Ambientalisti Lavdosh Ferruni, teksa ka komentuar zjarrin në landfillin e mbetjeve urbane, ka deklaruar se Elbasani po përjeton një katastrofë mjedisore.
Ferruni ka ngritur shqetësimin për dëmin që po i bëhet mjedisit dhe ekosistemit shqiptar, ndërkohë që Shqipëria mbetet larg standardeve të Bashkimit Evropian, duke vënë në dukje edhe varësinë nga uji i ambalazhuar në bidona si një shenjë e mungesës së infrastrukturës bazë.
Më tej ambientalisti kritikoi menaxhimin e inceneratorëve dhe thekson se ndërtimi i tyre duhet të jetë serioz, me qëllim të vërtetë për trajtimin e mbeturinave, jo vetëm si një biznes tenderash që shoqërohet me korrupsion.
“Sapo e thatë edhe ju, tashmë intuita popullore është e qartë, sepse nuk është një rast sporadik, është një rast i përsëritur në Elbasan, në Durrës, në Vlorë e gjithandej. Është në Kukës. Pra është një e keqe e madhe e këtij vendi. Nuk e di, si nuk po kuptohet që nuk mund të ecet në këtë mënyrë. Duhet bërë diçka.
Ta zëmë që Edi Rama është i fiksuar me inceneratorët. Le ta bëjë një incenerator në Elbasan, por të bëjë incenerator, sepse ajo që është aty është një mbetje, e kompanive të ndryshme, e mbledhur gjithandej, me hekurishte nga vende të ndryshme të botës. Unë kam një argument që e kam thënë disa herë, por është shumë e vështirë të kapet në Shqipëri, për arsye se ajo që ndodh zakonisht këtu është se bëhet një tender më i madh dhe natyrisht ka dhe një vjedhje dhe gjithë shigjetat janë tek vjedhja.
Kjo temë është shumë delikate për vendin tonë. Është shumë delikate sepse ne po promovojmë një Shqipëri shumë ambientale, dashamirëse me mjedisin, me një ekosistem dhe me një natyrë të mrekullueshme e nga ana tjetër kemi këtë pamjen reale që ndodh, siç është kjo e Elbasanit që po ndodh, është gati apokaliptike ashtu me atë tymin e zi, është një tmerr.
Por, ajo që doja të thosha është që ne nuk kemi intenerator në Elbasan. Një incenerator kushton 100 milionë euro, aq sa tha Edi Rama në seancën parlamentare me zonjën Tabaku.
Gjërat janë të lidhura. Ne nuk po ndërtojmë një Shqipëri tamam ashtu siç duhet për në Bashkimin Evropian, për arsye se ne ndryshe nga shumë vende evropiane, në rajon apo Ballkan, ne shqiptarët blejmë ujë me bidona“, tha Ferruni në Syri TV.