Bisedimet rreth zgjidhjes së çështjes së emrit, pritet të jetë njëra ndër temat kryesore të mbledhjes së nesërme të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian që mbahet në Bruksel. Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini gjatë kësaj mbledhjeje do t’i njoftoj ministrat e 28 vendeve mbi procesin e bisedimeve derisa dy ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë pritet të vazhdojnë bisedimet në Bruksel edhe pse një gjë e tillë ende nuk konfirmohet nga Ministria e Jashtme maqedonase.
Duke u bazuar në qëndrimet e disa vendeve anëtare të BE-së të cilat kundërshtojnë fillimin e negociatave me Maqedoninë analisti Nikolla Dujovski thotë se zgjidhja e çështjes sa vjen e zbehet, mirëpo sipas tij edhe në rast të dështimit të negociatave Maqedonia duhet të vazhdojë me përkushtim të punojë drejt integrimit euro-atlantik. As takimi i ardhshëm i Brukselit sipas tij, nuk do të rezultojë i suksesshëm.
“Nuk do të ishte befasi të mos marrim datë për fillim të negociatave. Sa vjen e më shumë puna shkon në atë drejtim, posaçërisht sjellja e dy vendeve të cilat tradicionalisht kujdesen për Bashkimin Evropian, Franca dhe Holanda, atje pa konsensus nuk mund të ketë asnjë përparim. Megjithatë Maqedonia do të vazhdojë me bisedimet. Me shumë gjasë nuk do të ketë sukses as në bisedimet e ditëve të ardhshme, por kjo nuk guxon të na dëshpërojë dhe të na largojë nga ajo rrugë. 2:40 Kjo do të thotë që ata forca retrograde të cilat në gjithë Ballkanin janë prezentë do të fuqizohen, dhe ajo sigurisht do të jetë sulm ndaj popullaritetit të Qeverisë Zaev. Por se diçka e veçantë do të ndodhë, apo se Maqedonia do të shkojë mbrapa për shkak të kësaj, nuk besoj”– deklaroi analisti Nikolla Dujovski.
Ndërkohë në Greqi kanë vijuar reagimet mbi propozimin e fundit “Maqedonia e Ilindenit”. Kreu i opozitës greke Micotakis gjatë një interviste në televizionin grek SKAJ TV ka thënë se propozimi “Maqedonia e Ilindenit” është emri më i keq i mundshëm, duke shtuar se ky emër do të ishte erga omnes i irredentizmit.
“Njëzet vjet jetojmë me këtë problem, me këtë çështje të pa zgjidhur, sipas kësaj mund të jetojmë edhe 2-3 vite të tjera. Derisa unë kam përgjegjësi politike problemi do të zgjidhet kur do të vlerësoj se kjo zgjidhje do t’ju shërbejë interesave nacionale”– tha Kirijakos Micotakis, Kryetar i Opozitës Greke.
Për më 6 qershor në më shumë qytete të Greqisë janë paralajmëruar protesta të reja kundër bisedimeve për emrin. Organizatorët e protestës janë të njëjtit të cilët organizuan muaj më parë protestë në Selanik dhe Athinë. Përmes protestës, ata duan t’i rikujtojnë autoritetet se kundërshtojnë çfarëdolloj zgjidhje që do të përfshinte emrin Maqedoni. Protesta kundër ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë për sot janë paralajmëruar edhe në Ohër. Protesta do të udhëhiqet nga “Të rinjtë për Maqedoninë” dhe pritet të filloj në orën 19.30 në sheshin kryesor të qytetit, “Shën Klimenti i Ohrit”, shkruan Alsat M.