Nga Klodjana Lala
Emisioni “Në Shënjestër” në News24 solli këtë të premte detaje të reja nga zhdukja më 15 qershor e Eraldo Muçit, nga fshati Bylysh i Bashkisë së Memaliajt, i njohur si miku i “Sanços”.
Nëna e Eraldos, e cila ka dëshmuar para grupit hetimor, ka pohuar edhe për emisionin “Në Shënjestër” se biseda e fundit telefonike me të birin, ishte në orët e para të mëngjesit të 15 qershorit.
“Unë me djalin tim, Eraldon, për herë të fundit kam folur më 15 Qershor. Ai doli në mëngjes dhe atë ditë shkoi në Memaliaj. Aty ai kishte disa shokë me të cilën rrinte. E telefonova rreth orës 09:00. Më tha po pinte kafe. Folëm më vonë dhe më tha se do të vinte në shtëpi. Por ai nuk u kthye më”, është shprehur nëna e 30-vjeçarit”, ka rrëfyer Trëndafile Muçi.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimet, besohet se zhdukja e beftë e Eraldo Muçit ka lidhje me miqësinë që ai kishte krijuar me Aleksandër Sadikajn, i njohur ndryshe edhe si “Sanço”. Sadikaj 27 vjeçar u ekzekutua më 11 Qershor 2022, me anë të shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur poshtë makinës me të cilën lëvizte në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Një atentat që për kohën tronditi me ashpërsinë e vetë opinionin publik. Por që u pasua më tej me shumë ngjarje kriminale, që erdhën si një shpagim për ekzekutimin e Sadikaj.
Siç ishte ekzekutimi disa muaj më pas, më 16 Dhjetor 2022, në zonën e Selitës në Tiranë i biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa. Vrasje e cila u krye nga miqtë e Sadikaj si formë hakmarrje ndaj eleminimit të tij.
Më tej ato ndaj Andrea Kalemit, njërit prej dajallarëve të Sadikaj, i cili ra dy herë pre e atentateve, ku në njërin prej tyre mbeti i plagosur rëndë. Fillimisht në Greqi në një zonë turistike dhe më pas në burg, ku ndodhej i arrestuar në shtetin fqinj. Andrea Kalemi që mendohet se është porositësi i vrasjes së Edmond Papës.
Apo atentati ndaj Zaimir Kalemit më 13 Janar 2024, Edhe ky i afërm i Aleksandër Sadikaj, që mbeti i plagosur ndërsa makina me të cilën lëvizte u qëllua në një nga segmentet e Unazës së Madhe. Por po kështu edhe atentati me tre të vrarë në Memaliaj, më 20 Korrik 2024.
Ku si pasojë e batareve të plumbave humbën jetën Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit. Kamarieri i lokalit, 36 vjeçari, Gledio Muka dhe një klient i pranishëm në momentin e atentatit, 47 vjeçari, Marsel Çela. Ngjarje të cilave në prillin e vitit 2023, u kishin paraprirë zhdukjet e dy personave
Ato të 46 vjeçarit, Leonard Thodhori, banues në fshatin Çukë të Sarandës dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, nga Fieri. Po çfarë lidhje kanë këto vrasje, zhdukje personash, atentate të suksesshme apo të dështuara me zhdukjen më të fundit, atë të Eraldo Muçit?
Por kush ishte i fundit që foli me Eraldo Muçin dhe çfarë i tregoi ai për itinerarin dhe personazhet që do të takonte?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, 30 vjeçari Eraldo Muçi, një nga njerëzit e besuar të Aleksandër Sadikaj, edhe pas vdekjes së tij, vijonte të frekuentonte në vazhdimësi agroturizmin e tyre në Memaliaj.
Agroturizëm nga ku u nis edhe për në destinacionin e tij të fundit, ku humbi edhe gjurmët.
“Eraldo nuk u kthye dhe në mëngjes më datë 16 qershor i rashë telefonit. Më doli i fikur. Unë dhe bashkëshorti u shqetësuam. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që ai të mos vinte në shtëpi”, thotë nëna e tij.
Por teksa Trëndelina dhe bashkëshorti i saj Seferi përpiqeshin të lidheshin me djalin e tyre të vetëm, në derën e tyre troket policia, e cila kishte marrë një kallëzim penal nga miqtë e 30-vjeçarit për humbjen e kontakteve me të.
Zhdukje e cila duket se ka një drejtim dhe një burim, atë të sagës së hakmarrjes që ka nisur dhe po vazhdon e tillë deri në ushtarin e fundit të kundërshtarëve që tashmë janë vendosur egërsisht të përballen dhe të asgjësojnë njëri-tjetrin.
