënderbegas, rezulton që në fshatrat e Gramshit të jenë djegur 39 banesa. Banorët kanë akuzuar autoritet se i kanë braktisur dhe se nuk kanë ndërhyrë në kohë për fikjen e zjarreve.
Bilanci i shtëpive të djegura deri më tani i zjarrit në Gramsh:
- Në fshatin Bletëz – 5 banesa
- Në fshatin Zenelaj- 3 banesa
- Në fshatin Skënder – 8 banesa
- Në fshatin Shimer – 3 banesa
- Në fshatin Harunas – 5 banesa
- Në fshatin Kullollas – 15 banesa
Po ashtu situatë alarmante është edhe në Delvinë. Era dhe temperaturat e larta po përhapin flakët në periferi të qytetit duke rrezikuar dhe banesat.
Si pasojë e depërtimit të zjarrit nga Syri i Kaltër, flakët kanë përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë.
Pavarësisht prezencës së zjarrfikësve, zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Ndërkohë pamjet e publikuara nag mediat tregojnë dhjetra hektarë me pemë të shkrumbuara dhe një zjarrfikëse që përpiqet të shuajë flakët.
Rreth orës 11:00 një vatër e re zjarri është aktivizuar në zonën e Delvinës, në vendin e quajtur lagjia Kasapaj. Flakët ndodhen shumë pranë zonave të banuara dhe po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë që po fryn në këtë moment, duke rrezikuar banesat dhe jetën e qytetarëve.
Kujtojmë që gjatë natës në Delvinë u rrezikua puset e “Delvina Gas”, por nuk pati asnjë reagim nga shteti me ndërhyrje nga ajri, pavarësisht kërkesave.
Ndërsa në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim, ndërsa në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Po ashtu prezenzë të zjarreve janë raportuar edhe nga qarqet e tjera si Tiranë, ShkodërGjirokastër e Korçë.
- “Nuk iki dot”/ Banorja refuzon të lërë banesën në Delvinë: Autoritet nuk ndërhynë me avionë
Një banore e quajtur Miranda, ka refuzuar të lërë banesën e saj në Delvinë, pasi thotë se i ka gjithë kujtimet aty.
“Më dhimbset shtëpia, kam kujtimet e mia këtu. Jam për pushime, më bërtasin të gjithë nuk iki dot. Me dhimbset, kam gjithë kujtimet, si të iki”-shprehet banorja.
Ajo thotë më tej se organet kompetente nuk reaguan në kohë për zjarrin duke mos ndërhyrë me avionë.
Situata e zjarreve në rang vendi gjatë 24 orëve të fundit
Situata në vatrat më problematike:
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.
Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre
Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.