Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri në disa bashki të vendit, nga të cilat 6 vatra mbeten ende aktive.
Zjarret janë përhapur në zona të mbuluara me shkurre, pemë dhe barishte, duke djegur gjithsej rreth 65 hektarë sipërfaqe.
Vatrat aktive aktualisht ndodhen në:
- Elbasan – në vendgrumbullimin e mbetjeve
- Finiq (Sarandë) – vatra mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan, afër zonës së Leshinicës së Poshtme.
- Vlorë – në zonën “Sotiran” mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, me tre vatra të shpërndara
- Poliçan – në fshatin Zgërbonjë, ku janë djegur rreth 50 hektarë
- Bulqizë – zjarri është përhapur nga “Livadhi i Peladhisë” drejt “Malit të Bardhë”
- Malësi e Madhe – në “Bjeshkët e Parrusë” ka pasur riaktivizim të zjarrit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme pritet rrezik i lartë për zjarre në pothuajse të gjitha qarqet e vendit. Përjashtim bën qarku Durrës, ku rreziku vlerësohet i moderuar, por me mundësi të rritjes në zona të veçanta në jug të këtij qarku.