Prindërit e Eraldos, të pyetur nga hetuesit, nuk kishin asnjë të dhënë që mund të hidhte dritë mbi zhdukjen e të birit. Veç faktit, se ai ishte mik me Aleksandër Sadikaj. Më shumë nuk dinin rreth miqësive apo aktivitetit të tij.
“Djali im ishte mik me Aleksandër Sadikaj. Ai punonte herë pas here në fermën e tij. Edhe pas vrasjes së Aleksandrit, shkonte shpesh te ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe i ndihmonte ata në punët e tyre të përditshme”, ka pohuar gruaja në polici.
Praninë e Eraldos në fermën e kuajve në pronësi të familjes së mikut të tij në Memaliaj, atë ditë të zhdukjes së tij, e konfirmoi edhe menaxheri i këtij agroturizmi i cili për grupin hetues tregoi se 30 vjeçari, erdhi aty në mëngjes herët.
Por ndryshe nga herët e tjera, ai ishte nisur për diku tjetër, jo për të punuar në fermën e kuajve. Dhe për këtë arsye i kishte kërkuar para borxh, me qëllim që të udhëtonte drejt Durrësit.
“Më datë 15 Qershor, Eraldo erdhi herët në fermë, që në orët e para të mëngjesit. Ai vinte shpesh që të na ndihmonte, edhe pas vrasjes së Aleksandrit. Ishte si një njeri i besuar për ne. Ndryshe nga herët e tjera më kërkoi para që të shkonte drejt Durrësit. I dhashë vetëm 10 mijë lekë të vjetra dhe ai u largua. Telefoni i tij u mbyll më pas dhe ne humbëm çdo kontakt”, mësohet të jetë shprehur menaxheri i fermës së kuajve të Aleksandër Sadikajt, në Memaliaj.
I pyetur nëse Eraldo i kishte dhënë më shumë detaje rreth njerëzve që do takonte në qytetin e Durrësit, menaxheri i fermës së kuajve, tha se ai kishte thënë vetëm që do takonte disa njerëz.
Por asgjë konkrete më shumë. Apo të linte të kuptonte se kishte diçka shqetësuese te ai. Fakti që ai mori me vete vetëm 10 mijë lekë të vjetra, lë të kuptohet se ai do atë kthehej shpejt në Memaliaj.
Por edhe që Eraldo nuk ishte një djalë që kishte para, përsa kohë që edhe këtë udhëtim të fundit të tij, e bëri me para të marra borxh.
“Nga ai moment nuk kam më kontakte me Eraldon. Dhe jemi të shqetësuar për fatin e tij. Këtë dëshmi e kam dhënë dhe në polici”, është shprehur për emisionin “Në Shënjestër” menaxheri i fermës në Memaliaj.
Të njëjtin shqetësim shprehu te menaxheri i fermës së kuajve edhe e fejuara e 30 vjeçarit, tashmë të zhdukur, prej 20 ditësh Eraldo Muçi.
E cila e kishte kontaktuar menaxherin e sipërmarrjes në pronësi të familjes Sadikaj, nëpërmjet instagramit, ku e kishte pyetur nëse kishte kontakte me Eraldon. Vajza, e cila rezulton të jetë me banim në Durrës, dhe që me 30-vjeçarin kishte krijuar një lidhje.
E cila më pas u lidh edhe me prindërit e tij.
“Vajza na shkroi. Ajo kërkonte të dinte nëse kishim informacion se ku ishte djali. Por ne nuk dinim asgjë rreth fatit të tij. Ne djalin e kemi rritur më shumë vështirësi. Prej ditës kur djali është zhdukur nuk kemi vënë gjumë në sy, as unë, as burri”, ka treguar nëna e Eraldo Muçit.
Ndërkohë që menaxheri rrëfeu më tej se në Memaliaj, Eraldo qëndronte në shoqërinë e 3 djemve. Të cilët edhe këta janë marrë në pyetje nga policia. Por nga ana e tyre ata kanë deklaruar se ai nuk u kishte shfaqur asnjë shqetësim. Dhe po kështu nuk kishin asnjë kontakt me të që prej mbrëmjes së datës 15 qershor.
- Detaje nga pistat e hetimit
Nga dëshmitë e deritanishme dhe të dhënat hetimore për këtë ngjarje, policia tashmë ka dyshime të forta se zhdukja e Eraldo Muçit, mesditën e 15 Qershorit, ka lidhje me motivin e hakmarrjes.
Kjo për shkak të njohjes së tij me Aleksandër Sadikaj dhe besnikërisë që kishte ndaj Sanços dhe familjes së tij.
Ndërsa, një tjetër pistë mund të jetë edhe ajo e ndonjë borxhi të mundshëm që Eraldo Muçi, mund t’u kishte personave të tjerë.
