Igli Tare në një rrëfim ndryshe për RTSH. Përballë gazetares dhe moderatores Hygerta Sako, ish-kapiteni i Shqipërisë, tashmë drejtor sportiv te Lacio tregon karrierën e tij që nga fillimet te Partizani deri te mbërritja në Serinë A.
E SHKUARA
“Nostalgji pa fund për Partizanin, për fëmijërinë shumë të bukur që kam kaluar në periudhën 8-9 vjeçare që kam pasur mundësinë të luaj te Partizani. Kam pasur mundësi të punoj me trajnerë si Shaqiri, Fagu, ndërsa me ekipin e parë me trajnerët Starova dhe Lika. Kjo gjë më ka ndihmuar në karrierën time si futbollist në vazhdimësi”.
KOMPLEKSI
“Një nga ato gjëra që kanë ndryshuar, është edhe klubi sportiv i Partizanit. Nuk dua të hyj në çështje politike, por ka qenë një keqardhje e madhe kur mësova se ato ambiente u kthyen në ambiente banimi”.
BRESHIA
“Ka qenë lëvizje e dëshiruar. Çdo futbollist e kishte ëndërr të luante në Itali. Unë shkova 27 vjeç në Serinë A, por ishte emocion i madh. Nuk kam për ta harruar ndeshjen e debutimit kundër Milanit në Serinë A kur unë luaja me Breshian. Në atë periudhë, imazhi i shqiptarëve nuk ishte i mirë. Në atë kohë arriti një shqiptar 1.95 metra, biond dhe ishte habi. Të gjithë thirrën emrin tim, u çudita. Ishte një sfidë e madhe. Karshi skepticizmit ishin edhe shumë dyshime rreth shqiptarëve dhe ishte një e vështirë. Konkurrenca me Luka Tonin? Luanim bashkë në sulm dhe në fund ia dola unë të fitoja, sepse u bëra titullar me Breshian”.
Guardiola-Baxho?
Në atë periudhë Breshia ishte një ekip shumë i madh, sepse përveç tyre luanin Pirlo, Toni dhe Bakini që vinte nga Juventus. Më e çuditshme ishte se nga ata mësova se duhet të jesh i thjeshtë. Thjeshtësia i bënte shumë të mëdhenj në sytë tanë. Mbaj ende kontakte me mesazhe. Sidomos me Guardiolën mbaj ende kontakte. Me Baxhon kam pasur kontakte më të pakta, por ai është një njeri anti-futboll. Ai është një gjuetar profesionist dhe ka një fermë të madhe në Argjentinë mbi 300 km katrorë. Edhe në atë periudhë kur kemi luajtur bashkë, vëmendja e tij ishte e përqendruar te gjuetia, ndërsa futbolli ishte një anti-stres për të”.
GOLASHËNUES
“Jo, nuk ishte kjo periudha më e mirë për mua si futbollist. Është koha kur unë luaja te Fortuna Duseldorf, sepse shënova 28 gola brenda 1 viti. Nga ana emocionale jam shumë i lidhur me atë klub dhe me atë qytet”.
GOLI I PREFERUAR
“Goli ndaj Juventusit. Ishte një lodhje psikologjike shumë e madhe. Juventusi ishte një ekip shumë i fortë dhe ne na duhej ajo fitore. Mbaj mend se kur erdhi krosimi, në momentin që po gjuaja më dukej vetja sikur isha 200 metra larg portës. Ishte një gol shumë i rëndësishëm. Buffon? Është simbol i një gjenerate të artë që ka pasur futbolli italian. Është një ambasador i futbollit italian. Është një profesionist i madh”.
GOLI NDAJ PARMËS
“E kam përjetuar me trishtim, se ishte një derbi në play-out, një ndeshje e mbijetesës kundrejt Parmës dhe ai gol ishte vendimtar, pasi fituam ndeshjen e parë 1-0 në Parma. Por fatkeqësisht u mundëm 2-0 në Bolonja dhe aty është momenti më i trishtueshëm i karrierës si futbollist, se nuk e kisha provuar kurrë ndjenjën e rënies nga kategoria, me një skuadër që një muaj e gjysmë më përpara ishte në vendin e 6 e mendohej se do të shkonte në Europë. Por çdo gjë negative ka një pozitive, se ajo më hapi mundësinë që të transferohesha te Lacio”.
RAPORTI ME BOLONJËN
“Ajo është një nga eksperiencat më të bukura, emocionohem sa herë kthehem aty në stadium. Të gjithë njerëzit më përshëndesin, me përqafojnë. Ndjehem në siklet se largimi ishte në një moment negativ. Por ajo që dhashë dhe vlerësimi nga ana e tyre më bën të ndjehem krenar”.
MACONE
“Është një legjendë e futbollit italian. Kur e shikoj në gjeneracionin e fundit, që trajnerët po ndryshojnë shumë gjëra e kuptoj që ai ishte një trajner i futbollit të vjetër, i vrazhdë, por unë me atë si trajner mësova se çdo të thotë profesionist. Ka qenë një raport dashuri-urrejtje me Maconen, por e kujtoj me nostalgji. Macone në atë periudhë sapo la karrierën e trajnerit, u largua përfundimisht nga bota e futbollit dhe ai afrim te Lacio ishte më tepër aksidental se sa i kërkuar. Por kam një lloj keqardhjeje se pata këtë mundësi në momentin e gabuar të karrierës, se kur erdha isha 32 vjeç, drejt fundit të karrierës si futbollist dhe do të kisha dëshirë ta jetoja më i ri, si ishte koha e Strakoshës, Berishës, apo Canës. Më kërkoi, sepse isha i duhuri për skemat e tij, ndaj më kërkoi ta ndiqja atje. Kur më kërkoi? Kishim respekt të jashtëzakonshëm. Më than ë telefon: Kam dëshirë të flas me atë luftëtarin që kisha te Breshia dhe dua që ai të më ndjekë edhe te Bolonja”.
RAPORTI ME LOTITON
“Absolutisht po, se isha më i formuar nga ana profesionale, si futbollist e njeri dhe raporti që kisha me skuadrën dhe presidentin, u konsolidua çdo vit derisa arritëm në një zgjedhje të çmendur, që u bë atëherë me ofrimin e postit të drejtorit sportiv. Nuk e prisja se nuk kisha asnjë lloj formimi për këtë profesion dhe ajo ide e tij ishte e çmendur. Çfarë mendova kur e propozoi? I thashë ‘të lutem mos u tall, nuk ka logjikë të jem drejtor i klubit’. Fjalët e tij ishin domethënëse. Ai tha ‘kjo është dera, të jap mundësinë të dalësh e të futesh përsëri në një klub të madh. Është në dorën tënde nëse do ta mbash derën hapur, do të isha shumë mirënjohës, për atë që po të mundësoj, karshi një djali pa eksperiencë, por që shpresoj që do ma shpërblesh’. Kur mendoj se si rrodhën ngjarjet, ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, por sfidat kanë qenë ato që më kanë tërhequr gjithmonë”.
ÇMIMET
“Janë sodisfaksione që të mbushin sa i përket anës profesionale dhe të tregon që rruga është edhe më e gjatë. Më e rëndësishme është që pritshmëria karshi teje është një përgjegjësi shumë e madhe dhe duhet jetuar me ekuilibrat e duhur”.
BROKI
“Blerja ime e parë më e rëndësishme, sepse eksperienca që kishte te Milani dhe mënyra si sillej në dhomat e zhveshjes ishin të rëndësishme. Që në vitin e parë me Brokin fituam Kupën dhe Superkupën. Superkupën e fituam ndaj Interit, që sapo kishte fituar Tripletën”.
ÇMIMI “SKAUTI
MË I MIRË”
“U mësuam me çmime (qesh). Është një mënyrë mirënjohjeje për punën që ke bërë. Për mua janë gjëra relative. Më japin stimuj që të vazhdoj ende më fort. Për sa i përket imazhit tim dhe të Shqipërisë, e kam brenda meje faktin që prezantoj imazhin e Shqipërisë. Kam një lidhje të veçantë me këtë fakt. Por janë gjëra normale në anën tonë profesionale”.
CANA
“Me portierin Muslera kishim rënë dakord për të shtyrë kontratën, por për disa arsye nuk e vazhduam. Ai kishte akord me Gallatasarajn dhe në atë kohë, Cana luante te Gallatasaraj. Unë mora Canën, të cilin e ndihmonte fakti që kishte shumë eksperiencë”.
KLUBI
“Mundohemi të rritim sa më shumë prestigjin e klubit dhe vlerat e këtij ekipit. Lacio ka një histori të madhe, por me një histori negative në 15 vitet e fundit për faktin se falimentoi. Ishin gjëra të vështira për t’u menaxhuar. Kush drejton një klub, është si të menaxhosh një financat e shtëpisë, duhet ta menaxhosh me aq mundësi sa ke. Ishin momente shumë të vështira”.
SEKRETET
“Sekreti i punës sime? Duhet t’i kushtosh gjithçka. Pengu im për sa i përket këtij profesioni është familja, sepse nuk më lë t’i kushtoj vëmendje familjes. Në periudhën e pushimeve verore, unë duhet të punoj më shumë, sepse është merkatoja. Modestia? Thjeshtësia të ndihmon në këtë punë. Sa më i thjeshtë të jesh, aq më e lehtë është të analizosh punën tënde. 6 gjuhë të huaja? Flas më mirë gjermanishten, duke qenë se bashkëshortja ime është gjermane”.
