Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Robert Kote, u tërhoq nga kërkesa për shkarkim dhe kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualfikimit për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi.
Prokurori Robert Kote u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që konkludoi se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.
Për këtë çështje u paraqit opinion nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që konstatoi nevojën e hetimit të mëtejshëm të gjetjeve me qëllim për të arritur në përfundimin e duhur. Në vijim, vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, i cili ngriti shkaqe ankimi në të tre kriteret e rivlerësimit, duke i kundërshtuar konkluzionet e KPK-së si të pabazuara në aktet e hetimit administrativ.
Gjatë parashtimeve për shkaqet e pasurisë në seancën parardhëse, Braho deklaroi se subjekti nuk kishte arritur të kundërshtonte barrat e provës për pamundësinë e financiare për blerjen e një automjeti tip Audi në vitin 2015, kundrejt vlerës 1 milion lekë; se kishe kryer veprime fiktive lidhur me përcaktimin e çmimit të shitjes së një mjeti tip Rover, vlerë që është deklaruar si burim krijimi për blerjen e Audi-t; se nuk mbulonte shpenzimet e vajzës për shkollimin e saj në Austri; si dhe ngriti dyshime për veprime fiktive në marrjen e një kredie për blerjen e një njësie, kontratë që më pas është revokuar nga subjekti.
Po ashtu, u qëndroi dhe shkaqeve për profesionalizmin e figurën, duke kërkuar konsiderimin e tyre në vlerësimin tërësor së bashku me gjetjet për pasurinë në drejtim të cënimit të publikut, si dhe kërkoi shkarkimin e Kotes.
Të mërkurën gjatë konkluzioneve, Braho paraqiti qëndrime të ndryshme për disa prej shkaqeve. Ai konstatoi pamundësi në shumën rreth 700 mijë lekë për blerjen e mjetit dhe rreth 132 mijë lekë për shpenzimet e vajzës së subjektit në Austri. Sipas Brahos, me aktet dhe shpjegimet e depozituara nga prokurori Kote, provohet se vajza e tij nuk është regjistruar për të vijuar studimet në Astri. Pamundësia është konstatuar për shpenzimet lidhur me udhëtimin dhe qëndrimin e saj për një kohë të shkurtër atje.
Për blerjen e një automjeti tjetër, prokurori Braho konstatoi se nga rishikimi analizës financiare rezultonte se subjekti ka pasur mundësi financiare.
Megjithëse u konstatua se dukej se subjekti kishte kryer veprime fiktive në kontratën e blerjes së njësisë dhe revokimit të saj me qëllim përfitimin e kredisë, dy bilancet negative sipas Brahos, nuk e cënojnë besueshmërinë e prokurorit Robert Kote në kriterin e pasurisë.
Po ashtu, Braho evidentoi se provat e dorëzuara nga subjekti dhe për shkaqet e ngritura për figurën dhe profesionalizmin, kishin sjellë shërimin e një prej tyre, pasi subjekti kishte dorëzuar një vendim gjykate të formës së prerë për një çështje të hetuar dhe përfaqësuar prej tij, për të cilën ishin ngritur pretendime. Për gjetjet lidhur me një tjetër procedim, Braho tha se nuk mund të sjellin në penalizim.
Në përfundim prokurori Klodian Braho, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Robert Kote.
Subjekti i rivlerësimit ritheksoi edhe në seancën e të mërkurës se megjithëse ka 36 vjet që punon si prokuror, ende nuk disponon një pasuri të paluajtshme, pasi apartamentin ku jeton e ka lënë si kolateral për kredinë me të cilën e ka blerë.
Kote nënvizoi se provoi se vajza nuk kishte filluar asnjëherë studimet në Austri, si dhe se kishte depozituar prova e fakte që rrëzonin çdo dyshim për sa i përket cënimit të besimit të publikut. Edhe ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.
Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 korrik, në orën 15:00./BIRN