Ndërkohë që burime policore thanë për emisionin ‘Në Shënjestër’ se për herë të fundit, i riu është parë të lëvizë në autostradën Durrës-Tiranë. Dhe që nga ky moment nuk ka asnjë të dhënë rreth fatit të tij.
Sipas burimeve të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, personi që e nisi drejt Tiranës, për të kryer një punë, e cila nuk dihet se cila është, quhet Donald Nela. I njohur ndryshe edhe me pseudonimin ‘Tupja’.
Donald Nela, në vitin 2018 ishte një nga të arrestuarit nga policia, pas përgjimeve ambientale që ishin bërë, lidhur mbi disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet kufirit të gjelbërt me Greqinë.
Mësohet se Donald Nela, i ka thënë 30-vjeçarit se do të kryenin një punë për dy persona me mbiemrin Doda nga veriu.
Çka ngre edhe më shumë dyshime rreth udhëtimit të 30-vjeçarit atë ditë në drejtim të Durrësit, apo Tiranës.
Kjo pasi personat me mbiemër Doda me të cilët duhet të fliste Eraldo Muçi, janë lidhje e një personazhi të botës së krimit, që konsiderohet si krahu i djathtë i Ledjan Alushajt dhe Kristo Qiricit që thuhet se urdhëruan vrasjen makabre të Aleksandër Sadikaj. më 11 Qershor 2022 në Tiranë.
Ledjan Alushaj, që është një nga personat e dyshuar edhe për rrëmbimin e dy shtetasve, 46 vjeçarit, Leonard Thodhori, banues në fshatin Çukë të Sarandës si dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, nga Fieri.
Ngjarje këto të ndodhura në prillin e vitit 2023, Ledjan Alushaj ndryshe njihet edhe si Eldion Alushaj, emri i të cilit u përmend fillimisht në vitin 2015, në atë kohë 29 vjeç, kur u vu në pranga bashkë me babain e tij, Dashnor Alushaj, 55 vjeç.
Të dy të akuzuar si pronarë të një magazine ku u gjetën 10 mijë rrënjë dhe kubikë kanabisi në Vrinë, e njëjta zonë ku mendohet se janë vrarë dhe zhdukur Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, në prill 2023.
Por përse grupi hetues beson se gjithçka që ka të bëjë me zhdukjen e Eraldo Muçit, lidhet me punën që ai mori në dorëzim atë ditë dhe me emrin e Donald Nelës, apo i njohur ndryshe si ‘Tupe’.
Punë që nuk duket se ka qenë edhe aq pastër, edhe për faktin se Eraldo Muçi, ka lënë porosi të miqtë e tij, se po shkonte të takonte personat që do bënte punën dhe nëse do t’i ndodhë diçka, ai që e ka nisur ishte Donald Nela (Tupja).
“Një prej miqve të Eraldo Muçit ka deklaruar në polici se Eraldo i kishte thënë që nëse i ndodhte diçka, atë duhet ta kërkonin te Tupja”
Familja nga ana e saj, ngre dyshime të forta se Eraldos mund t’i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale. Gjë që nuk e përjashton edhe policia, edhe pse deri më tani ka zgjedhur të jetë e rezervuar në gjetjet e veta.
Por ajo që bën të pakuptueshme këtë histori, apo që i ngatërron disi fijet, është përse Eraldo Muçi, zgjodhi të çojë një porosi që kushton në Tiranë, por në krahun tjetër ai po nisej pa para në xhep.
Apo me para të marra hua, siç ndodhi në takimin e tij të fundit me menaxherin e fermës së kuajve, ku i kërkoi 10 mijë lekë të vjetra. Dhe a ishte ai i përfshirë në punë që e kishin komplikuar sadopak jetën e tij.
Çfarë roli mund të kishte 30-vjeçari në këtë konflikt, që mund të çonte deri në mendimin për ta hequr qafe. Përse ai kishte frikë, kur mori porosinë nga Donald Nela, njohur si ‘Tupja’?
Cila është puna që ai do të kryente? Dhe a i njihte ai personazhet me të cilët do të takohej, të cilët ishin të njohur për lidhjet e tyre kriminale.
Por edhe për faktin që miku i tij Sanço ishte armiku i tyre. A është zhdukja e Eraldo Muçit një nxjerrje në pritë dhe përse policia has gjithmonë vështirësi në zbardhjen e të tilla ngjarjeve?
Ashtu sikurse ka ndodhur edhe me zhdukjen me siguri nga e njëjta dorë të Sulovarit dhe Krasniqit në prillin e vitit 2023. Ku nëse do të ishte kështu, Eraldo Muçi, do të ishte personi i tretë që zhduket në këtë histori horror të përplasjes midis Sadikaj dhe Papa Që deri më tani numëron 5 të vrarë dhe 3 të zhdukur./ Në Shënjestër