SEKRETI I PUNËS
“Unë u jap shumë rëndësi këtyre detajeve që bëjnë diferencën, sepse familja në shumicën e rasteve është pengesë e madhe për karrierën e lojtarit. Por edhe gratë e të dashurat, se ndikojnë shumë në ecurinë e tyre profesionale, janë detaje që falë karrierës kam pasur eksperiencën dhe më ka ndihmuar që të shoh detajet për të cilat unë jam i vëmendshëm”.
VLERAT E
FUTBOLLISTËVE
“Futbolli është i lidhur shumë me rezultatet. Në momentin kur rezultatet janë, atëherë edhe vlera shumëfishohet. Por më e rëndësishme, duhet të kesh bindjen e plotë që projekti që po bën është i duhur, sidomos në momentet negative duhet të jesh më këmbëngulës që të arrish ku do. Sa i përket anës financiare, rroga është gjëja më e fundit që kam pasur se gjithçka është e lidhur me pasionin, sidomos kur nga ana profesionale bën një punë me shumë dëshirë. Vlerën e një lojtari nuk e bën çmimi i kartonit, por vetë ata, sepse këta lojtarë, para një viti kushtonin një shifër dhe sot një tjetër. Çdo gjë është e lidhur me suksesin. Nëse je në klubin e duhur, me trajnerin e duhur dhe skuadrën e duhur dhe jep rendimentin e duhur, ke shumëfishimin e vlerave nga ana profesionale dhe ekonomike”.
STRAKOSHA
“Kishim rënë dakord që ai do të provohej për një javë. Më pas kontakti i tij me Romën ishte më vonë. Strakosha vendosi të luante me Lacion”.
INZAGI
“Kishim plan që Inzagi do të bëhej trajner i Lacios. Por kishim pak merakun e djegies së tij si trajner, sepse ishte trajner i ri dhe mund të mos merrte ato rezultate që duheshin dhe të digjej”.
KOMBËTARJA
“E ndjek me vëmendje. E ndjek Kombëtaren dhe Superligën gjithashtu. Dua të jem në kontakt me futbollin shqiptar. Por nuk dua të komentoj gjërat kur nuk i njoh mirë nga brenda, sepse do të ishte diçka e gabuar. Kombëtarja ka pasur arritje shumë të mirë, falë punë së De Biazit. Me Panuçin ka një ndërrim gjeneratash dhe duhet kohë dhe besim”.
DE BIAZI-PANUÇI
“Diferencën e bën mosha. De Biazi, kur ishte i ri ishte guximtar, më pas u bë trajner. Ndaj edhe Panuçi do të bëhet më i pjekur”.
HASI
“E kishte shansin për të qenë trajner i Kombëtares, por zgjodhi një tjetër destiancion. Trajnerët në Shqipëri janë rritur, si për shembull Skënderbeu me Josën dhe Dajën. Për Kombëtaren e Shqipërisë, ende nuk janë në atë nivel trajnerët shqiptarë, por pse jo, me besim mund ta arrijnë”.
KRAHASIMET MES KOMBËTAREVE
“Gjenerata ime, ishim të formuar në Shqipëri, por nuk mund të krahasohet me gjeneratën aktuale. Periudha jonë ka qenë aventureske. Ne nuk patëm mundësi të ishim në këtë kohë. Jam i bindur se do të bënim më shumë. Por, nuk mund t’i heq vlerat gjeneratës aktuale. Në atë kohë, Kombëtarja jonë ka pasur lojtarë që luanin në ekipe shumë të mira jashtë, ashtu si tani. Por ne nuk kishim infrastrukturë dhe këto kushte si tani”.
TRANSFERIMI I ABAZAJT
“Kolegu im i Anderlehtit më ka kërkuar një mendim për Abazajn. Mendimi im ishte vlerësim pozitiv për Abazajn. Ai ka karakteristika që mund të luajë në Itali, por edhe në Angli. Puna në futbollin shqiptar? Është e vështirë, sepse ne shqiptarët kemi idenë që gjithmonë jemi më të zgjuar se tjetri dhe kjo të krijon vështirësi në bashkëpunim. Kam vetëm një eksperiencë me ekipet shqiptare, atë me Flamurtarin, në rastin e Tunkara”.
DËNIMI I SKËNDERBEUT
“Ndjesi negative. Pata mundësinë në një bashkëbisedim me një komision nga Liga Italiane, ku na shpjegonin mënyrën si mund të manipuloheshin ndeshjet dhe morën shembull Skënderbeun. Isha para skuadrës dhe ishte ndjesi negative. Nuk dua ta besoj që është e vërtetë, por për imazhin e kampionatin shqiptar ekzistojnë. Në kampionatin shqiptar, ndeshjet në 2-3 muajt e fundit vendosen në tavolinë dhe jo në fushë”.
KONTRIBUTI PËR SHQIPËRINË
“Kjo është një dëshirë e imja. Nëse vij në Shqipëri, kam vetëm çka humbas, s’kam çfarë të fitoj. Më është ofruar vendi për kandidat për president të FSHF-së, por e kam refuzuar, sepse e ndjej veten shumë të lidhur me fushën”.