Ka vijuar të hënë e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Në këtë seancë dëshmoi vëllai i saj, Leonard Ademaj, i cili tregoi momentet dramatike pas ngjarjes tragjike të 29 nëntorit 2023.
“Unë kam thanë që ku janë fëmijët dhe Naimi. Më kanë thanë që janë brenda… Kur kam pyet ku është Naimi, më kanë thënë që është duke dhënë deklaratë”, tha Ademaj për momentin kur kishte arritur në stacionin e Policisë në Prishtinë.
Më tej ai ka vijuar duke dhënë detaje nga ngjarja duke treguar se si ka kërkuar ndihmë. Ademaj tha se shkoi në një market dhe i tha që të ruante fëmijët.
“Pasi kemi shkuar 4-5 metra, e kom dëgjuar një krismë, por unë vazhdoja me ikë me fëmijët. Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashtë me na shkelë mu e fëmijët.Kam kërkuar ndihmë, por që nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market dhe aty i kam thanë pronarit të marketit a mundesh me mi këqyr fëmijët se ma kanë vra gruan. Por pronari nuk më ka lejuar, më ka thënë rri këtu dhe priti policinë”.- ka vijuar vëllai i Liridonës.
Të nesërmen, sipas dëshmitarit, ai kishte kërkuar kontakt me Murselin për të kuptuar se ku ndodhej.
“E kam thirr Valon Llukën, dhe më ka thënë merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe kontakto me të. Pasi që e kam thirr shoferin, ai më ka thënë që është në Sëiss”.
Në hotelin ku ndodhej Murseli, Leonard Ademaj përshkroi sjelljen e tij si të pazakontë.
“Kur jemi shkuar në dhomë, ai ishte i shtrirë, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur edhe drekën. Nga habia kemi menduar që është i frikësuar”.
Ai shtoi se e kishte ftuar Murselin të shkonin në morg për të parë trupin e Liridonës, edhe aty komenton se ka mbetur krejt i habitur nga reagimi i tij.
“I kam thanë Naim a mundemi me shkuar në morg me pa Liridonën, më ka thënë jo, nuk na lejohet. Më pas e kam thirr spitalin dhe ju kam thanë që jam vëllai i Liridona Ademajt dhe a mundem me ardhur me pa trupin, më kanë thanë po”.-tha Ademaj.
Seanca nisi me një kërkesë të avokatit të Murselit, Shemsedin Piraj, për t’u konsultuar me të akuzuarin, kërkesë që u miratua nga trupi gjykues. Murseli, ashtu si në seancat e mëparshme, u deklarua i pafajshëm.
Sipas Prokurorisë, Murseli akuzohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro. Në aktakuzë thuhet se vrasjen e ka planifikuar me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u kishte premtuar 30 mijë euro për kryerjen e krimit.