Bilbil Kanani, banor i lagjes nr. 2 në qytetin e Cërrikut, i është drejtuar emisionit investigativ “Tak Fak” për të denoncuar një problem serioz që po rëndon jetën e familjes së tij.
Në katin e parë të pallatit ku jeton Bilbili ndodhet një kabinë elektrike me transformator brenda, ndërsa familja e tij jeton një kat më lart. Ky transformator jo vetëm që digjet herë pas here, por shkakton edhe shqetësime të tjera të padurueshme për familjen.
“Duhet të durojmë aromën e minjve të djegur që bien në kontakt me kabinën, zhurmën e vazhdueshme dhe lagështirën që përhapet në ambient,” tregon Kanani.
Emisioni “Tak Fak” kontaktoi inxhinierin elektrik Azmer Duleviç, i cili, pasi pa pamjet e siguruara nga redaksia, tha se megjithëse kabina është vendosur në katin e parë dhe kjo nuk është problem teknik, ajo nuk është izoluar dhe nuk ka masa mbrojtëse kundër zjarrit.
“Kjo do të thotë se nga ana teknike, kabina nuk është në parametrat e duhur dhe përbën një rrezik për banorët,” shpjegoi Duleviç.
Banorët e pallatit presin ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet përgjegjëse për të eliminuar këtë rrezik dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës.